12 Dhjetor, 2019 - 9:54 pm
Arbër Selmani
Shtëpia botuese “MAGMUS” është shtëpi botuese e bazuar në Prishtinë, e specializuar në botime muzikore me synim promovimin e veprimtarisë së kompozitorëve kosovarë dhe arkivimin e tyre.
Sonte kjo shtëpi erdhi edhe me botimin e saj të parë, veprën ‘Moving Landscapes’ nga kompozitori i njohur Drinor Zymberi.
Vepra u shkri në libër, pasi si melodi dhe kompozim për orkestër harkore arriti suksese të ndryshme në Kosovë e jashtë saj, për të përmendur këtu vendin e parë në një nga garat më prestigjioze për kompozim në Evropë, atë në Krakovë të Polonisë – ‘Sinnfonieta per Sinnfonieta’.
Zymberi, kompozitor i njohur që krahas klasikes nuk e harron edhe kompozimin për teatër e për film, tregoi sonte në Kino Armata se ishte Polonia pikërisht vendi prej nga ai është inspiruar shumë dhe prej nga është mishëruar thellësisht, me kompozitorët e këtij shteti të njohur për kultivimin e muzikës klasike.
Në një bashkëbisedim me Liburn Jupollin nga Magmus, Zymberi zbuloi se ka punuar tash e disa kohë në këtë kompozim i cili emrin e merr prej partiturës dhe vetë mënyrës se si taktet janë shndërruar në nota, në formën e një landscape – peisazh që lëvizë. Kompozimi që zgjatë rreth gjashtë minuta është vështirë të dihet kur niset e kur përfundon, tregon kompozitori.
Zymberi i takon një plejade kompozitorësh që menjëherë pas luftës e patën shpërthimin e tyre artistik i cili edhe solli punë të hatashme të cilat edhe sot marrin vendin e tyre të merituar në botën e kompozitorëve shqiptarë, shkruan KultPlus.
Gjatë prezantimit u përmend profesori Mendi Mengjiqi, nxënës i të cilit ka qenë edhe vetë Zymberi, si një mjeshtër që e ka bartur mjeshtërinë e tij tek studentët.
“Në aspektin orkestral e ka sjellë një frymë te re, dihet që një ndër pikat kryesore të veprës së tij ka qenë orkestrimi i balancuar dhe shumëngjyrësh, dhe mendoj se kjo është bartur edhe tek gjeneratat e edukuar prej tij. Kjo aftësi me e trajtu veprën në formën e tij ka ndikuar edhe tek ne, që sot si kompozitorë mos ta shohim një vepër vetëm nga këndvështrimi harmonik e struktural por edhe me i kshtu rëndësi të veçantë orkestrimi e nuancave timbrike” tregoi Zymberi.
Kompozitorët zakonisht nisen të krijojnë prej historive apo traumave të mëdha që rreken në mendjet e tyre, por kjo nuk ka ndodhur kësaj here me Zymberin, i cili patjetër thotë se e shfrytëzon momentin por nuk duhet të jetë një moment i madh apo program i madh si pikënisje e punës së tij.
Kompozimi i Zymberit ka tendencë post-moderne ndërsa kërkon pastërti kompozicionale, me shfrytëzimin e timbrit si element kyç kompozicional.
“Kur unë filloj të kompozoj, nisem prej materies bazë e cila e gjeneron zhvillimin e veprës, duke nënkuptuar që secili tingull aty, secila mbivendosje të funksionojë me tjetrën” tregoi Zymberi.
Drinor Zymberi u lind në vitin 1987 në Ruhot të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa atë të mesme në shkollën e muzikës ‘Prenk Jakova’ në Prishtinë. Studimet Bachelor dhe Mastër i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, në drejtimin e kompozimit në klasën e Profesor Mengjiqit.
Veprat e tij u prezantuan në festivale si: ‘DamFestival’ Prishtinë, ‘ReMusica’ Prishtinë, ‘Pre-Art Festival’ Cyrih-Zvicër, ‘Ditët e muzikës së dhomës’ Tiranë-Shqipëri, ‘Tingujt e flautit’ Prishtinë, ‘Kuhmo chamber music festival’ Kuhmo-Finlandë, ‘Gaudeamus music week’ Amsterdam-Holandë, ‘Ditët e muzikës kosovare’ Prishtinë, ‘Teho choir festival’ Tetovë-Maqedoni, ‘Sinfonietta Festival’ Krakovë-Poloni, ‘Uracult Classics’ Koln-Gjermani, ‘Chopin piano fest’ Prishtinë, ‘Festival Maribor’ Maribor-Slloveni.
Disa nga veprat e tij janë:
‘Koncert për orkestër’ për orkestër simfonik,
‘Simfoni’ për orkestër simfonik,
‘Koncert për piano dhe orkestër’
‘Ecstasy’ për flaut dhe orkestër harqesh,
‘Sinfonietta’ për orkestër harqesh,
‘Trance’ për orkestër harqesh,
‘Alauda arvensis’ për orkestër kamertale,
‘Music’ për ansambël kamertal,
‘Fast {e}Motion’ për kuintet frymor,
‘Toccata’ për piano etj.
Aktualisht është Profesor i lëndëve Kompozim dhe Forma Muzikore në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë natës ai tregoi se po punon në një vepër orkestrale të re, e cila pritet ta ketë fatin e njëjtë, me plot suksese sikurse ‘Moving Landscapes’ e pse jo edhe me një botim.
Jupolli, në anën tjetër, tregoi se ky edhe është qëllimi i shtëpisë botuese në fjalë, e veçantë për nga lloji dhe fushëveprimtaria.
“Duam që të promovojmë kompozitorët kosovarë me anë të botimit të punëve të tyre. Nuk dua të spekuloj por janë rreth 28 kompozitorë shqiptarë të gjallë të cilët i njohim dhe veprat e të cilave ne si Magmus duam ti sjellim të botuara. Si synim tjetër shtëpia botuese “MAGMUS EDITIONS” ka botimin e punimeve shkencore dhe edukative në muzikologji, estetikë muzikore, kritikë muzikore, filozofi muzikore etj. Patjetër që edhe studentët e rinj dhe kompozitorët e rinj do ta kenë hapësirën e tyre në këtë mision tonin” tregoi Jupolli. / KultPlus.com