Mozarti në ritmin kuban

5 Korrik, 2020 - 6:30 pm

“Mozart y Mambo” ndjek një rrugëtim që gërsheton muzikën e Wolfgang Amadeus Mozart dhe muzikën e pasur të Havanës.

“Do të ishte dashur që Mozarti të ishte lindur në Kubë”, është premisë e filmit që vjen me narracion të Sarah Willis, instrumentiste franceze që luan në kornë në Orkestrën e Filarmonisë së Berlinit, shkruan “Deutsche Welle”, transmeton KOHA. Duke kombinuar muzikën e Mozartit me mambo – klasicizmin vjenez me ritmin kuban – filmi është një perceptim i një vizioni që Willis ka pasur qëkur ka vizituar qytetin për herë të parë në vitin 2017.

Bollëku muzikor në Kubë

Willis për një kohë të gjatë ishte prezantuese e programit në DW, “Sarah’s Music”. Kur ajo kishte ardhur në Havana për herë të parë për të dhënë mësim, kishte hasur në muzikë çdo kund: salsa, mambo e son cubano. Çdo shtëpi, rrugë dhe shesh i qytetit ishte i mbushur me ritëm dhe melodi vendore.

Në mes të qytetit të vjetër të Havanës, ajo po ashtu vuri re një monument të papritur të Wolfgang Amadeus Mozart. Por, nëse mendoni për muzikën e gjallërishme, të gëzueshme e të bollshme, gjeniu i muzikës ka shumë të përbashkëta me muzikantët kubanë.

Në “Mozart y Mambo” kjo lidhje shpërfaqet përmes saksofonistit Yuniet Lombida Prieto, që luan muzikë kamertale, jazz dhe salsa në skena të mëdha ndërkombëtare dhe është pjesë e Orkestrës së Gjimnazit të Havanës, nën dirigjimin e José Antonio Méndez Padrón.

“Ai ka një shpirt muzikor”, ka thënë Sarah Willis për dirigjentin që kërkohet në të gjithë botën, por që ka qëndruar në Kubë dhe e drejton orkestrën tash e një dekadë. Ai dëshiron që të inspirojë muzikantët e rinj e të talentuar për të mbajtur perspektivën muzikore kubane.

Muzikantët në vështirësi

Por ata që kanë qëndruar në Kubë e kanë pasur të vështirë që të mbijetojnë si muzikantë, pasi që performancat që paguhen janë të rralla dhe të vështira për t’u organizuar. Instrumentistët e mirë është vështirë që t’i sjellësh dhe më e vështirë për t’i mbajtur për shkak të lagështisë së madhe në Ishullin e Karaibës. /Koha.net /KultPlus.com

Të ngjajshme