Muzicientët më të mirë të Kosovës në një orkestër, “BigBand” mrekulloi të pranishmit

17 Shkurt, 2020 - 11:08 pm

Fotografitë: Nok Selmani

Ngjyrat e lehta me nuanca neoni, vinin në pah 18 instrumentistët që ishin vendosur në skenën e sallës së Kino Armata në Prishtinë, ku kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, po me këta instrumentistë kishte përzgjedhë të shënonte 12-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

I pari i komunës, para të pranishmëve është shprehur të jetë i lumtur për prezantimin e një orkestre më të re të Prishtinës, të emëruar “BigBand”, që sipas Ahmetit, është ribashkim, apo themelim i orkestrës më të re në kryeqytet, me muzicientët më të mirë që ka Kosova.

Pasi qe dritat e ngrohta u thelluan, dora e dirigjentit Armend Xhaferi e filloi veprën e parë të këtij koncerti të titulluar “Mercy Mercy Mercy”, dhe pas duartrokitjeve të pandalura, filloi edhe vepra e dytë e koncertit “Cute” me solistin Fatlind Ferati në bass.

Intensiteti i orkestrës veç sa rritej me veprat në vazhdim, ndërsa duartrokitjet e publikut nuk mungonin pas çdo përfundimi!

Tingujt drithërues të baterive të Nesim Maxhunit, me veprën “Karavan” bashkë më Ilir Bajrin në piano, e Visar Kuçin në kitarë, ndezën skenën e Kino Armatës duke bërë publikun të brohorasë e duartrokasë pothuajse gjatë tërë kohës.

Kënga e fundit “Sing Sing Sing” e përmbylli këtë koncert të mbrëmjes, duke u ngritur i gjithë publiku në këmbë. 

Armend Xhaferi, dirigjenti i orkestrës u shpreh se vetëm 3 javë kanë pasur prova për këtë koncert, dhe se ia arritën të përmbushin planifikimin e programit. Ai falënderoi shumë edhe Komunën e Prishtinës për këtë mbështetje, që pikërisht me këtë band të prezantohen në shënimin e përvjetorot të 12-të.  

Edhe bateristi Nesim Maxhuni u shpreh mjaft i kënaqur nga koncerti, dhe i njëjti u shpreh se shpreson që kjo orkestër do të ketë sukses edhe më të madh.

“Është diçka e re që është ndërtuar, por shpresoj që me punë dhe përkushtim, do të rritet kjo orkestër edhe më shumë dhe do të mburremi me emrin e BigBand”, ka thënë Maxhuni.

Edhe muzicientët e tjerë Ilir Bajri, Visar Kuçi e të tjerë u shprehën të kënaqur nga ky koncert duke shpresuar për suksese më të mëdha në të ardhmen, kurse në këtë mbrëmje, janë prezantuar me këtë përbërje:

Seksioni / Saksofon

Dukagjin Muhaxheri – Alto Saksofon 1
Kushtrim Rexhepi – Alto Saksofon 2
Arian Randobrava – Tenor Saksofon 1
Dardan Gjinolli – Tenor Saksofon 2
Ermal Rodi – Bariton Saksofon

Seksioni / Trumpet

Avni Krasniqi – Trumpet 1
Ardit Pira – Trumpet 2
Krenare Zariqi – Trumpet 3
Anda Krelani – Trumpet 4

Seksioni / Trombon

Betim Krasniqi – Trombon 1
Rejhan Rexha – Trombon 2
Donat Krasniqi – Trombon 3
Fatbardh Dubovci – Trombon 4

Seksioni / Ritmi

Ilir Bajri – Piano
Visar Kuçi – Gitarë
Fatlind Ferati – Bass
Nesim Maxhuni – Bateri
Armend Xhaferi – Gitarë & Dirigjent./KultPlus.com

Të ngjajshme