1 Tetor, 2019 - 9:10 pm
Rrugëtoi për 3 net me radhë në oborret e banesave karakteristike të Shkodrës. Në vitin e shtatë të tij, ahengu shkodran solli risi, pasi përveçse bashkoi Veriun me Jugun, nata finale iu kushtua një prej mjeshtrave të ahengut, i ndarë nga jeta pak muaj më parë, Shyqyri Alushit.
I shpallur si një ndër shtatë kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore, ahengu është një organizim që mbi të gjitha synon t’u përcillet brezave të rinj, që ta ruajnë dhe trashëgojnë atë.
Ilir Zoga: “Qëllimi ishte që këto këngë të mos vdesin.”
Bardhyl Hysa: “Një veçanti për artin dhe muzikën shkodrane.”
Edhe për zërat e tij që lëvrojnë këtë muzikë, të interpretosh këto perla është kënaqësi dhe privilegj.
Niki Mjeda: “Është nder dhe kënaqësi bashkë për mua të këndoj këngët, të cilat i kanë performuar të parët tanë.”
Mirënjohje ishin dy vlerësime që shkuan për këngëtarin e ndjerë Shyqyri Alushi dhe familjen Salabegu.
Në Shkodrën e artit dhe kulturës ky aktivitet vjen nën kujdesin e qendrës Pjetër Gaci, Bashkisë dhe Ministrisë së Kulturës. /Ora New /KultPlus.com