Muzika e Aaliyah, më në fund pjesë e platformave transmetuese

7 Gusht, 2021 - 9:04 am

Albumet më të mëdha të Aaliyah do të vihen në dispozicion të adhuruesve nëpërmjet shërbimeve transmetuese, pasi që ato kanë qenë jashtë qarkullimit për më shumë se dy dekada.

Dy albumet e fundit të yllit të R&B-së, “One in a Million” dhe “Aaliyah”, kanë lënë në harresë për vite me radhë, për shkak të problemeve ligjore dhe shqetësimeve përbrenda familjes së saj.

Tani, kur afrohet 20-vjetori i vdekjes së yllit, është arritur një marrëveshje për t’i ripublikuar albumet. Publikimi fillon nga 20 gushti, fillimisht me lansimin e “One in a Million”.

Titujt e rinj do të dalin gjatë pjesës tjetër të vitit, duke përfshirë kolonat zanore të filmit “Romeo Must Die”, në të cilin Aaliyah ka luajtur, si dhe përmbledhjet “Ultimate Aaliyah” dhe “I Care 4 U”. CD-ja e papublikuar dhe versionet që aktualisht fitojnë qindra dollarë në tregun e dorës së dytë gjithashtu do të ripublikohen.

Lajmi ishte bërë i ditur nga daja i Aaliyah dhe ish-menaxheri, Barry Hankerson, kompania e të cilit “Blackground Records” i zotëronte të drejtat autoriale për katalogun e yllit – me përjashtim të albumit të saj debutues “Age Ain’t Nothing But A Number”, i cili aktualisht është i vetmi i saji që është në dispozicion në shërbimet transmetuese.

Hankerson ka thënë se kishte hyrë në një partneritet të ri me kompaninë e shpërndarjes së muzikës “Empire”, për ta prezantuar trashëgiminë e Aaliyah. Kjo gjë do t’ia bëjë gjithashtu të mundur labelit që të publikojë albume nga Timbaland, Toni Braxton dhe JoJo, të cilët kanë munguar në shërbimet transmetuese. Por JoJo, që përfundimisht i ka riincizuar albumet pas një beteje ligjore dhjetëvjeçare me labelin, u ka thënë fansave se nuk do të fitonte para nga ripublikimet.

“Vetëm ta dini – transmetimi i versionit të riregjistruar më 2018 më mbështet dhe më ndihmon të vazhdoj që ta bëj atë që dua”, ka shkruar ajo në Twitter. “Transmetimi i origjinalit për fat të keq e bën të njëjtën gjë”.

Aaliyah ka vdekur më 2001, pasi aeroplani me të cilin po udhëtonte u rrëzua dhe shpërtheu në flakë menjëherë pas ngritjes në Bahamet. Ylli ndodhej për vizitë ishullit, me qëllim që ta xhironte videoklipin për këngën e saj “Rock The Boat”.

Ajo bashkë me tetë pasagjerë të tjerë mbetën të vdekur. Në mesin e tyre ishin edhe regjisori i videoklipeve Douglas Kratz, si dhe Gina Smith nga labeli diskografik.

Sipas hetimeve të ndërmarra nga Bordi Kombëtar amerikan i Sigurisë së Transportit, avioni ishte i mbingarkuar në kohën e ngritjes.

Edhe pse ajo ishte vetëm 22 vjeçe, ylli veçse kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në rrymën e muzikës R&B, me këngë të qeta dhe të së ardhmes, si “We Need A Resolution”, “More Than a Woman” dhe “Are You That Somebody?”.

Ndikimi i saj dominon ende krijimet muzikore të këngëtarëve, si Rihanna, Drake, Alicia Keys dhe Beyoncé. / KultPlus.com

Të ngjajshme