Muzika e kompozitores Donika Rudi jehoi mbrëmë në “Osijek Peace Awards 2020” në Kroaci

12 Dhjetor, 2020 - 3:58 pm

Gjatë natës së mbrëmshme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Paqes Osijek 2020, u dha edhe premiera e shfaqjes – doku – vallëzimit “U IME OCA/ In the Name of the Father” , që mban edhe  emrin e kompozitores së mirënjohur kosovare Donika Rudi, shkruan KultPlus.

U IME OCA/ In the Name of the Father në vete përmban rrëfimet më të dhimbshme të fëmijëve të lindur nga përdhunimet e luftës në Bosnie, të cilët janë në kërkim të prindërve të tyre. Disa nga ta paraqiten edhe në skenë, së bashku me aktorët e tjerë.

Kurse ky prodhim muzikor me një histori kaq të dhimbshme, të bukur e njëkohësisht me një mesazh kaq të fuqishëm mban edhe emrin e kompozitores kosovare Donika Rudi.

Për koreografin Darrel Tulon premiera e këtij doku vallëzimi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Paqes do te thotë shumë. Sipas tij fakti që kjo ngjarje është transmetuar online ka bërë që fëmijët e lindur nga lufta të flasin me më shumë njerëz.

“Kjo është me të vërtetë një ditë shumë e veçantë, që U IME OCA do të transmetohet për më shumë shikues sesa do të ishte në gjendje të paraqitej brenda Teatrit Kombëtar Kroat Osijek. Fëmijët e Lindur nga Lufta do të jenë në gjendje të flasin me kaq shumë njerëz. Mbase së bashku mund të ecim përpara, dhe me paraqitja e kësaj shfaqjeje në Çmimet e Paqes është një konfirmim: që arti mund dhe duhet të na flasë për jetën dhe kohën tonë. Që ne mund të përdorim artin tonë për të bërë një ndryshim në jetën e njerëzve”, ka thënë Tulon.

E gjithë ideja për këtë doku vallëzim ka filluar nga intervistat me fëmijët Boshnjakë të Lindur nga Lufta (CBOW), disa nga të cilët paraqiten edhe në skenë, së bashku me aktorë nga qyteti i Tuzlës dhe këngëtarin e shkrimtarin Norbert Wally (Austri) . Teksti fjalë për fjalë u zhvillua me material biografik nga Jelena Cajić, Ivana Cook, Nadia Delić-Klevstad, Alma Erika Erikson dhe Ajna Jusić.

Shfaqja u realizua para publikut në Teatrin e Luftës në Sarajevë (SARTR) më 12 Tetor të vitit 2019, dhe u xhirua nga Vardo films (MB), drejtuar nga Dheeraj Akolkar.

Premiera Botërore u mbajt me 20 Mars 2019 në Teatrin Kombëtar të Tuzlës dhe pastaj në Teatrin e Luftës në Sarajevë – Sarajevo Theatre of War (SARTR).

Performanca është ideuar, drejtuar nga koreografi Darrel Toulon, me të cilin kompozitorja Donika Rudi ka bashkëpunuar edhe në Kosovë me trupën e baletit nga Kosova për shfaqjen “YOUR STORIES, MY STORY”./ KultPlus.com

Të ngjajshme