17 Qershor, 2018 - 10:28 am
Erjola Azizolli
Që nga këngët më të famshme ruse si: “Katjusha”, “Ochi chernye”, “Mbrëmjet e Moskës”, “Kalinka” e deri tek muzika instrumentale, janë interpretuar live mbrëmjen e djeshme për publikun beratas. Ka qenë ansambli muzikor i famshëm rus, “Vertograd”, i cili ka ndezur atmosferën me interpretimet e këngëve ruse, të njohura në të gjithë botën.
Tre muzikantët: Juri Stupak, balalajka (vegël muzikore popullore ruse), Aleksej Stepanov, në kitarë dhe Pjotr Matroniçev, në fizarmonikë, së bashku me këngëtarët Aleksej Parfjonov dhe Marta Serebrjakova dhuruan emocione veçanërisht njohësit e shumtë të kulturës ruse në këtë qytet.
Ky koncert në Berat sjell për herë të dytë në Shqipëri këtë ansambël të famshëm dhe kjo u mundësua nga Ambasada Ruse, në vendin tonë dhe për bashkëshorten e ambasadorit që ishte prezent në këtë koncert, Ludmilla Karapushina, ky event aktistik rus, do ti hap rrugën shumë të tjerëve në këtë qytet, që njeh dhe dashuron kulturën ruse.
“Është shumë kënaqësi që publiku jo vetëm që të ndjek dhe të duartroket ndërsa këndon dhe interpreton, por bashkohet me këngët e njohura ruse, tha Juri Stupak, drejtori artistik i ansamblit, i impesionuar nga publiku beratas.
Ndërsa nën kryetarja e bashkisë, Teuta Muçogllava, u shpreh se të tillë evente do të kenë gjithmonë mbështetjen e institucionit të baskisë.
“Vertograd” është ansambli i muzikës popullore me instrumentistë dhe këngëtarë, i krijuar në vitin 2005, i cili synon ruajtjen dhe promovimin e traditave të muzikës së mirëfilltë ruse”./ KultPlus.com