26 Korrik, 2023 - 10:20 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare u mbajt koncerti ‘Ensemble Evening’, e që shënoi koncertin e dytë të festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’.Ky koncert që kishte protagonistë kontratenorin Iranian Cameron Shahbazi, pianisten Sophia Eva Munoz dhe violonçelistin Eno Nushi, përtej muzikës, shpalosi edhe rrëfime prekëse dhe erdhi si një mesazh i fuqishëm dhe një solidarizim me situatën e grave në Iran, shkruan KultPlus.
Shahbazi, me timbrin e tij melodik dhe unik, shtriu zërin e tij magjepsës në skenë dhe krijoi një bashkëpunim të pashoq me pianisten Munoz dhe violonçelistin Nushi. Bashkëpunimi i tyre përcolli emocione të forta dhe në çdo interpretim prekën dhe frymëzuan audiencën.
Mbrëmja filloi me performancën emocionuse të këngës “La Sorte de Mia Tiranna”, e cila u prit me entuziazëm nga publiku. Zëri i artë i kontratenorit Cameron Shahbazi zhyti audiencën në një udhëtim emocional që preku zemrat e të gjithë atyre që ishin të pranishëm.
Më pas, artistët sollën interpretime të rralla të këngëve ‘Son Stanco… Deggio Morire’, ‘Inumano Fratel… Stille Amarel’ dhe ‘Shanehayat’, ndërkaq emocione prekëse u transmetuan sidomos gjatë performancës së këngës ‘Black Is The Color Of My True Love’s Hair’, dedikuar grave iraniane.
Repertori i këtij koncerti vijoii edhe me këngët ‘Music For A While’, ‘Nani, Nani’, ‘The First Time Ever I Saw Your Face’,’ What A Wonderful world’ dhe ‘ Lalaee’ që u interpretuan me një pasion të jashtëzakonshëm. Zëri i Cameron Shahbazi, i pasur me thellësi dhe ndjenjë, e shndërroi këngën në një përvojë të papërshkrueshme për të gjithë dëgjuesit.
Ndërkaq, momenti kulmor i mbrëmjes ishte performanca e mahnitshme e kontratenorit Cameron Shahbazi dhe tenorit Rame Lahaj, të cilët sollën një interpretim të veçantë të këngës shqipe “Hapi sytë e zeza”. E ky bashkëpunim u mirëprit shumë nga publiku, duartrokitjet e të cilëve zgjatën për disa minuta.
Ky koncert dëshmoi edhe një herë fuqinë e artit dhe muzikës në veçanti, që përveç frymëzimit estetik, ka fuqinë të adresojë çështje sociale dhe të prekë shpirtin njerëzor. Krahas muzikës, në mes të interpretimeve, u shfaqën edhe video që reflektojnë mbi situatën e vështirë të gruas në Iran.
Pas një koncerti ku dhuroi dhe pranoi emocione të mëdha nga publiku që e duartrokiti dhe u bë një me zërin e tij, për KultPlus foli kontratenori Cameron Shahbazi, i cili u shpreh mirënjohës për pritjen që publiku në Prishtinë i bëri.
“Kjo është hera ime e parë në Kosovë dhe duhet të them që jam shumë i prekur sepse unë e pranoj që zëri im nuk është një zë tipik për një këngëtar opere, pra unë këndoj më shumë muzikë bashkëkohore dhe muzikë popullore, prandaj jam shumë i prekur kur kuptova se zëri im u pranua shumë mirë këtu, ashtu që mëesazhi i këtij konceti dhe mesazhi prapa programit të cilat ne i kemi krijuar dhe bashkuar me detaje të mëdha janë parë, dëgjuar, vlerësuar aq mirë sa mud të çojë në veprim”, u shpreh Shahbazi.
E po aq mirënjohëse u ndje edhe pianistja Sophia Eva Munoz, e cila tha për KultPlus se vlerëson secilin që iu bashkua koncertit dhe mesazhit që ky program kishte për qëllim të transmetonte.
“Unë duhet të them para së gjithash që jam shumë mirënjohëse për secili që është bërë pjesë sot, që dëgjoi një program jo shumë të lehtë, të bashkëngjitur me video që transmetonin atë që po ndodhë në Iran, e që ndërlidhet me atë që ka ndodhur në Kosovë në vitet e 90-ta prandaj jemi shumë mirënjohës për secilin që u bënë pjesë e kësaj nate”, tha Munoz, e cila më tutje e përgëzoi Lahajn për realizimin e këtij festivalil.
Ajo më tutje foli edhe për bluzën ‘Women Life Feedom’, që ia shtonte edhe më shumë ndjeshmërinë mesazhit që programi dhe koncerti i djeshëm transmetonte.
“Kjo bluzë që shkruan ‘Liria e jetës së gruas’, që është slogani original për këtë revolucionin që u transmetua në këtë fotografi dhe prandaj e veshëm këtë bluzë si një mbështetje për gratë iraniane”, përfundoi Munoz.
Ndërkaq, përveç këtij koncerti, publiku do të ketë mundësinë të shijojë magjinë e veprave operistike edhe për tri net të tjera në kuadër të festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, i cili këtë vit vjen me moton ‘Opera për Liri’, dhe do të zgjasë deri më datë 31 korrik./ KultPlus.com