Muzikali ‘Callas and Onassis’ në Teatrin e Operës dhe Baletit

21 Janar, 2023 - 2:51 pm

Muzikali i filmit “Callas and Onassis” do të vijë në Shqipëri në 100-vjetorin e lindjes së sopranos greke, Maria Callas.

Lajmi bëhet i ditur nga drejtoresha e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB), Abigeila Voshtina duke e cilësuar si “një surprizë të bukur për miqtë e artit”.

Në një postim në rrjetet sociale, Voshtina bën të ditur nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me drejtoreshën e Teatrit të Varnes, Daniela Dimova për muzikalin ‘Callas and Onassis’.

“Shënjuam fillimin e një rruge të gjatë ndërveprimi me Teatrin e Operës së Varnës”, shprehet Voshtina.

Nëpërmjet këtij memorandumi, teatrot e dy vendeve do të kenë mundësinë të shkëmbejnë mes tyre artistë e regjisorë të ndryshëm, si dhe dirigjentë të korit, të përfshirë në aktivitetet e Kalendarit Artistik 2023.

Një ndër objektivat e TKOB-së, sipas Voshtinës, është edhe “vënia në skenën shqiptare të produksionit të përmasave të mëdha “AIDA” me regji të Franko Zeffirelli”, për të cilën e ka vlerësuar mbështetjen e drejtoreshës Dimova, si “të paçmueshme”./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme