Muzikë shqipe dhe valle e emocione në zemër të Brukselit (VIDEO)

21 Prill, 2018 - 2:29 pm

Shqipëria po prezanton kulturën e gjallë në zemër të Brukselit, në sallën BOZAR, nga ku do të shpalosë ngjyrat, ritmet dhe energjinë e një vendi me identitet europian, vetëm pak ditë pas hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore po merr pjesë në Festivalin Ndërkombëtar Kulturor “Balkan Trafik”, që po zhvillohet nga 19-22 prill.

Pjesëmarrja e Ansamblit në këtë festival, të çelur mbrëmjen e djeshme në sallën Bozar, u mundësua me mbështetjen e ministrisë së Kulturës.

Me një formacion prej 17 artistësh, solistë, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestra popullore, me grupin polifonik së bashku me zërin e magjishëm të Hysni Zelës, të pranishmit do të mund të udhëtojnë përmes këngë, valles dhe folklorit shqiptare, përfaqësuar nga Ansambli Kombëtar.

Programi përfshijnë vallet më të spikatura të zonave të ndryshme, këngët polifonike deri te formacionet orkestrale në formën e kabasë, apo meloditë e pavdekshme të këngës së kultivuar.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka theksuar fort se “detyra e promovimit të një imazhi të favorshëm jashtë vendit i takon diplomacisë kulturore. Roli i kulturës në përmirësimin apo promovimin e imazhit të vendit, është i rëndësishëm. Kemi vite që Shqipëria eksporton kulturë me cilësi të lartë”.

Koncerti i Ansamblit Kombëtar, i sapo nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, premton sukses në këtë ngjarje madhore kulturore të vendeve të Rajonit tonë dhe më gjerë në kryeqytetin evropian. Përfaqësimi i trupës së Ansamblit Kombëtar në këtë edicion i dedikohet polifonisë shqiptare si trashëgimi e UNESCOS-s, në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë.

Pjesëmarrja në këtë festival ndërkombëtar organizohet në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe përfaqësinë tonë diplomatike në Bruksel. / KultPlus.com

Të ngjajshme