14 Shtator, 2020 - 3:00 pm
Miley Cyrus e ka konfirmuar bashkëpunimin me këngëtaren britaniko-kosovare, Dua Lipa, në albumin e saj të ri.
Ylli i hitit “Midnight Sky” veçse i kishte ngacmuar fansat me një bashkëpunim të mundshëm me Lipën dhe ikonën e muzikës Billy Idol, kur para disa javësh e kishte postuar një fotografi nga studioja incizuese, ku ajo shihet krahas bukuroshes me prejardhje kosovare dhe producentit të njohur muzikor, Andrew Watt, njëherësh ish i dashuri i Rita Orës.
Por tani më në fund Cyrus ka treguar se në fakt, Dua Lipa dhe Billy Idol, janë pjesë e njërës prej këngëve të albumit të ardhshëm, duke mos dashur të zbulojë më shumë detaje.
Ende nuk ka datë të caktuar të lansimit të këtij projekti, por këngëtarja dhe aktorja e njohur amerikane insiston se ka punuar shumë rreth saj, dhe dëshiron që kënga të arrij ta shijojë potencialin e plotë.
Tutje Miley ka deklaruar se kënga “High” që vjen në bashkëpunim me producentin Mark Ronson, është e preferuara e saj nga ky incizim pasi është realizuar gjatë kohës kur ajo po luftonte me varësinë nga alkooli dhe drogat.
Albumi i ardhshëm i Cyrusit vjen pas atij të publikuar në vitin 2017, “Younger Now”. Në një intervistë të fundit këngëtarja ka thënë se nuk po ndihet rehat ta ndajë muzikën e saj të re me fansat, në kohën kur pandemia e koronavirusit po u merr jetën qindra mijëra njerëzve anembanë botës./ KultPlus.com