5 Gusht, 2019 - 9:00 pm
Maria Anna Mozart, motra e madhe e Wolfgang Amadeus Mozartit, do të kishte qenë një emër tjetër i madh i muzikës, nëse nuk do të ishte për pengesat që koha i vinte një gruaje në karrierë. Edhe pse e talentuar, Maria u detyrua ta linte muzikën, që të mësonte të gatuante dhe të martohej.
Në rininë e hershme, vëlla e motër luanin së bashku nëpër Evropë dhe shpesh ishte “Nannerl” (pseudonimi i Maria Annas) ajo që merrte vëmendjen më të madhe të kritikëve.
Por, më pas, familja vendosi ta sakrifikojë talentin e saj për të përqendruar gjithçka te djali, Wolfgang.
Paratë nuk ishin të mjaftueshme për të financuar turnetë evropiane të të dyve dhe, për këtë arsye, në moshën 18-vjeçare karriera e Maria Annas u ndërpre. Fati i saj ishte një tjetër: të martohej me një baron të pasur, të bëhej një grua e mirë dhe një nënë e mirë.
Historinë e motrës së harruar të Wolfgang Amadeus Mozartit, gati dy shekuj pas kohës kur jetoi, e risjell vepra teatrale e shkruar nga Sylvia Milo, “Mozarti tjetër”. Duke përdorur dokumente dhe letra që i përkisnin familjes Mozart, Milo ka vendosur t’i japë zë Nannerlit, gruas dhe artistes, muzikantes që ishte dhe asaj që mund të bëhej.
Kështu shkruante babai i saj, Leopold: “Në moshën 12-vjeçare, vajza ime e vogël është ndër pianistët më të mirë në Evropë”.
Wolfgang vetë ishte i qartë në lidhje me talentin e motrës së tij: “Unë jam i habitur, unë nuk e dija se ishe në gjendje të kompozoje kaq bukur. Të lutem, bëj më shpesh gjëra si këto”.
Për fat të keq, gjërat shkuan ndryshe dhe fundi ishte i parashikueshëm. Në atë kohë, në të vërtetë, vetëm familjet shumë të pasura mund të kishin mundësi të investonin te një pianist.
Megjithatë – shpjegon Milo, në një intervistë me “Huffington Post” – përgjigja e kritikëve të kohës është e qartë: “Nannerl madje dukej më mirë se Wolfgang. Shpesh, duke e parë historinë nga pikëpamja e grave, kuptojmë që nuk kemi një fotografi të plotë të saj”. /TemA TV/