Naser Berisha, një simbiozë mes vargjeve rok dhe baladave të dashurisë

11 Tetor, 2020 - 10:50 am

Arbër Selmani

‘Prej momentit të parë kur muzikën e përqafova si gjënë e cila do të më përcillte përgjatë gjithë jetës sime, nuk mundem ta paramendoj jetën pa dëgjuar e pa shkruar muzikë, edhe nëse ato këngë të miat nuk do të publikohen asnjëherë. Gjatë rrugëtimit tim, muzika është ajo e cila ma qetëson shpirtin, më kthen në një qenie super emocionale dhe ka zgjidhje për mua në momentet më të vështira. E kisha një periudhë katër vjeçare kur për shkaqe shëndetësore kisha edhe depresion dhe luhatshmëri mendore, në një mënyrë apo tjetrën ishte muzika ajo që ishte shpëtimtarja ime kryesore, kuptohet bashkë edhe me familjen time’.

Naser Berisha është dëshmia e gjallë e asaj çka edhe psikologjia e fakton mirë: muzika ndihmon shumë në trajtimin e mendjes, trupit e shpirtit të njeriut. Kjo ndihmë bëhet edhe më e fortë kur i servohet një muzikanti dhe një njeriu i cili kitarën e parë e bleu në moshën 13 vjeçare dhe nën shoqërinë e saj do të niste ngadalë të bënte artin e bukur të muzikës.

Incizimi i parë, Radio Gjilan – 1986

Sot është më pak aktiv në muzikë, dhe sikur plot këngëtarë të tjerë kjo arsyetohet me faktin se sot arti është i konceptuar ndryshe, i pranuar ndryshe, shumë më sipërfaqësisht se viteve kur Naseri krijonte hitet që dëgjohen edhe sot.

Shumica prej jush do të kujtoni këngët ‘A më kujton’, ‘Do të doja’, ‘Hajt shko’, ‘Deti i lodhur’, ‘Vajet’, ‘Përgjithmonë’, ‘Jeta ime’, dhe plot krijime tjera muzikore të cilat ndër vite Naser Berisha i solli për ne si burim i zemrës së tij, zemrës së një djali të ri ëndërrimtar i cili përkundër sfidave e problemeve që nëna natyrë i qëndisë për secilin prej nesh, ka një dashuri të pakusht për muzikën.

*

‘Si fëmijë kam qenë gjithmonë kurreshtar dhe eksplorues për veten dhe rrethin. Kam qenë shumë ambicioz, pa marrë parasysh se për çka është bërë fjalë, unë nuk kam dashur dhe nuk kam mundur të humbas, qofshin ato edhe lojëra të fëmijëve. Në moshën e fëmijërisë, aty diku kur isha 7 vjeç, e provova veten në futboll dhe në karate, e më pas edhe në fotografi, dhe në ndërkohë kisha ndikim prej rrethit dhe fillova të dëgjoj muzikë rok. Më vonë e bleva kitarën e parë dhe nisa ta provoj veten në muzikë. Me kalimin e kohës dhe me ndihmën e shokëve mësova mjaftueshëm të luaj në kitarë dhe fillova t`i shkruaj këngët e para. Në shkollën e mesme, kur isha rreth 16 vjeç, bashkë me Shefqetin dhe Zeqën, njëri shok i klasës dhe tjetri vëllau i tij, themeluam grupin ‘Premiera’, ku u bashkua edhe Lulzimi. Në vitin 1986 kishim incizimin e parë në Radio Gjilan kurse një vit më vonë e bënë incizimin e parë profesional në studiot e reja në Radio Prishtinë, asokohe një prej studiove më moderne në Jugosllavi. Kënga ‘Maturantët’ ishte hit i vërtetë”

Mbrëmja e parë live, 1987, me Grupin ‘Premiera’

Naser Berisha hapet ngadalë për mua në këtë rrëfim që muzikën e ka mekanizëm të frymëmarrjes, por ka shumë më shumë. Organet tjera, pjesët tjera të trupit të Naserit, trupit muzikor të tij, do t’i zbulojmë ngadalë.

“Unë edhe shokët e mi e kishim për obligim shërbimin ushtarak i cili na kushtoi diku afër dy vite. Më pas, në vitin 1990 e patëm një termin tjetër për incizim, i cili ishte pikërisht me datën 5 korrik, në ditën kur forcat serbe uzurpuan mediat shqiptare në Kosovë. U kthyem nga Prishtina në Gjilan pa e bërë incizimin. Më pas, deri pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk kishim mundësi të paraqiteshim me këngë të reja, edhepse mbanim aty këtu mbrëmje muzikore në lokacione të ndryshme” më tregon Naser Berisha.

Në kohën kur ekzistonte ky grup muzikor, tekstet shkruheshin nga të gjithë së bashku, në mënyrë që kënga në fund të vinte sa më e kompletuar.

Naseri, kuptohet, do të shkëlqente pak më shumë dhe madje, edhe në fotografitë e grupit, sikur është Naseri ai më i buzëqeshuri, karizmatiku, më i priruri për fotogjen, më i hareshëm së të tjerët. Njashtu, edhe më i gatshëm për të shkruar këngët e tij, tekste që shpesh më mirë është të mos ia besosh askujt pos penës dhe mendjes tënde.

“Tekstin e këngës ‘Do të doja’ e kam shkruar në vitin 1992 dhe ishte tekst i guximshëm për atë kohë, sepse deri atëherë nuk kishte tekste në gjuhën shqipe të një natyre të ngjashme. Kënga në fakt është publikuar vetëm pas çlirimit të Kosovës, në vitin 2000, me ardhjen e albumit tim të parë si solo-këngëtar. Në atë kohë, teksti duhej të kishte një kuptim të thellë, mund të bëje edhe film prej tekstit të një kënge, e sot qëllimi është që muzika dhe teksti të jenë sa më të thjeshta, 4-5 fjalë të përsëriten në pafundësi dhe të mbesin lehtë në mendje, edhe pse ndoshta pa asnjë domethënie dhe lidhje logjike në mes të fjalëve e rreshtave të këngës. Ky është ‘çmimi’ i krijimit të këngëve sikur në traka fabrike” rrëfen Naseri.

https://www.youtube.com/watch?v=RDebWx3kYCQ

*

“Këngët të cilat i shkruan dhe i këndon është vështirë t’i dallosh, por prej këngëve të mia mendoj se ‘Do të doja’ dhe ‘A më kujton’ (Bjondina) janë dhe mbesin hite sot e kësaj dite. Të parën e kam krijuar unë, me tekst e muzikë, ndërsa të dytën e ka shkruar Xhelil Haziri, muzika është prej meje. Kënga ‘Do të doja’, për nga kuptimi dhe thellësia dhe guximi për ta shkruar qysh në vitin 1992, mbetet më e veçantë për publikun. Sot ndoshta nuk mundemi ta vlerësojmë aq sa duhet sepse kohët kanë ndryshuar, e vulgariteti i teksteve sot i ka tejkaluar të gjitha normat morale e artistike” rrëfen Naseri.

*

Edhe për Naserin do të ndryshonin kohët, stinët, disponimet, letrat e jetës.

Prej vitit 2007 deri në vitin 2011, Naser Berisha i muzikës shqipe, do të pushonte prej saj. Gjatë kësaj kohe ai më tregon për disa depresione kohore kur i mungonte dëshira e vullneti për angazhim në muzikë, e në disa raste thotë ai se i rastisi të mendonte edhe largimin e plotë e të përgjithmonshëm nga muzika, sipas tij për shkak të pamjes fizike, e cila i ndryshoi rrënjësisht.

“Sëmundja quhet Alopecia, në raste më të buta ka rënie të flokëve në vende vende, dhe në raste ekstreme, sikur te rasti im, shkon deri në rënien totale të flokëve. Për momentin është e pashërueshme dhe nuk dihet saktë se prej kah vjen, por supozimi më i përafërt shkencor sipas të gjitha gjasave mbetet ky: është një sëmundje auto-imune, ku sistemi imun i njeriut ka gabim në kode, dhe flokun e trupit e njeh si organ të huaj dhe e lufton gjatë gjithë kohës, duke mos e lejuar zhvillimin e qimeve të flokut. Është sëmundje e rrallë por jo e rrezikshme për jetën” tregon Naseri.

Ai nuk preferon të flasë më shumë për këtë kaptinë të jetës së tij, e cila nuk pati se si ta rrëzonte një artist e një personalitet si Naseri. Meqë ngushëllohemi se faqet e jetës sonë janë libër i shkruar në një përqindje të madhe nga një fuqi tjetër, Naseri duket se faqet e përkujdesura prej tij i ka stolisur mirë e mirë, me art dhe kulturë, me muzikë dhe me letërsi muzikore.

https://www.youtube.com/watch?v=rWzh_iA0lfc

Fatmirësisht, Naseri do të kthehej në muzikë, më i fortë, më me vrap. Edhe ai vetë e përqafon frazën ‘Çka nuk të vret, të bën më të fortë’. Pas katër viteve ai nisi paraqitjet e tij muzikore, tekst-shkrimin dhe këngët e videoklipet e reja.

“Kuptohet, me intensitet më të vogël ka vazhduar puna. Nuk kam realizuar ndonjë album të plotë por rreth dy këngë brenda vitit, e këtu ka luajtur rol edhe devalvimi i tregut muzikor, gjithçka e orientuar kah komercialja, po krijohen hite dy javore dhe pa ndonjë vlerë artistike, të cilat harrohen shpejtë” vazhdon gjilanasi Naser Berisha.

“Unë edhe më tej vazhdoj të shkruaj e të punoj në studion time, por natyrisht që edhe dëgjuesit nuk janë më të njëjtit, gjeneratat e reja nuk kanë kohë më, as vullnet e dëshirë të thellohen në artin e muzikës. Ata më thjeshtë sot e konsumojnë artin, pa pasur ndonjë lidhje shpirtërore me këngët, siç kishim ne dikur”.

*

Si çdo artist, edhe Naserit i ndodhi që sytë t’i binin më fuqishëm te disa krijues, prej të cilëve edhe u inspirua që të vazhdonte karrierën prej këngëtari. Naseri nga Gjilani është simbioza mes vargjeve rok dhe baladave të dashurisë. Në këto të dytat ka sjellë njomësinë, në të parat epshin e djalit guximtar.

Viti 2006

“Albumin e parë që e kam blerë ishte nga AC/DC – High Voltage. Ishte zhanër hard rock. Kam dëgjuar shumë edhe Deep Purple, Led Zeppelin, Pink Floyd, Queen, më pas edhe muzikë rok nga grupet shqipe të asaj kohe, si MAK e TNT. Normalisht që këto zhanre e këto grupe e kanë lënë gjurmën e vet, por si këngëtar, si tekstshkrues e si kompozitor duhet ta gjesh vetveten dhe të jesh sa më origjinal. Unë këtë jam mundu me e bo dhe njëjtë tentoj edhe sot, me qenë më i veçantë” tregon tutje Naseri.

“Babai im ka dëgjuar muzikë rapsodike e folklorike me shumë pasion, por vet nuk ka bërë muzikë në mënyrë aktive. Motra ime Elfeti kishte një zë fenomenal dhe ishte këngëtare shumë e mirë në Shoqërinë Kulturore Artistike në Gjilan, por fatkeqësisht shumë herët e la muzikën duke vendosur për familje. Më pas erdha unë si fëmija më i vogël, me një zhanër krejt tjetër nga familja dhe me një botëkuptim krejt tjetër sa i përket muzikës” më shpjegon Naseri.

Naser Berisha, një peshk në horoskop, prej pasluftës e tutje do të përjetonte shpërthimin e muzikës së tij. Në vitin 2000 ai erdhi me albumin ‘Jo mos thuaj’, ndërsa dy vite më vonë erdhi edhe albumi ‘Gjurmët’. Për zërin e tij unik, në vitin 2006 Naser Berisha do të shpërblehej me çmimin ‘Vokali më i mirë’ në Çelësin Muzikor. Më vonë do të pasonin edhe pjesëmarrjet tjera në festivale e në ceremoni të ndarjeve të çmimeve për muzikë, ku Naseri është fitues i shumëfishtë.

Naseri nuk harron ta përmendë edhe kitaristin Reshat Beqiri i cili e ka përcjellë dhe vazhdon ta përcjellë atë në karrierën muzikore, e njashtu edhe Nazim Rexhepin, ndoshta një prej arsyeve të pikënisjes së karrierës së Naserit si artist e këngëtar.

‘Nazimi si orkestrues profesionist ia dha vulën e vet albumit të parë ndërsa Reshat Beqiri, si një prej kitaristëve mët ë mirë, poashtu ndihmoi në suksesin e albumit ‘Jo mos thuaj’. Asokohe e incizuam albumin tek producenti dhe mjeshtri i zërimit, më i miri i asaj kohe, Enis Presheva’.

*

“Nëse tani e shohim se edhe pas dy dekadave, këngët e mia ‘A më kujton’ dhe ‘Do të doja’ bëhen edhe covera nga këngëtarë të tjerë dhë dëgjohen gjithandej, kjo tregon se mundi dhe puna vlerësohen gjithmonë, nëse punohet me përkushtueshmëri” tregon Naseri kur e pyes për këngët e tij personale të preferuara ndër vite.

Naseri, baba i tre fëmijëve, po punon në një album tjetër, me përkushtimin e tij dhe me fjalët e tij që ende kërkojnë të dalin prej mendjes dhe të shkrihen në nota muzikore. Ai shpreson që albumi të lansohet në pjesën e parë të vitit 2021.

“Unë edhe më tutje nuk i kam humbur të gjitha shpresat sa i përket muzikës me vlera, në të gjitha zhanret, por ata artistë janë të paktë dhe kanë shumë pak hapësirë në mediat tonë. Unë realisht mendoj se një pjesë të fajita për devijimin e muzikës e kanë mediat vizive, të cilat në vend se të kenë redaktim të muzikës e të ndikojnë në audiencë pozitivisht, u përshtaten shijeve të shumices në këtë kohë jo fort të mirë për artin e vërtetë, dhe kësisoj hyjnë në një rreth vicioz i cili sjellë dëme në artin muzikor dhe në ngritjen e një shoqërie në një nivel më të lartë kulturor’.

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

Të ngjajshme