Nata e dytë e Fest 63, 15 artistë në skenën e Festivalit të këngës dhe të ftuar specialë

21 Dhjetor, 2024 - 12:00 am

U mbyll sot në mbrëmje, nata e dytë e Festivalit të 63-të të Këngës (Fest 63) në RTSH, në Pallatin e Kongreseve. 15 artistë të njohur, debutues besnikë të festivalit të Këngës e të rinj u ngjitën në skenën elektrizuese të Fest 63 duke ndjerë magjinë e vërtetë të “rrënjëve”, motoja e së cilës është edhe festivali i këtij viti.

Edhe gjatë kësaj nate, publiku shijoi krijimet e shumta muzikore, me tematika të ndryshme, por edhe performancat energjike duke ndezur kështu atmosferën jo vetëm në Pallatin e Kongreseve, por edhe të publikut që e ndoqi këtë mbrëmje përmes ekranit të RTSH.

Nata e dytë solli në skenën e Fest 63 këngëtarin e mirënjohur Aleksandër Gjoka dhe balerinën Klaudia Pepa, si të ftuar specialë. Sikurse edhe natën e parë, në këtë mbrëmje, emocionet e artistëve dhe surprizat e prapaskenës u përcollën përmes moderatorëve Andri Xhahu dhe Alesia Brunazi.

15 artistët që performuan në natën e dytë të Fest 63:

1.   Algert Sala
2.    Devis Xherahu
3.    Elvana Gjata
4.    Endrik Beba
5.    Epos
6.    Frensi Revania
7.    Gjergj Kaçinari
8.    Gresa Gjocera
9.    Klea Dina
10.   Laorjan Ejlli & Adelina Correj
11.   Mal
12.   Rea Nuhu
13.   Santino de Bartolo
14.   Stine
15.   Vesa Smolica

Juria

E veçanta në këtë mbrëmje ishte dhe prezantimi i jurisë së Festivalit, e cila përbëhej nga disa personalitete në fushën e muzikës, të letrave dhe të pedagogjisë.

Kryetare e jurisë është artistja e njohur, Zana Çela, ndërsa anëtarë që plotësojnë të gjithë trupën e jurisë janë: Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi, Ramona Tullumani.

Vota e jurisë do të përcaktojë 15 finalistët, të cilët do të performojnë në natën e 4-t finale të Fest 63, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut. Në këtë edicion do të ketë vetëm një këngë fituese, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme