1 Korrik, 2023 - 10:30 pm
Sot është nata e fundit e Festivalit Folklorit Kombëtar, që ka nisur më 24 qershor dhe vijon deri në datën 2 korrik në kalanë e Gjirokastrës.
Përgjatë 8 netëve, një nga objektet historike me vlera të spikatura, kalaja e Gjirokastrës, është shndërruar në një skenë të hapur për të gjithë qytetarët e vizitorët dhe akesohet falas.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, shkroi në rrjete sociale se, sot është nata e fundit e Festivalit Folklorit Kombëtar por ama s’e fshehu dot që për të, dita e djeshme ishte më e bukura ku performuan me radhë të gjitha grupet e Qarkut të Gjirokastrës”.
“Nga Sazet e Përmetit, te grupi i Kalivaçit e vallet e Dropullit, nga grupi i Picarit tek Ergjeria e Gjirokastrës, grupi i Libohovës dhe i Lazaratit, nga Tepelena në Zagori, grupet e folkut, na kënaqën shpirtin në kalanë e mbushur përplot” tha Kumbaro, teksa e vlerësoi pasuri larminë e folkut të krejt kësaj ane, që siç tha ajo, “më është aq e dashur”.
Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon folklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje./atsh/KultPlus.com