Nata e fundit e ‘ReMusica’ shënoj 250-të vjetorin e lindjes së Bethovenit

22 Shtator, 2020 - 6:18 pm

Udhëtimi në kohë, e vende nga më të ndryshmet që destinacion të parë pati Amsterdamin, shënoi natën e fundit në vendin e lindjes të kompozitorit që la gjurmë në histori, Bethovenit, që shkroi katër notat më të njohura në historinë e muzikës. Ishte pikërisht vendi i vogël i quajtur Münster që në natën e mbrëmshme nderoi jetën që filloi të frymonte dyqind e pesëdhjetë vite më parë, shkruan KultPlus.

Katër karrige, katër performues e tre instrumente të ndryshme, lëvizje të lehta që shënonin hyrjet e daljet e shumta nga skena, nderimi i tyre për një publik të heshtur, i dha sallës së zbrazur, ngjyrat, jetën e shpirtin që pak nga pak mbushnin secilën skutë, e çdo vend bosh.

Koncerti i fundit i ‘ReMusica’ i ishte dedikuar krejtësisht këtij kompozitori të madh, e detyrën për jetësimin veprës e jetës së tij ia kishin besuar Minguet Quartet, kuartetit gjerman që u themelua në vitin 1988 dhe interpretoi pothuajse kudo në botë.

Programi i koncertit ishte i ndryshëm ndër shekuj, ‘Katër kancelarët’ e Johannes Ockeghem na dhanë një gllënjkë të shkollës flamane. Ne nuk dimë aq shumë për jetën e tij dhe ndoshta punimet e tij nuk ishin të shumta por me siguri ai kishte një ndikim të madh në më të njohurin Josquin des Prez.

‘Streichquartett op 131’ dhe ‘Streichquartett op 132’ e Beethoven i bërë rreth viteve 1825-1826 ishin ‘zemra’ e koncertit, shumë mirë të luajtur.

Këto vepra i përkasin fazës së vonë të jetës së Beethovenit dhe ato tregojnë humbjen e strukturave tipike të njohura. ‘Ave Maria’ ishte një zgjedhje e guximshme, që nuk është aq e zakonshme ta dëgjosh në një koncert.

E fundit por jo më pak e rëndësishmja, ‘Mit innigster Empfindung’ nga Ardian Halimi, kompozitor i ri dhe i talentuar kosovar i formuar në Gjermani që me pjesën e tij, premierën botërore të porositur nga ReMusica, i dha një prekje bashkëkohore koncertit.

Në një postim në Facebook Halimi ka shkruar se titulli i veprës së kompozuar nga ana e tij, përmban një citat nga kuartetet më të mira të Beethovenit.

“Titulli i veprës është një citat nga njëri prej kuarteteve më të mira të Beethoven-it. Vepra ime përmban gjithashtu edhe referenca të tjera nga kuartetet e fundit të mjeshtrit të madh”, ka shkruar kompozitori.

Rrethanat në të cilat ndodhej e bota, detyroi që të gjithë që të mbyllen në një guaskë e të kenë kujdes maksimal. Bota u ndal dhe u krijua një mur, një perde, një ballkon që përfaqëson bashkësinë e rrethit të ngushtë të secilit nga ne. Marsi i këtij viti kishte qenë vula e fundit për të gjitha aktivitetet kulturore.

Ndonëse artistët ndërkombëtar nuk mund të vinin në Prishtinë, ishte festivali “ReMusica” ai që udhëtoi tek artistët dhe vendet e tyre. Sallat e mahnitshme të Amsterdamit, Austrisë, Gjermanisë, Francës e Prishtinës, ishin nikoqir i koncerteve për katërmbëdhjetë netë, për aq sa zgjati ‘ReMusica’.

Drejtoresha e këtij festivali Donika Rudi ka treguar se edicioni i sivjetmë ka shënuar një vit të suksesshëm me një rrufe koncertesh dhe me interpretime te mrekullueshme. Sipas saj pandemia ka ndikuar që ti bëjë njerëzit të jenë më afër njëri tjetrit dhe të punojnë bashkërisht, për edicionin që mbante emrin e shpresës.

“Përgjithësisht ky vit ka qenë një vit i suksesshëm dhe patëm një rrufe koncertesh fantastike me interpretime të mrekullueshme, duke filluar nga hapja me kuartetin Ebonit Saxophone Quartet që dhanë koncertin nga Concertgebouw Amsterdam, ansamblin atraktiv nga Austria Trio Klavis, dyshen e jashtëzakonshme Jeremy Jouve dhe Pierre Fouchenneret që na mrekulluan me interpretimin e tyre direkt nga Parisi, pastaj koncertet me artistët kosovarë Visar Kuci & Lirika Pula Kasapolli, Besa Llugiqi & Misbah Kacamaku, artistët e rijnë nga Kosova ‘Skena e Re;  dhe si përfundim koncerti i mrekullueshëm me ansamblin shume serioz nga Gjermania Minguet String Quartet”, ka thënë ajo.

ReMusica sivjet po ashtu ishte pjesë e nismës së quajtur Festivals for Compassion, që në thelb ka bashkëpunimin mes festivaleve të muzikës si përkrahje për krijimtari në kohën e pandemisë, duke interpretuar veprën e kompozitores holandeze Calliope Tsoupaki, e cila ka marrë rrugën drejtë tanimë 54 festivaleve me nam në botë./ KultPlus.com

Të ngjajshme