Nata e parë e ‘DAM Fest’ sjell interpretimin e mahnitshëm të kuintetit të harqeve “Wiener Kammersymphonie”

25 Qershor, 2022 - 10:05 pm

Kuinteti i harqeve ‘Wiener Kammersymphonie’ mbrëmë ka mbushur plot hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, duke mbledhur rreth vetes një numër të madh të artdashësve të cilët patën rastin të përjetojnë magjinë e dy violinave, violës, violonçelos si dhe kontrabasit që nën kontrollën e instrumentistëve të mahnitshëm, sollën një program tejet interesant në natën e parë të Festivalit Dam, shkruan KultPlus.

Kësaj here, Biblioteka Kombëtare e Kosovës u shndërrua në shtëpinë e dytë të këtij festivali. Me karrige të vendosura në formë rrethore, gjithsej pesë reflektorë sipër katit të tretë që binin pingul mbi hapësirën ku instrumentistët performojnë si dhe perdet e zeza në prapavijë, u vu në pah edhe loja madhështore e këtij kuinteti të harqeve, anëtarët e të cilit dëshmuan për një talent të pakrahasueshëm.

Mbrëmë pesë instrumentistët interpretuan një program të përbërë nga kompozitorët e njohur si: Stefan Pelzl, Valton Beqiri, Erich Wolfgang Korngold dhe Joseph Haydn. Herë në nota të lehta e herë në më të rënda, atmosfera u pushtua vazhdueshëm nga lëvizjet e pandalshme të instrumentistëve Liuba Kalmykova, Estelle Weber, Giorgia Veneziano, Sergio Mastro dhe Damian Posse, tek të cilët dallohej një passion i zjarrtë për interpretimin e secilës vepër.

Po ashtu veprat si: “Portret në tri ngjyra”, “Augment”, “Marchenbilder” si dhe “Simfonia Nr.82 në C-dur ‘Ariu’”, mbrëmë u shpalosën me një mprehtësi të paparë. Po të vëzhgoje duart, krahët dhe gishtërinjtë e secilit instrumentist, atëherë të krijohej një imazh se ata po fluturonin, teksa meloditë dhe tingujt e pastër thjesht po krijonin një magji të vazhudeshme që nuk dinte të përfundonte aspak.

Përgjatë pothuajse një ore, këto vepra kanë lënë gjurmë të dukshme në kujtesën e gjithsecilit. Interpretimi i tyre zgjoi mjaft emocione në publik me ç’rast edhe shikimi dhe vëmendja e të pranishmëve ishte direkt e përqendruar tek lëvizjet e tyre, komunikimi dhe harmonia që shfaqej ndërmjet si dhe precizitetit të këndshëm që ata sollën nëpërmjet melodive unike.

Kështu krejt në fund ishte vetë publiku ai që me duartrokitje të vazhdueshme ka falënderuar kuintetin e harqeve për rëndësinë dhe përkushtimin që ia kanë dhënë natës së parë të këtij edicioni të Festivalit Dam. Me pasimin e secilës duartrokitje, audienca e riktheu kuintetin edhe njëherë në skenë, për të përfunduar këtë mbrëmje me një vijë melodike sa të butë në ndjesi aq edhe të shpejtë dhe saktë në interpetim.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth këtij koncerti dhe përshtypjeve të tij, për KultPlus foli kompozitori Valton Beqiri.

“Në fakt vepra ka qenë për kuartet harkor por është zgjeruar për këtë rast edhe me kontrabas, natyrisht duke plotësuar dhe duke ndërruar rolet e instrumenteve. Megjithatë, mendoj që për kompozitorët e rinj, ardhja e ansambleve të ndryshme nga Evropa dhe bota, është një rast i mirë që të dëgjohen veprat tona por edhe të kemi komunikim mes artdashësve dhe artistëve nga e gjithë bota”, thotë Beqiri.

Sipas tij, festivalet e ndryshme po luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në kultivimin e vlerave muzikore dhe fuqizimin e jetës kulturore por edhe në interpretimin e veprave të kompozitorëve të ndryshëm në kuadër të programeve të tyre.

“Realisht vepra është ndër të rrallat që nuk ka shumë ritëm autokton ashtu siç karakterizohen veprat  e mia, por megjithatë ka temperametin tim si autor. Natyrisht edhe vetë instrumentisët treguan që e kanë pasur mjaft sfiduese veprën time ngase janë të panjohura për ta. Unë dua t’i falënderoj ata që kanë luajtur veprën time dhe shpresoj që do të rikthehen edhe me vepra të kompozitorëve të tjerë”, përfundon Beqiri.

Po ashtu instrumentisti Sergio Mastro për KultPlus ka shprehur emocionet e tij në kuadër të interpretimit të tij së bashku me kuintetin.

“Ne vendosëm të performojmë programin tipik austriak me dy kompozitorë bashkëkohorë nga Austria dhe një nga Kosova për të krijuar një lidhje me këtë festival. Ne ishim shumë të kënaqur me kompozitorin kosovar dhe vepra tingëllonte si një muzikë popullore nga ky vend. Ishte një eksperiencë shumë e këndshme për ne sepse ishte diçka e re. U argëtuam shumë. Është hera jonë e parë me këtë festival dhe kemi punuar shumë për këtë”, thotë Mastro.

Organizatorja e këtij festivali, Rreze Kryeziu gjithashtu tregoi për gjithë përgatitjet për këtë festival si dhe ndjesitë që ka marrë pas natës së parë.

“Derisa fillon koncerti ne normal që kemi adrenalinë më të madhe sesa në netët e tjera andaj edhe shumë rrallë ndodh që të shijojmë koncertin siç duhet, por sonte ishte krejtësisht ndryshe dhe me të vërtetë e shijova jashtëzakonisht shumë. Natyrisht që para se të ftojmë ndonjë asnambël, hulumtojmë dhe ne e kemi ditur nivelin e tyre të lartë profesional por sot fatmirësisht talenti i tyre u dëgjua edhe nga publiku kosovar sepse me të vërtetë ky ansambël është njëri ndër më të mirët në skenën evropiane dhe më gjerë”, thotë Kryeziu.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 03 korrik ku publiku do të ketë mundësi të shijojë koncerte të artistëve nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com

Të ngjajshme