17 Shtator, 2020 - 1:05 pm
Suada Qorraj
Një ambient ndryshe nga të tjerët, pa dritat e një salle, hapësirat e ngritura e të ulura të saj, por që në vete mbante histori, talente, kohë triumfi e rënieje, Muzeu Kombëtar ‘Jean-Jacques Henner’ në Francë u bë nikoqiri i natës së pestë të udhëtimit të magjishëm të ‘ReMusica’, shkruan KultPlus.
Dy karrige, muret e kuqe me piktura, instrumentet dhe talenti i tyre i jashtëzakonshëm, kaq ju mjaftoj Jérémy Jouve dhe Pierre Fouchenneret që brenda gjashtëdhjetë minutash të sjellin një botë krejtësisht ndryshe, të përcjellin emocion në secilin tingull që nxirrnin instrumentet e tyre, kombinimin më të bukur të kitarës e violinës.
Nata filloi nën tingujt e ‘Sonatës op 5 n 11’ të kompozitorit italian të periudhës së Barokut, Arcangelo Corelli, muzika e të cilit u bë thelbi i zhvillimit të zhanreve moderne të sonatës dhe koncertit.
Muzikologu Manfredo Gambino, në tekstin e tij ‘Arti në Art’, kushtuar interpretimit të mbrëmshëm të bërë në “ReMusica” ka shkruar se skenografia e koncertit do të ishte e mjaftueshme për të shijuar interpretimin, por kur performues janë Jérémy Jouve dhe Pierre Fouchenneret atëherë kombinimi bëhet edhe më i përsosur.
“Skenografia e mrekullueshme e koncertit do të ishte arsye e mjaftueshme për t’u ulur dhe për të shijuar koncertin, por nëse performuesit janë: Jérémy Jouve (kitarë) dhe Pierre Fouchenneret (violinë) kombinimi bëhet edhe më i përsosur”, ka shkruar ai.
Ndonëse planet ishin që të vinte dhe të interpretonte në Prishtinë, për kitaristin Jérémy Jouve mundësia që “ReMucia” ju dha, pra të interpretonin në muzeun e bukur të Francës, dhe të mbanin të gjallë ReMusicen ishte një ndjenjë e bukur.
“ReMusica na dha këtë mundësi për të luajtur një koncert në video, për festivalin. Në të vërtetë ne ishim shumë të lumtur që ndjenim një dëshirë kaq të fortë nga Donika Rudi për ta mbajtur gjallë festivalin, dhe për ta bërë të mundur këtë moment krijues dhe muzikor edhe në distancë, pa marrë aeroplanin!”, tha ai për KultPlus.
Ashtu si çdo herë tjetër, në ReMusica nuk kishte si të mungonin veprat premierë të kompozitorëve më të shquar shqiptar. ‘Viotar’ tingëlloi zëshëm, nën çatinë e muzeut ‘Jean-Jacques Henner’. E kompozuar brenda tre netëve, vepra e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, ishte ndërtuar mbi motive shqiptare.
Aliçkaj ka treguar se kur kishte dëgjuar instrumentistët teksa luanin në instrumentet e tyre ishte ndjerë i frymëzuar që të kompozonte një vepër enkas për ta. Madje ai ndjehet i entuziazmuar për faktin që vepra e tij është interpretuar në Francë.
“Kur i dëgjova instrumentistët në YouTube ata ishin shumë të mirë dhe kjo ishte një shtytje më e madhe, një inspirim më i madh për të shkruar një vepër enkas për ta. Është një ndjenjë e mirë që kjo vepër në kuadër të festivalit ReMusica do të interpretohet në Francë”, ka thënë kompozitori.
E për veprën e shkruar nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj nuk munguan as fjalët e Manfredo Gambino, i cili tha se kompozitori kishte bërë një punë shumë të madhe e madje të shkëlqyeshme për tingujt që jehuan në muzeun e Francës.
Krahas veprës premier të Aliçkaj, pjesë e programit të mbrëmshëm ishte edhe kompozimi i Rafet Rudit ‘Petit Suite Pour Guitare’, historia e së cilës mbanë të veçantën brenda vetes. Vepra është kompozuar gjatë kohës sa Rudi ishte student në Paris e së bashku me kitaristin Ehat Musa, të cilit edhe i dedikohet vepra.
Rudi rrëfen me nostalgji për kohën kur kjo vepër filloi të luhej për herë të parë. Sipas tij ishte Ehati ai që e popullarizoj atë në shumë vende të botës. Ai ka shtuar se ‘Petit Suite Pour Guitare’, bënë pjesë në numrin e madh të veprave që ai kishte kompozuar për kitarë.
“Ehati këtë vepër e ka luajtur dhe popullarizuar me shumë sukses në shumë vende të botës. Në këtë periudhë (fjala është për vitet ’80-ta), kjo është vetëm njëra prej shumë veprave që unë kam kompozuar për kitarë”, ka pohuar kompozitori.
Por historia e kësaj vepre nuk përfundon këtu, ajo në vitin 1985 është zgjedhur si vepër e obligueshme në Konkursin Ndërkombëtar të Kitarës në Beograd, me çka partitura e saj është shpërnda dhe luajtur prej kitaristëve të shumtë, të shumë vendeve të botës si Japonia, Argjentina, Kuba, Amerika, Australia, Korea por edhe shumë vende të Evropës. Kurse në vitin 1987 shtëpia e njohur e Parisit Transantlantique e boton po këtë vepër në kuadër të përmbledhjes Muzika Kontemporane e shekullit të 20-të, me çka ‘Petit Suite Pour Guitare’, vazhdon rrugëtimin e saj nëpër botë.
Kitaristi Jouve u shpreh i lumtur me faktin që pati fatin që të punonte me veprën e kompozuar posaçërisht për natën e mbrëmshme nga Krehnik Aliçkaj. Ai gjithashtu vuri në pah interpretimin e tij solo, të veprës së kompozuar posaçërisht për kitarë nga Rafet Rudi.
Krejt në fund Jérémy Jouve tha se ‘ReMusica’ kishte ngallur në të një energji mahnitëse dhe frymëzuese ani pse kishin luajtur për një publikë të padukshme.
“Ndjenja e një energjie kaq të mirë nga festivali i cili mund të caktonte të gjitha ato koncerte mahnitëse, ishte frymëzuese për ne edhe përkundër faktit që do të luanim pa publik prezentë (përveç stafit teknik!). Ne e mbajtëm në mendje publikun e ReMusica, kjo ishte një përvojë me mbingarkesë. Shpresojmë që publiku të shijojë muzikën që kemi interpretuar për ta në Paris”, përfundoj kështu intervistën Jovue.
Përfundimi i natës së mbrëmshme u shënua nën tingujt e këngës së tradicionale venedikase ‘La barcarola’, një nga veprat më të preferuar të Janques Henner./ KultPlus.com