12 Shtator, 2020 - 11:44 am
Dritat u ndezën në sallë, skena ku do të performonin tashmë ishte nën prezencën e tyre, por përballë tyre, si asnjëherë më parë, qëndronte vetëm audienca virtuale. Një sallë e heshtur, që mbushej vetëm me melodinë e bukur të kombinimit violinë, saksofon e piano, Trio Klavis dhuruan performancën e magjishme në natën e tretë të Festivalit ReMusica, shkruan KultPlus.
Treshja nga nga Lorely Saal në Vjenë kanë vendosur edhe emërtimin ta kenë nga instrumentet me të cilat kanë shëtitur skenat e ndryshme botërore. ‘’Kla’’ për piano të cilës i jep gjallëri Sabina Hasanova, ‘’Vi’’ për violinën të cilës i fal ndjenjë Jenny Lippl dhe ‘’s’’ për saksofonin të cilën e bën të mrekullueshëm performanca e Miha Ferk.
Në natën e tretë të edicionit të 19-të të Festivalit ReMusica Trio Klavis i falën ritmin e tyre veprave të njohura botërisht të Moxartit, Marc Eychennit, Astor Piazollës dhe Miha Ferkut. Vepra këto që nën duart e Trio Klavis-it, bënë që ajo sallë e zbrazur të frymonte ndryshe, të jetësohej përmes tingujve të mrekullueshëm që dilnin qetësisht nga instrumentet e tyre.
Ata veçuan Kegelstatt Trio-3rd Movement të Moxartit, për të cilën treguan se kompozitori i famshëm botëror e kishte shkruar enkas për shokët e tij të ngushtë, teksa ‘’kegelstatt’’ kishte kuptimin e lojës që ata e luanin shumë, bowling.
Trio Klavis tregoi për KultPlus se ishte një eksperiencë e re për ta, pasiqë për herë të parë po performonin pa audiencë dhe pa energjinë që marrin nga ajo. Mirëpo, siç deklaruan tutje, ata e menagjuan këtë situatë mjaft mirë, ku nga fillimi deri në fund u shndërruan në një lloj energjie për njëri tjetrin, teksa do të dëshironin të sjellnin muzikën e tyre drejtpërdrejtë për publikun e Kosovës.
‘Mundësia e performimit ishte një rreze drite për ne në këtë kohë të çuditshme që është kaq e vështirë për të gjithë. Kështu ishte me një buzëqeshje dhe një lot në të njëjtën kohë, emocione shumë të forta dhe të komplikuara. Shpresojmë se do të luajmë në Prishtinë edhe një herë në të ardhmen’’, shprehet për KultPlus violinistja e Trio Kalvis, Jenny Lippl.
Tutje ata tregojnë se ndjehen krenarë dhe të lumtur për të marrë pjesë në një Festival të tillë, që është kaq i guximshëm për të vazhduar me koncerte në një mënyrë jo-tradicionale, gjë që e bëri moto të saj përhapjen e shpresës përmes muzikës.
Përveç veprave të huaja, ReMusica në këtë natë u bë nikoqir edhe i veprave të kompozitorëve shqiptarë. Vepra me premierë botërore e cila u kompozua enkas për këtë Festival, ‘’Quest’’ nga Valton Beqiri dhe vepra e cila erdhi si piano solo, ‘’Dream’’ nga Artan Hasani u bënë gërshetim i sallës së huaj dhe veprës vendore, duke i dhënë kështu kësaj nate një atmosferë që do të mbahet mend gjatë.
Drejtoresha e Festivalit ReMusica, Donika Rudi shprehet se ndjehet e lumtur për paraqitjen me shumë precizitet dhe emocion të Trio Klavis, teksa shpreh rëndësinë e veprave nga kompozitorët shqiptarë për këtë Festival.
‘Kishim kënaqësinë që në kuadër të këtij koncerti t’i kishim dy vepra nga kompozitorët kosovarë. Ju e dini se gjithmonë në koncertet tona të ReMusicas, kujdes të veçantë kemi ndaj kompozitorëve vendor. Sivjet, kjo është më e theksuar, ngaqë koncertet po mbahen në vende të ndryshme nëpër Evropë, përfshirë edhe Kosovën’, potencoi për KultPlus drejtoresha Rudi.
Nata e tretë e këtij Festivali solli në skenë magji, ku përmes tingujve e notave të instrumenteve, secila skutë e asaj salle përcillte një art madhështor në shtëpinë e secilit. /medinapasoma/ KultPlus.com