Nata e tretë në RLIOF shpalosi madhështinë e muzikës shqipe, dedikim ndaj ikonës Nexhmije Pagarusha

27 Korrik, 2022 - 7:00 pm

Era Berisha

Arta Jashari, Zana Abazi, Mirlinda Koci, Klodjan Kaçani, Armand Likaj, Granit Musliu dhe Mennan Bërveniku kanë sjell mbrëmë një natë që gjurmët e saj i ka lënë të pashkoqitura nga kujtesa e gjithsecilit. Me një repertor të mrekullueshëm dhe vepra që erdhën për herë të parë në skenën tonë, nata e tretë në kuadër të “Ramë Lahaj International Opera Festival”, ka krijuar një urë lidhëse mes zërave sa të ndryshëm aq edhe energjik, që me fuqinë dhe vrullin e tyre jo të zakonshëm, kanë mbështjellë këtë natë që vjen dedikim ndaj ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

Fillimisht, ajo se çka dallohej qysh në hyrje të këtij koncerti ishte numri tejet i lartë i të pranishmëve të cilët kanë mbushur sallën qosh më qosh. As karriget e shtuara në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare nuk mjaftuan për t’i ulur të gjithë të pranishmit. Ndonëse qëndrimi në këmbë është tejet i lodhshëm, ishte publiku në pjesën e fundit ai që qëndroi nga nisja e këtij koncerti e deri në fund. Ndërkohë, nata e tretë e këtij festivali ka sjellë edhe disa ndryshime të vogla por që patën efektin e tyre. Reflektori në ngjyrë rozë në prapavijë veçse i ka shtuar hijeshi skenës, ndërkohë reflektorët në ngjyrën e portokalltë dhe verdhë që ishin të vendosura anash përgjatë hapësirës, i kanë dhënë një llojllojshmëri të bukur, dukjes në sallë. Në anën tjetër, ishin dritat e ngrohta përballë skenës dhe ato anash që kanë ndriçuar akoma më shumë vendin duke bërë që edhe veshjet e secilit interpretues të duken të mahnitshme.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se kjo natë do ta ketë një repertor të mahnitshëm që publiku do ta shijojë.

“Jemi me të vërtetë të lumtur që sot e nderojmë një këngëtare e cila përfaqëson jo vetëm artin e të kënduarit por artin e magjisë së zërit të saj dhe gjithçkaje që ajo përfaqëson. Jemi të kënaqur që në këtë mbrëmje përveç të gjithave, festojmë sot edhe përvjetorin e kompozitorit Çesk Zadeja. Për nder të tij, për herë të parë në skenën tonë do të kemi prezantimin e një mori veprash që interpretohen nga artistët tanë të mrekullueshëm, zëra që përfaqësojnë denjësisht vendin tonë. Do të shijoni një larmi shumë të madhe të veprave që i përkasin këtij repertori shqiptar”, thotë ajo.

Të pranishmit dukshëm ishin të entuziazmuar për programin e veçantë që kishin mundësi ta shikonin ende pa nisur koncerti. Ndërkohë, para se melodia e parë të jehonte nëpër zemrën e secilit, ishte skena ajo që mori vëmendjen e plotë. E mbushur me mikrofona të ndryshme e të nevojshme për audion perfekte dhe pianon bardh e zi të vendosur sipër, skenës tash i mungonin vetëm artistët shqiptarë dhe zërat e tyre buçues dhe diversiv.

Ishin 17 vepra që absolutisht kanë përthekuar këtë natë me magjinë që sollën nga momenti në moment. “Eja vashë”, “Romancë”, “N’mes dashurive”, “O ju male t’nalta”, “Mori e bukura e mërhitur”, “Kjo shtëpi me ballë në erë”, “Te kroni”, “Ndalu që të flasim”, “Doli dielli doli hana”, “Dy kupa”, “Aria e Kalorit”, “Oh ky tregim…”, “Zemër e dashur”, “Djaloshare”, “Mall”, “Fjalët e qiririt” “Aria e Plakut flokëbardhë”, erdhën njëra pas tjetrës dhe me to së bashku u shfaq edhe diversiteti i mahnitshëm i zërave të artistëve, intensiteti i së cilave ka dalë edhe jashtë katër mureve.

Sopranoja Arta Jashari, sopranoja Zana Abazi, sopranoja Mirlinda Koci, tenori Klodjan Kaçani, baritoni Armand Likaj, tenori Granit Musliu si dhe pianisti Mennan Bërveniku kanë ndezur flakë skenën me interpretimin e tyre të një repertori krejtësisht të mbushur me vepra shqiptare. Veprat e kompozitorëve si: Lola Gjoka, Çesk Zadeja, Prenk Jakova, Zef Çoba, Avni Mula, Endri Sina, Rauf Dhomi, Tonin Harapi, Pirro Çako e Limoz Dizdari, kanë ardhur në një mënyrë që as s’do përshkrim. Mjaftonte të dëgjoje ritmin në publik që herë pas here i bashkëngjitej tekstit të secilës këngë, për të kuptuar se ky koncert ka përçuar emocione të jashtëzakonshme.

Herë në dyshe e herë në solo, mbrëmja kulmoi me kryevepra të njëpasnjëshme. Dukja mbresëlënëse e tri sopranove si dhe prezenca skenike që dy tenorët, baritoni dhe pianisti posedonin, kanë bërë që çdo tingull e çdo melodi të bëhej dyfish edhe më e bukur e të ndjehej akoma edhe më shumë. Lëvizjet e duarve të tyre, lëvizjet e kokës në kahje të ndryshme në një gërshetim të pakrahasueshëm me vijën melodike që pianisti e sillte vazhdimisht në një mënyrë të pashoq, ka dëshmuar se skena kulturore në Kosovë ka një dashuri e pasion të paepur për mbrëmje të mirëfillta klasike.

Edicioni i dytë i këtij festivali dukshëm ka sjellë surpriza unike kësaj here, dhe mbrëmja e ditës së djeshme qe e tillë. Interaktiviteti mes artistëve, zërat gërshetues të tyre dhe shikimet e ëmbla që pasonin në skenë, ishin vetëm disa nga copëzat magjepsëse që këtë natë e bënë aq të afërt e aq të ngrohtë për audiencën. Dëshmi për këtë ishin edhe duartrokitjet e shumta e të zgjatura pas secilës këngë, e herë edhe ato që lëshoheshin pak para se kënga të gjente fundin e saj.

Krejt në fund, ishte tenori Ramë Lahaj që njëkohësisht është themeluesi i festivalit ‘RLIOF”, si dhe sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi, ata të cilët iu bashkëngjiten skenës për të lënë gjurmën e fundit për këtë natë. Vepra “Lule Borë” nga gjithsej tetë artistë ngriti publikun në këmbë për një përmbyllje sa të lezetshme aq edhe të fuqishme. Fishkëllimat e zgjatura në shoqërimin e duartrokitjeve nga ana e publikut, ishin ato që dëgjoheshin më së shumti e kjo veçse solli edhe buzëqeshjet e artistëve në skenë, si një sinjal që puna e tyre e palodhshme do të mbetet gjithmonë e vlerësuar dhe do të mbahet mend përherë.

Baritoni Armand Likaj për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.

“Duke dashur dhe duke vlerësuar këtë festival operistik, për mua ishte një mbrëmje dhe eksperiencë shumë e bukur. Duke parë investimin që është bërë, duke parë angazhimet e një stafi fantastik, realisht më jep këtë përgjegjësi për të realizuar një koncert të tillë që besoj se treguesi më i mirë për këtë ishin duartrokitjet e publikut. Jam ndjerë gjithmonë mirë kur është përmendur emri i Nexhmije Pagarushës dhe unë kam pasur fatin dhe e them me krenari që e kam njohur edhe nga afër. E mbaj mend që diku duhet ta kem të regjistruar nga Akademia e Shkencave të një koncerti, përqafimin e saj që të ngroh”, shpalos Likaj.

Sipas tij, ai sa më shumë po rritet profesionalisht, po kupton vlerën e mirëfilltë të artit tonë dhe muzikës së artistëve shqiptarë.

“Unë mbrëmjen e hapa me një baladë të të madhit, profesorit tim Zef Çoba, pastaj kur interpretova pjesën e dytë ishte romanca aq e bukur, aria “Dasma arbëreshe” e po një emrit të madh siç është Rauf Dhomi, pastaj edhe dueti aq i dashur i Prenk Jakovës me sopranon Arta Jashari, dhe krejt në fund ishte vepra pak e dhimbshme por kështu ishte ideja e organizimit. Prania e shumë artistëve që sot përfaqësojnë Kosovën kudo në botë është e bukur dhe pa diskutim që ishim të nderuar gjithsecili nga ky publik e sidomos nga ata që qëndruan në këmbë për një kohë të gjatë dhe për këtë mendoj që duhet një vullnet i lartë e një dashuri që ky popull e ka dhe prandaj ky popull meriton shumë”, përfundon ai.

Po ashtu, tenori Granit Musliu tregoi rreth ndërveprimit me artistët e tjerë në këtë mbrëmje.

“Ka qenë një mbrëmje fantastike dhe të gjithë artistët jemi ndjerë shumë mirë. Është gjithmonë kënaqësi e madhe për të kënduar para një publiku shumë të ngrohtë kosovar dhe jemi shumë të lumtur që ky festival gjendet në Kosovë dhe fton artistë nga Kosova që të kthehen e të këndojnë për publikun e Kosovës në skenën kosovare. Me të gjithë artistët njihem personalisht dhe jam shumë i lumtur që të ndaj skenën me ta. Mbrëmja u bë edhe më e mirë sidomos kur kemi kënduar këngën e fundit por kryesisht veprat kanë qenë të kompozitorëve shqiptarë dhe natyrisht që është kënaqësi që të këndoj në gjuhën time. Zërat kosovarë dhe shqiptarë gjithmonë më kanë lënë përshtypje dhe e di që Kosova dhe Shqipëria ka zëra shumë të bukura e njëlloj vlen edhe për muzikantët. Fatkeqësisht kushtet nuk janë ideale mirëpo për mua kjo mbrëmje ishte një veçanti e madhe e sidomos duke pasur parasysh repertorin e mahnitshëm” , ka thënë ai.

Gjithashtu, sopranoja Mirlinda Koci ka thënë se është ndjerë e lumtur që ka kënduar në këtë natë dedikuar ndaj Nexhmije Pagarushës.

“Kjo mbrëmje ishte një ndjenjë shumë e veçantë. Jam shumë e lumtur që këndova sonte në natën e Nexhmije Pagarushës e sidomos edhe kur këndova vepra shqipe. U gëzova shumë për faktin që performova në mesin e artistëve shqiptarë të njohur. Pjesa ime e parë ka qenë që mua më ka fjet në zemër qysh prej kur kam filluar ta studiojë por gjithashtu edhe vepra “Fjalët e qiririt” që e këndoj kolegu Klodjan ishte shumë e veçantë. Sonte më ka lënë përshtypje publiku që ka qenë një numër i madh dhe kur dola për herë të parë në skenë, jam befasuar shumë dhe jam ndjerë shumë mirë që muzika klasike ndiqet dhe nga publiku”, thotë Koci.

Ndërsa, sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi ka thënë për KultPlus se mbrëmje ishte një mrekulli më vete.

“Koncerti sonte ishte shumë i mirë. Ishte e mrekullueshme të shohësh shoqërinë tënde duke performuar në skenë e sidomos në pjesë shqiptare, kështu që jam ndjerë shumë bukur. Të gjitha veprat e interpretuara ishin shumë të mira dhe mua personalisht më pëlqeu shumë interpretimi i Zanës, i Mirlindës e natyrisht edhe i Artës. Ishte me të vërtetë një mrekulli dhe besoj që s’ka nder më të madh sesa kjo ndaj Nexhmijes. Vetë fakti që unë vij shumë rrallë në Kosovë, me i taku krejt përnjëherë është një përshtypje shumë e mirë”, ka thënë Kajtazi.

“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 2 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e katërt e këtij festivali vjen më datë 28 korrik nën emërtimin “New Generation” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Të ngjajshme