Nata hapëse e festivalit kulturor Shqipëri-Izrael 2021 ndriçon Tiranën

13 Shtator, 2021 - 5:54 pm

Ngre siparin në Tiranë, festivali kulturor Shqipëri-Izrael 2021.

Muzikë, kërcime ritmike, tinguj të papërsëdytshëm erdhën në sheshin ”Nënë Tereza” nga Klezmer Orchestra, në këtë natë hareje që shënoi fillimin e kremtimit të shkëmbimeve kulturore ndërmjet dy vendeve.

Mbrëmja e djeshme u çel me përshëndetjet e dy anëtarëve të Bordit Honorifik të Festivalit, Avital Leibovich, drejtore e Komitetit Hebre Amerikan (American Jewish Committee) në Jeruzalem dhe të drejtorit të Rabinatit të Shqipërisë, Rabinit Yisroel Finman.

Në fjalën e saj nga Jeruzalemi, Leibovich e vuri theksin te potenciali i madh që mund të eksplorohet në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, duke filluar nga turizmi, teknologjia, marrëdhëniet midis njerëzve, biznesi, arsimi dhe akademia.

Në fjalën e saj hapëse, drejtorja artistike e Festivalit Almira Emiri, theksoi se kjo risi kulturore synon të shndërrohet në një event të përvitshëm dhe se ”frymëzimi i Festivalit është dëshira për të krijuar një platformë shkëmbimesh dhe vizibiliteti që përfaqëson një brand referencë të ekselencës artistike në Shqipëri dhe Ballkan.” Ajo nënvijëzoi se ”arti dhe kultura krijojnë lidhje të forta mes vendeve e popujve përmes urave të komunikimit që ato ndërtojnë dhe përmes kultivimit të njohjes e vlerësimit të ndërsjelltë.”

Ky event përkoi me performancën e parë në vendin tonë të Klezmer Orchestra nga Izraeli.

Zhanri muzikor Klezmer është një nga më të veçantët e kulturës hebraike dhe është një zhanër që ka përtypur shumë elementë nga tradita të tjera muzikore duke përfshirë atë otomane, muzikën baroke, vallet gjermanike dhe sllave, si dhe muzikën fetare hebraike. Klezmer Orchestra përbëhej nga drejtuesi i grupit Gershon Leizerson, nga Aria Shifman, David Wiesel, Itay Dayan, Regev Baruch, Yehuda Fogel.

Pjesë e mbrëmjes ishin dhe këngëtarja nga Kosova Vesa Smolica dhe Agron Peni Band, të cilët performuan një repertor këngësh shqiptare për publikun e gjerë të mbledhur në këtë atmosferë festive.

Më herët, si pjesë e Festivalit, u hap ekspozita me piktura ”Streha” e artistit të talentuar Arben Golemi – ekspozitë që do jetë e hapur te Muzeu Historik Kombëtar për publikun e gjerë shqiptar deri në datën 20 shtator. Leibovich, duke komentuar punimet e Golemit, u shpreh se arti i tij përcjell ”teknika unike dhe të ndryshueshme, të pakrahasueshme me asnjë stil tjetër”.

Festivali kulturor Shqipëri-Izrael mbështetet nga Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Jashtme e e Shqipërisë, Ambasada e Izraelit në Tiranë, si dhe Komiteti Hebre Amerikan dhe Kongresi Hebre Amerikan./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme