Natë magjike me ansamblin polifonik “Saz’iso” në Vjenë

2 Dhjetor, 2018 - 3:00 pm

Këngët flasin për gëzimin dhe dhimbjen, dashurinë dhe humbjen, heroizmin dhe tragjedinë.

“Tana” është një këngë e vjetër që flet për një bari, tufa e të cilit është vjedhur nga disa banditë, të cilët ia plotësojnë dëshirën që të luajë në flaut për herë të fundit para se ta vrasin. Melodia vajtuese përcjell fatin e tij të tmerrshëm tek më të dashurit e tij poshtë luginës.

Ndër këngët e tjera, janë ato që lidhen me storiet e partizanëve që luftojnë kundër pushtuesve të huaj dhe për burrat që detyrohen të nisen në kërkim të punës duke lënë prapa gra dhe familje të pikëlluara, një temë që përsëritet në muzikën shqiptare edhe në ditët e sotme.

Ansambli “Saz’Iso”, është krijuar nga producenti i njohur, 70 vjeçari, Joe Boyd, i cili ka bashkëpunuar dikur edhe me Pink Flloyd. “Saz’iso” është grupi i parë muzikor shqiptar që ka zhvilluar turne zyrtarë në Britani dhe ka qenë i ftuar për të përformuar edhe në emisionin e famshëm televiziv britanik “Later with Jools Holland”. Albumi i tyre titullohet “”At Least Wave Your Handkerchief at Me”.

Grupi përbëhet nga tetë anëtarë dhe artistët e këtij ansambli muzikorë janë: Donika Pecallari këngëtare, Adrianna Thanou këngëtare, Robert Tralo këngëtar, Aurel Qirjo violinë dhe këngëtar, Telando Feto klarinetë, Agron Murat lahutë, Agron Nasi dajre dhe Pëllumb Meta fyell dhe këngëtar.

Këtë mbrëmje muzikore dhe gjithë organizimin e “Javëve të Kulturës Shqiptare” në Austri, e përshëndeten me një fjalë rasti, ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, ai i Kosovës, Sami Ukelli, përfaqësues nga Ministria e Diasporës, kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri, Yll Blakaj, si dhe nikoqiri i mbrëmjes, kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri, Ermal Vejsa, shkruan albinfo.ch.

“Javët e Kulturës Shqiptare” në Austri kanë filluar nga data 13 nëntor dhe të zgjasin deri me datën 8 dhjetor./ KultPlus.com

Të ngjajshme