7 Dhjetor, 2023 - 2:56 pm
Juria e konkursit për kompozitorët e rinj që mban emrin e nderuar të prof. Çesk Zadejës (themeluesit të katedrës së kompozicionit dhe të parimeve të shkollës kombëtare në muzikë), në edicionin e dytë ndau vlerësimet për 3 fituesit.
Juria përbëhej nga prof. Mauro Cardi-kompozitor, konservatori “Santa Cecilia”, Itali, docente Roberta Vacca, kompozitore dhe pianiste pranë konservatorit “Alfredo Cassela”, Itali, Eriona Rushiti, dhe Gert Druga, kompozitor, Shqipëri.
Kryetari i jurisë, akademiku Vaso Tole ndau vlerësimet. Në fjalën e tij në ceremoninë e rastit, Tole theksoi disa elemente të rëndësishëm, si për vetë konkursin, ashtu edhe për pjesëmarrësit dhe fituesit e tij.
“Konkursi për kompozitorët e rinj është përpjekja më serioze që shteti shqiptar, Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit kanë ndërmarrë pas viteve 2000 për mbështetjen e krijuesve të rinj në këtë fushë shumë të rëndësishme dhe njëherazi delikate të krijimtarisë artistike, siç është krijimtaria e re muzikore, pak ose aspak e vlerësuar deri më tani. Aspekti tjetër pozitiv lidhet me faktin që ky konkurs është i hapur për gjithë krijuesit e rinj nga hapësira jonë mbarëkombëtare Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe diasporë, e njëherazi vijueshmëria e tij garantohet nga shteti, duke siguruar jo vetëm prestigjin publik të krijuesve, por edhe vënien e veprave fituese në skenë, kjo si një detyrim që e kanë dhe duhet ta kenë konkurset serioze si ky me emrin e Zadejës së madh”, u shpreh ai.
Tole shtoi se edicioni II mund të thuhet me plot gojën që e konfirmoi nevojën për organizimin e tij, nisur nga fakti i rritjes së numrit të pjesëmarrësve (10 konkurrentë në raport me 5 të tillë në edicionin e parë), e po ashtu, hedhjen e bazave institucionale të organizimit të tij nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (pa përvoja të tilla të ngjashme në të shkuarën).
Emrat e konkurrentëve në garë nuk njiheshin prej Jurisë, pasi secili prej tyre konkurronte në mënyrë anonime brenda kritereve të bëra publike. “Gjykimi i lirë i secilit prej anëtarëve të Jurisë, ashtu edhe shumatorja e pikëve të dhëna nga secili prej tyre sipas procedurës së parashikuar, na krijoi një emërues dhe bindje të përbashkët se cilat ishin veprat dhe autorët fitues, duke përputhur plotësisht cilësinë e 3 veprave fituese me çmimet përkatëse, pa asnjë ekuivok apo mëdyshje, çka dhe po të kishte do të ishte normale”, u shpreh Tole.
Thelbi i vlerësimit fokusohej në evidentimin e atyre veprave që kanë origjinalitet të spikatur, vepra që zotërojnë një nivel të caktuar të teknikave muzikore të lidhura me idenë origjinale kompozicionale të veprës, e po ashtu që kanë dhe shfaqin përpjekje thelbësore për një gjuhë muzikore të përveçme.
Çmimet e edicionit të dytë të konkursit “Çesk Zadeja” janë:
Çmimi i parë i jepet veprës “Spectrum, Harmony, Polyphony”, për orkestër harqesh e Kris Sopiqotit, kompozitor, Shqipëri.
Çmimi i dytë i jepet veprës “Një natë pa gjumë”, për solist dhe orkestër harqesh e Jetmir Zaganjorit, kompozitor, Shqipëri, mbi poezinë e Migjenit. Ky çmim jepet në kuadër të 70-vjetorit të themelimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Çmimi i tretë i jepet veprës “String quartet-Kuartet harqesh” e Fjolla Gashit, kompozitore shqiptare e Kosovës. / atsh / KultPlus.com