15 Qershor, 2021 - 3:14 pm
Era Berisha
Depërtimi i thellë në emocione të papërshkrueshme të cilat janë të vendosura pikërisht në brendësinë shpirtërore, erdhi pikërisht nga mbizotërimi i dy zërave të njohur shqiptar si: sopranoja Marjana Leka dhe tenori Armaldo Kllogjeri ku së bashku me pianisten kosovare Lejla Pula, mbrëmë atmosfera në Chopin Piano Fest u lëkund në madhështinë hyjnore të melodive dhe kompleksitetin e magjishëm të ndërlidhjes së interpretimit instrumental dhe vokal me ç’rast performimi në romancat, ariet, duetet operistike si dhe këngët e bukura shqipe përcollën ndjenja të fuqishme, energjia e së cilave la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e të pranishmëve, shkruan KultPlus.
Tash e katër net, Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare ka mbledhur rreth vetes një numër të madh artdashës të muzikës klasike. Skena që veçse është e njohur për publikun, dje erdhi me disa ndryshime të vogla. Njëra nga dritat e ngrohta që zakonisht është e vendosur në skajin e majtë të sallës tani qëndronte mbi skenë për të vënë në pah ende më shumë lojën mjeshtërore të pianistes Lejla Pula. Kurse, dritat ngjyrë vjollcë dhe lulet shumëngjyrëshe në skenë ishin dy veçanti që i shtonin një hijeshi unike ambientit.
Po ashtu, për të pranishmit prezent ishte edhe një libër që përmbante fakte dhe informacione tejet të veçanta për pjesëmarrësit në edicionin e 11-të të Chopin Piano Fest. Andaj, para se koncerti të fillonte, publiku pati rastin që të informohet rreth atyre që pas pak do të dilnin në skenë për ta pushtuar atë pa mëshirë me zëra që ngërthenin në vete talentin e mirënjohur të tyre.
Hapjen e festivalit Chopin Piano Fest e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha e cila u shpreh se ndjehet mjaft e kënaqur që mbrëmë atmosfera po ndërronte pak me inkuadrimin e dy zërave që vinin mysafirë nga Shqipëria e bashkë me profesoreshën Lejla Pula. Ajo tutje theksoi se ngjarja është njëra nga eventet që shënon 22 vjetorin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës.
Në skenë me një hijeshi të pakrahasueshme doli pianistja Lejla Pula e cila nisi koncertin me një interpretim pianistik të veprës ‘Vocalise op.34 nr.14’ nga kompozitori i njohur rus Sergei Rachmaninoff. Ky interpretim erdhi si homazh për viktimat e pandemisë dhe dëshmorëve për Çlirimin e Prishtinës e të Kosovës dhe u shoqërua me një heshtje absolute të publikut ku pianistja e gjallëroi kompozimin e shkruar duke i dhënë jetë në skenë. Performimi i saj bëri që të gjitha njohuritë muzikore, vizionin personal të muzikës dhe imagjinatën e njeriut ta rrotullojë vazhdimisht nën zgavrën e melodive dhe tingujve që buronin nga gishtërinjtë e saj.
Luhatjet e vogla të kokës, ritmi dhe dinamika e trupit të pianistes bënin që edhe flokët e saj që ngjasonin me valët e detit të dilnin nga kontrolli dhe së bashku me shpirtin e saj, mbrëmë shpërthyen melodi e tinguj nga ato më të butat e deri tek ato të vrazhdat që vazhdimisht buronin nga çelësat bardh e zi të pianos të cilat për 1 orë e gjysmë u mbizotëruan nga talenti i saj. Përvoja e saj e gjatë në interpretimin pianistik ka kaluar edhe nevojën për hapësirë të nevojshme të frymëmarrjes ku në fakt tërë qenia e saj ishte shndërruar në një frymëmarrje të vetme që i dhuronte frymë secilit nga ne.
Në ndërkohë, ndryshe nga çdo natë tjetër ku tingujt e pianos kanë dominuar netët e festivalit, mbrëmë në skenë për t’iu bashkangjitur pianistes Lejla Pula, doli tenori Armaldo Kllogjeri i cili fillimisht vendosi dorën mbi piano për të krijuar një kombinim ende më të veçantë. Ai solli vepra nga më të ndryshmet që i përkasin kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë duke dëshmuar kështu vlera të larta artistike. Zëri i tij i lartë ishte një zë që këndonte midis baritonit dhe alto dhe që nga fillimi e deri në fund, futi publikun në një lojë vokale ku ai në njëfarë mënyre po shprehte një hidhërim verbalisht dhe njëkohësisht edhe emocione aspiruese.
Notat e tij të larta posedonin një timbër të shkëlqyeshëm dhe e futnin publikun në një drithërimë të papërshkruar. Aftësitë e tij të interpretimit vinin në dy aspekte magjike: tmerruese e të ëmbël dhe gërshetimi i tyre arrinte në një tingëllimë ku emocionet e ftohta therrëse që pasonin nga thellësia e shprehjeve të fytyrës të tij jepnin një iluzion se me zërin e tij të fortë ai mashtronte rrëqethet e trupit të publikut duke i manipuluar ato me meloditë që befas kaplonin atmosferën si një vetëtimë e zhurmshme që vazhdimisht bubullonte në ajër.
Pastaj, eleganca e natës së mbrëmshme erdhi në formë tjetër, ku sopranoja Marjana Leka me një delikatesë të lezetshme hedhte hapat në drejtim të dy talenteve tashmë të pranishëm në skenë. Leka magjepsi dhe joshi publikun me një zë që pothuajse shpoi daullet e veshit të të pranishmëve me mprehtësinë e zërit të lartë që u shpalos jashtëzakonisht bukur. Vokali i saj që herë lëvizte nën butësinë fisnike e herë në një fuqi voluminoze ku karakteristika e veçantë e saj ishte zëri i kristaltë që tërë kohën gozhdoi publikun në vend duke rrëmbyer vëmendjen e tyre për mos ta lëshuar atë gjatë gjithë natës.
Kryevepra e natës së mbrëmshme ishte ndjesia që furishëm depërtoi te publiku i cili nuk pati kohë të rikuperonte veten deri në fund të natës. Kjo ndjesi erdhi nga kënga ‘’Lule borë” nga kompozitori shqiptar Simon Gjoni, një vepër kjo që papritur mahniti rrahjet e zemrave të pranishme duke i futur ato në grackën e melodive të cilat krijuan gulçime tek publiku. Zëri i kombinuar i tenorit dhe sopranos që u shoqërua nga interpretimi pianistik përnjëherë la gjurmë të virtytshme në atmosferë duke sjell duartrokitjet e publikut ende pa mbaruar vepra.
Inkuadrimi i publikut në pjesën e dytë të koncertit ishte një sheqerkë e domosdoshme që u shkri tërësisht në interpretimin e tri talenteve në skenë. Duartrokitjet e publikut në koordinim me rimtin sollën emocione dhe ndjenja që kishim kohë pa i ndjerë thellësisht e për të cilat çdo herë malli rritet e rritet për t’i dëgjuar e përjetuar secilën herë më ndryshe.
Kështu, krejt në fund, vepra e cila përmbylli natën në mënyrë fenomenale ishte kënga ‘’Po t’jemi bashkë ne të dy’’. Kjo këngë e dëgjuar sa e sa herë përmes zërave më të njohur shqiptar, mbrëmë erdhi nga dueti i Kllogjerit dhe Lekës, të cilët portretizuan pikërisht kuptimin e këngës e cila shpalos dialogun mes dy të dashuruarve që ëndërrojnë për bashkim. Interpretimi i tyre i ngrohtë dhe aq i afërt erdhi në një nivel që nuk kishte vend për definim. Emocionet dhe ndjenjat që u ngjallën tek dëgjuesit ishin me të vërtetë madhështore duke verbuar kështu dritën e syve tanë në errësirën shumëngjyrëshe të melodive e tingujve që buronin nga brendësia shpirtërore e tenorit, sopranos dhe pianistes në skenë.
Krahas veprave të kompozitorëve shqiptarë, në skenë u interpretuan edhe disa nga vepra që rrallë dëgjohen nga publiku shqiptar e që janë në kuadrin e nivelit botëror si: ‘’Torno a Surriento’’, ‘’Dicitencello vui’’, ‘’Granada’’, ‘’Sogno’’, ‘’Vorrei morire’’, ‘’E lucevan le stelle”, ‘’Song to the moon’’, ‘’Nessun Dorma’’, ‘’Tace il labbro’’ dhe ‘’Brindisi’’, duke dëshmuar kështu se ndërlidhja e muzikës instrumentale me atë vokale krijuan një natë sublime që vështirë se harrohet dot.
Pas këtyre performancave të shumta ku secila erdhi në një frymë të shquar e ëmbëlsisht trullosëse, duartrokitjet dhe brohoritjet që tashmë ishin pjesë kyçe e atmosferës që nga fillimi i interpretimit të veprave shqiptare erdhën nga publiku i cili në fund u ngrit në këmbë për pesë minuta rresht dhe nuk pushuan së ndaluri interpretimin që u shoqërua me buzëqeshjet e ngulitura në fytyrat e tyre e që ishin të njëjta me ato të tre performuesve të cilët skenën e mbushën me buqeta lulesh të shumta.
Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme, për KultPlus foli sopranoja Marjana Leka, e cila e cilësoi atë shumë të bukur sepse vjen pas një shkëputje jo të shkurtër prej pandemisë.
“Ishte një kënaqësi e vërtetë sepse publiku na priti shumë mirë dhe ne u munduam të japim maksimumin e emocioneve për këtë natë që na kishte munguar kaq kohë. Mua posaçërisht më pëlqeu Rusalka ‘’Song to the moon’’ nga Dvorak por edhe veprat shqiptare”, thotë Leka.
Sipas saj, atmosfera dhe komunikimi me publikun ishte shumë i bukur kurse ajo tashmë numëron disa bashkëpunime me po të njëjtit performues.
“Është gjithmonë bukur të këndosh këtu sepse merr shumë kënaqësi nga publiku”, thekson Leka për KultPlus.
Ndërsa, tenori Armaldo Kllogjeri për KultPlus është shprehur se për të është gjithmonë kënaqësi e veçantë dhe shumë e madhe që të jetë pjesë e aktiviteteve në Kosovë.
“Ishte një publik i këndshëm dhe unë sa herë vij në Prishtinë për të performuar muzikë klasike ndjehem gjithmonë i vlerësuar nga publiku që është shumë entuziast dhe nuk pushon me duartrokitje”, thotë Kllogjeri.
Sipas tij, programi është ndërtuar nga disa pjesë të cilat janë këngë napoletane por ka edhe arie të operave të ndryshme. Andaj, ai i pëlqen të gjitha por ariet janë më të bukura dhe janë më të rëndësishme.
‘’Gjëja më e rëndësishme në këtë aktivitet është që publiku vjen dhe na dëgjon’’, thekson ai.
“Unë në këtë aktivitet do veçoja kultivimin e muzikës klasike dhe për vet faktin e festivalit që neve na bënë pjesë sepse kjo muzikë në Kosovë sa vjen dhe e rigjallëron rininë duke e bërë atë për vete”, përfundon Kllogjeri për KultPlus.
Po ashtu, pianistja Lejla Pula është shprehur se për të kjo natë është një rikthim në skenë pas një periudhe disa vjeçare.
‘’Për mua është një rikthim në skenë pas një periudhe disa vjeçare, përpos pandemisë. Unë për herë të parë performova në këtë sallë dhe jam jashtëzakonisht e lumtur dhe ndjehem shumë e kënaqur që sonte i përjetuam së bashku interpretimet e disa arieve më të bukura dhe më të vështira të literaturës operistike’’, thotë Pula.
Sipas saj, është e vështirë ti ndajë veprat mirëpo ajo i veçoi veprat si: ‘’E lucevan le stelle’’ nga Puccini dhe ‘’Nessun Dorma’’ nga Puccini sepse këto janë thjesht arie aq të njohura dhe më të vështirat që ekzistojnë.
“Për mua personalisht është gjithmonë kënaqësi që të shoqëroj nivelin e lartë të dy artistëve në skenë dhe gjithashtu e kisha një ngarkesë sepse qysh vitin e kaluar unë dëshiroja që ta shënoj 250 vjetorin e kompozitorit Beethoven me interpretimin e një pjese të tij”, përfundon Pula për KultPlus.
Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 12 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e pestë e këtij festivali, vjen më datë 16 qershor ku do të interpretojë pianisti francez Jerome Granjon në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com