29 Tetor, 2021 - 9:00 pm
Këngëtarë e muzikantë të njohur shqiptarë kanë ndezur skenën e Amfiteatrit të Parkut të Liqenit, në një koncert rroku kushtuar grupit të njohur shqiptar të fillimviteve ’90 “Djemtë e Detit” dhe vokalistit të tij, Gent Demaliaj, i cili ndërroi jetë në vitin 2015 pas një sëmundjeje të rëndë.
Koncerti “Rock në Amfiteatër”, solli përmes zërit të emrave të njohur energjinë muzikore të viteve ‘90. Amfiteatri u mbush nga zërat e artistëve Aurela Gaçe, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Gjergj Jorgaqi, Edea Demaliaj, Rezarta Smaja e Mateus Frroku të cilët sollën këngët më të mira rrok të atyre viteve duke emocionuar publikun dhe duke sjellë nostalgji në një mbrëmje të butë vjeshte.
Koncerti u mbajt në nderim të grupit “Djemtë e detit” dhe vokalistit Gentian Demaliaj i cili ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare. Këngëtari nga Lezha kishte pak vite që vuante nga një sëmundje e pashërueshme.
Gent Demaliaj ishte solisti i “Djemve të Detit”, një nga grupet shqiptare të rrokut, krijuar që në vitin 1989 e mbase një ndër më të rrallët e muzikës sonë. / KultPlus.com