18 Prill, 2025 - 9:56 am
Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 18 prill, duke filluar nga ora 19:30, do të mbahet koncerti që sjell për herë të parë në vend veprën St Mark Passion, BWV 247, e rekonstruuar nga Jörn Boysen, në 340-vjetorin e lindjes së Johann Sebastian Bach-ut.
“Pikërisht nën drejtimin e tij, kjo vepër do të interpretohet më 18 prill 2025, prej orës 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, në një mbrëmje me një kast të veçantë solistësh: tenori danez Mathias Monrad Møller, basi holandez Wessel van der Ham, si dhe solistet nga Kosova – sopranoja Elona Sadiku dhe altoja Diellza Sylejmani”, thuhet në njoftimin e filharmonisë.
Orkestrës së Filharmonisë do t’i bashkëngjiten edhe instrumentistë nga Holanda dhe Hungaria, për ta bërë këtë mbrëmje baroku një përjetim akoma më të veçantë.
Ky koncert shënon jo vetëm një moment të rëndësishëm në jetën muzikore të vendit, por edhe një homazh madhështor për trashëgiminë e Bach-ut.
Koncerti do të mbahet në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com