13 Prill, 2021 - 12:03 pm
Sot është Dita Ndërkombëtare e muzikës Rock. Në botë sot festojnë performuesit dhe adhuruesit e kësaj muzike. Edhe në vendin tonë shënohet kjo ditë megjithëse këtë vit pandemia do ta bëjë të vështirë çdo lloj organizimi.
Gjithsesi ta kujtosh e të flasësh për rockun në Kosovë, nuk mund të mos kesh parasysh vitet e 80-ta, ata kitaristë me flokë të gjata të veshur me ngjyra të errëta e këpucë të ‘vjetra’ duke performuar me zë të fuqishëm bareve të Prishtinës.
Në kohët më të vështira, ata ishin zëri i secilit prej nesh. Dashuria për muzikën i bëri të ëndërrojnë, përmes saj të flasin, të dashurojnë e të protestojnë çdo dukuri të padrejtë. Këto grupe na dhuruan këngë që edhe sot i dëgjojmë me nostalgji.
Fadil Gjini, vokalist i grupit „Rock Gjinis“ e kujton me nostalgji atë kohë.
“Ishin demonstratat e vitit 1981 derisa në atë ditë do të performonim për herë të parë në skenë. Nga situata e krijuar kishim ndjenja te përziera dhe ishim në dilemë nëse duhej të performonim por organizatori ishte këmbëngulës dhe vendosëm të dalim në skenë. Ishin momente që ende sot nuk u gjej dot përshkrim“, tha ai.
Bujar Hundozi, kitaristi i grupit “Asgjë Sikur Dielli“, e kujton ndryshe performancën e parë.
“Nuk ishte koncert por ishte paraqitja e parë me Albanin në kafenenë “Gjani” në Prishtinë. Ne u paraqitëm me dy kitare akustike dhe ekzekutuam këngët e Led Zeppelin, Pink Floyd, Sting etj”, shtoi ai.
Nexhat Macula nga grupi TNT, tregon se muzika rock ishte mjaft aktuale në atë kohë dhe ata ishin mirënjohës që ishin pjesë e asaj kohe.
Është e dukshme që me kalimin e viteve, muzika në përgjithësi ka ndryshuar. Edhe pse ka grupe e individë shumë të talentuar të rockut, muzika rock ka mbetur nën hijen e muzikës moderne.
Gjithsesi këta pjesëtarë të grupeve të vjetra nuk e shohin këtë si mungesë talenti.
Macula thotë së rock-u dikur ishte shumë më aktual, jo vetëm në Kosovë po në gjithë globin. Sipas tij, rokerët e rijnë që vazhdojnë të kultivojnë këtë lloj të muzikës janë për t‘u vlerësuar lart.
Edhe Hundozi dhe Gjini ndajnë të njëjtin mendim. Ata thonë se rock-u është në rrugë të mirë, ka shumë talentë që dijnë të zhvillojnë muzikë të mirëfilltë.
Sot, të tria këto grupet vazhdojnë të punojnë në projektet e tyre të cilat priten të lansohen sapo të zbutet gjendja pandemike.
Termin Rock ‘n ‘Roll, Alan Fred e përdori për herë të parë për të përshkruar muzikën. Ky zhanër i popullarizuar ka origjinën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. / Sahide Brati / KultPlus.com