4 Mars, 2020 - 5:00 pm
Bujar Meholli
Ishte fundi i viteve ’50 kur Miles Davis doli në skenë me albumin e tij “Birth of the cool”, i cili përmbysi çdo skemë e model muzikor. Kështu, nisi t’i kushtohet vëmendje më shumë kësaj muzike, këtij zhanri të quajtur xhaz.
Jack Kerouac, shkrimtari amerikan, është padyshim njëri ndër më meritorët që xhazi shpërtheu duke u shtrirë anembanë botës. Është romani “On the road” i Kerouac-it, i botuar në vitin ‘57, prej nga lindi edhe Beat Generation, pra ky roman u bë manifest i kësaj lëvizjeje, artistët e së cilës në parim gjithçka kërkonin qe liria. E, xhazi nuk është tjetër veçse një mënyrë krejt e lirë për t’u shprehur në një instrument.
Në këtë roman përshkruhen aq bukur ambientet e klubeve amerikane të asaj kohe ku luhej xhaz gjer në agim, ata artistë, mes së cilëve edhe vetë Kerouac, ndiqnin pareshtur lirinë, lirinë e të shprehurit në art. Të gjithë performuesit e xhazit të asaj kohe, Kerouac, do t’i skalis në tekst, do t’i përjetësoi me stilin e tij spontan. Miles Davis dhe performues të tjerë e pranojnë se ky roman kishte arritur ta tërheq vëmendjen për xhazin. Stili i Kerouac-it u ndikua nga muzika bop, bluz dhe xhaz, ndërsa edhe procesi i shkrimit të tij është krejt impulsiv dhe intuitiv.
Xhazi, si zhanër muzikor, përpos që është instiktiv, ka lindur si një largim apo ikje nga realiteti. Pra, kur sheh disa muzikantë teksa performojnë xhaz, ata thjeshtë ikin nga racionalja dhe nisen drejt spontanitetit, drejt shpërfaqjes së shpirtit të lirë, pa shpengime, përmes tingujve.
Kosova, duke qenë vend i vogël, ndër vite ka prodhuar instrumentistë të xhazit mjaft të suksesshëm, madje të cilët kanë arritur të depërtojnë edhe në arenën ndërkombëtare.
Por, si qëndron muzika xhaz brenda hapësirave shqiptare? A e ka një audiencë të zgjedhur, pra, një target, apo interesimi për xhazin po rritet vazhdimisht?
“Prishtina Jazz Week” është festivali më i madh i xhazit në vendin tonë. Objektivi kryesor i këtij festivali është afirmimi i xhazit, gjegjësisht krijimi i një atmosfere xhaz në kryeqytetin kosovar përgjatë ditëve sa zgjatë.
Këtë vit, ky festival po e mban edicionin e tretë, i cili siç shihet, është më i pasuri, rrjedhimisht më i kompletuari nga dy të parët.
Nesim Maxhuni, baterist xhazi dhe udhëheqës i festivalit, flet për gazetën KultPlus, duke treguar për lexuesit mbarëvajtjen e festivalit, prurjet, mbështetjet, vështirësitë, dhe vizionin e ardhshëm të festivalit.
“Jemi të kënaqur me ecurinë e festivalit. Sonte është nata e tretë me një bend nga Nju-Jorku, edhe në dy netët e mëhershme ka qenë publiku fantastik, biletat janë shitë të gjitha dhe tashmë veçse është krijuar njëfarë edukate. Publiku po qëndron deri në fund të koncertit, pra deri më tani gjithçka është perfekt”, shprehet Maxhuni për KultPlus.
“Prishtina Jazz Week 2020” ka sjellë në Prishtinë disa nga emrat më të njohur të skenës aktuale të xhazit. Në kuadër të festivalit, janë paraparë që sot të fillojnë edhe punëtoritë për ata që duan të marrin mësim xhazi.
“Punëtoritë do të fillojnë sot, do t’i kemi katër punëtori dhe presim që të shkojnë mirë sikurse edhe herëve tjera”.
“Në këtë edicion kemi vendos t’i mbajmë pesë koncerte në mënyrë që ta zgjerojmë festivalin dhe të ketë sa më shumë punëtori dhe jam session, që muzikantë e rinj të kenë sa më shumë kontakte, dhe mendojmë të arrijmë, pse jo, deri në gjashtë koncerte”, thotë ai duke theksuar se nëse do të ketë përkrahje edhe nga institucionet tjera përveç Komunës së Prishtinës, do ta përmbushin tërë javën me xhaz.
“Nëse do të kemi mbështetje nga institucionet tjera, përveç Komunës së Prishtinës, pse mos ta shtojmë edhe një natë dhe ta përmbushim javën me xhaz”.
Edicioni i tretë filloi me xhaz vokalisten Nikoletta Szőke Quartet & Kristóf Bacsó nga Hungaria, duke vazhduar me kompozitoren Elif Çağlar dhe bendin e saj nga Turqia, ndërsa sonte dhe nesër mbrëma do të performojnë Marcos Varela Trio dhe Broken Circles & Joel Ross. Për Maxhunin, veçantia e këtij edicioni janë emrat që kanë zbarkuar në Prishtinë, si dhe laramania e stileve.
“Ky edicion ka veçanti emrat e mëdhenj botërorë dhe laramanitë e stileve të muzikës, ka xhaz me vokal, pa vokal, free xhaz dhe në fund Big Band që është shumë i rëndësishëm dhe e kompleton festivalin”, thotë ai, derisa flet për përshtypjen e artistëve të huaj.
“Përshtypja e xhezerëve në Kosovë është shumë e mirë, ata e kanë një mikpritje të jashtëzakonshme këtu dhe shohin potencial te talentët e rinj me të cilët mund të bashkëpunojnë. Falë këtij festivali edhe unë kam arritur që të incizoj me muzikantë prej Nju-Jorkut dhe vendeve tjera të botës” tregon ai.
I pyetur se si e sheh skenën xhaz brenda dhe jashtë hapësirave shqiptare, Maxhuni thotë se është paksa mbrapa në krahasim me vendet tjera.
“Skenën e muzikës xhaz, personalisht e shoh mbrapa në krahasim me vendet e rajonit, ndërsa në krahasim me vendet e botës shumë më mbrapa. Megjithatë, në krahasim me dekadën e kaluar jemi më mirë sepse janë bërë disa albume, vërehet se në dekadën e fundit ka një përparim por nëse krahasohemi me këdo, jemi ende shumë mbrapa, prandaj po përpiqemi që përmes festivaleve ta zhvillojmë dhe ta rrisim skenën” shprehet ai duke potencuar se ka njerëz gjenial nëpër botë që po e ndryshojnë xhazin.
“Nuk jam njeri kompetent të krahasoj dhe të them se a ka njerëz si Dizzy Gillespie apo Charlie Parker sepse është vështirë të ketë impakt të tillë në shoqëri tani, por mund të them se ka njerëz gjenialë që janë duke e ndryshuar xhazin, e megjithatë s’jam kompetent që t’i krahasoj me ta”, përfundon Maxhuni.
Edhe ky edicion i “Prishtina Jazz Week” ka arritur ta sjellë një atmosferë të këndshme në kryeqytet me tingujt xhaz, me zbarkimin e emrave të njohur botërorë të këtij zhanri si dhe me krijimin e mundësive për të mësuar xhaz gjeneratat e reja. /KultPlus.com