4 Maj, 2018 - 9:00 am
Në hapje të festivalit “Hasi jehon”, Shaqir Hoti nderohet me mirënjohje për vepër jetësore
Mbrëmjen e të enjtes në Gjonaj të Hasit nisi edicion i 29 i festivalit “Hasi jehon”. Edhe këtë vit hapësira përpara Shtëpisë së Kulturës ishte e mbushur me dashamirë të folklorit burimor.
Ekspozita e prodhimeve të bukës, dhe ekspozita e fotografive të aktivitetit të ShKA “Malësori” i
paraprinë programeve të organizmave kulturore që e ruajnë folklorin burimor.
Haziz Hodaj drejtor i Festivalit, në hapje të ekspozitës tha para të pranishmëve se para fillimit të programeve të ShKA-ve që do të performojnë në skenën e festivalit, tashmë tradicionalisht pjesë e festivalit janë edhe ekspozita e prodhimeve të bukës, dhe ekspozita e fotografive të aktivitetit të “Malësorit”.
Në ekspozitën e prodhimeve të bukës dhe ekspozitën e fotografive të aktivitetit të ShKA “Malësori” morën pjesë: kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, zv.ministri Bujar Nerjovaj, kryesuesi Artan Abrashi, nënkryetari Eshref Memaj, prokurori Sylë Hoxhaj dhe shumë mysafirë të tjerë.
Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka premtoi mbështetje më të madhe për rritje të festivalit “Hasi jehon”
Ai duke e përgëzuar organizatorin për punën e madhe që ka bërë tha se do ta mbështes festivalin më shumë në vitet e ardhshme.
Shaqir Hoti: “Këta tinguj i kam marrë në Has dhe po i kthej në vendin e vetë”
Pas paraqitjes së ShKA “Malësori”, drejtori i festivalit Haziz Hodaj duke e ftuar Shaqir Hotin për ta marr mirënjohjen për vepër jetësore tha se Shaqir Hoti është hasjani më të cilin krenohet i gjithë Hasi.
“Jam këtu për një arsye, për ta ftuar para jush profesorin e muzikës, Shaqir Hotin njeriun që tërë jetën ia ka kushtuar folklorit burimor, ruajtjes dhe kultivimit të tij, përpunimit të instrumenteve frymore, dhe nxjerrjes nga ato të tinguj të magjishëm. Shaqir Hoti është hasjani me të cilin krenohemi” tha Hodaj.
Shaqir Hoti, pasi e pranoi mirënjohjen për vepër jetësore, i emocionuar, në fjalën e tij të shkurt por shumë domethënëse tha “këta tinguj i kam marrë në Has dhe po ua kthej këtu në vendin e vetë”.
Në vazhdim ai bashkë me ShKA “Malësori” me tingujt magjik të instrumenteve që i ka punuar vetë e hapën edicioni e 29 të festivalit “Hasi jehon”.
Në natën e parë përveç ShKA “Malësori” me programet e tyre u paraqitën: Pallati i Kulturës “Pjetër Bogdani” nga Kruma e Hasit të Shqipërisë, ShKA “ Bajram Curri” nga Krushë e madhe, ShKA “Zëri i LLapushës” nga Carralluka e Malishevës, ShKA “Jonuz Ramadani” nga Vitia, ShKA “Bajram Shabani” nga Kumanova, ndërsa mbrëmjen e parë do ta mbyll AAF “Rugova” nga Peja./KultPlus.com