30 Korrik, 2022 - 5:36 pm
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga dy netët e para të këtij festivali ku kanë marrë pjesë mijëra qytetarë dhe artdashës.
“Sot nata e tretë plot tinguj në Kalanë magjepsëse të Rozafës, një festival i nisur nga hiçi pak vite më parë e i organizuar bukur, falë një djali energjik e plot ide, Vlashent Sata dhe mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, po edhe falë këmbënguljes së deputetes Edona Bilali, shembull për t’u ndjekur nga të gjithë për angazhimin e pandërprerë në komunitet”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kalaja e Rozafës mirëpriti mbrëmjen e djeshme natën e dytë të edicionit të 6-të të festivalit Zâ Fest.
Artistët Elina Duni, Vlashent Sata, Amor Del Rey, Lylnit performuan këngët më të njohura të repertorit të tyre për artdashësit shkodranë dhe jo vetëm.
Nata e parë e festivalit u zhvillua në Shirokë ku performuan artistët Jeton Neziraj, Erenik Beqiri, Arben Bajraktaraj dhe Linda Linda Rukaj.
Festivali Zâ Fest i cili ka nisur rrugëtimin 6 vite më parë, zbulon thesaret e folklorit shqiptar, duke ndërthurur muzikën, legjendat, poezinë dhe kinemanë.
Zâ Fest me misionin e tij kryesor, promovimin e traditës, vlerave dhe kulturës së Shkodrës, më herët është zhvilluar edhe në Theth, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh. Kësaj here vëmendja mbetet brenda qytetit, e sidomos te kalaja e Rozafës. /KultPlus.com