22 Maj, 2020 - 5:30 pm
Nga: Charles Aznavour
Shqipëroi: Bujar Meholli
Kur jam në krahët e tu
jam në fund të botës,
kur jam në krahët e tu
nuk ekziston gjë tjetër
përveç teje,
nga trupat tanë
që afrohen dhe bashkohen
lind ekstaza brenda nesh
nga vdekja dhe dashuria.
Kur jam në krahët e tu
shpirti im bëhet rebel,
në krahët tu kur jam
më kaplon zjarri
i zemrës tënde.
Bredh e bredh i dehur
dhe për ty ëndërroj
me sy gjysmë të mbyllur,
kam nevojë të jetoj gjatë
kaq shumë dashuri ndiej brenda vetes…
Kur jam në krahët e tu
shkrihem nga kënaqësia
dhe dridhem si purtekë
e ëndërroj
kur ti natën vonë
m’i thua në vesh
ato fjalë që ndryshojnë jetën time.
Jam krejt i pushueshëm
dhe i çlodhur në krahët e tu,
jeta pezullohet
dhe ikë nga toka
për në një tjetër planet.
Sikur në ëndërr jetoj
kur jam në krahët e tu,
nuk kam lodhje
as rraskapitje,
vetëm buzëqesh
ngrohtësia jote më siguron,
Zoti im jam aq mirë.
Të lumtur të lumtur
në delirium,
nocionin e realitetit e humb
mespërmes lotëve dhe qeshjeve,
ti më bën ta zbuloj qiellin.
Në krahët e tu dua të jem
derisa të agoi dita,
në krahët e tu
dua të qëndroj
për dashurinë tonë të thellë
deri në fund të botës
deri atje ku nuk ka gjë tjetër
përveç përjetësisë… /KultPlus.com