25 Prill, 2018 - 10:30 pm
Alberina Haxhijaj
Dita Botërore e Vallëzimit është një eveniment që festohet në të gjithë botën që më 29 prill të vitit 1982, krijuar nga Këshilli Internacional i Kërcimit dhe UNESCO. E tani është bërë tradicionale shënimi i kësaj dite edhe në Kosovë. Pikërisht për nder të saj, sot në sheshin Zahir Pajaziti është mbajtur një garë jo formale e vallëzimit, e organizuar nga Evolution Dance, shkruan KultPlus.
Fëmijë të moshave të ndryshme ishin mbledhur sot në sheshin Zahir Pajaziti për të treguar dashurinë që kanë për vallëzimin por edhe aftësitë e tyre në këtë pjesë të artit. Dafina Rudi tregoi për KultPlus se si çdo vit promovimi i vallëzimit dhe stileve të ndryshme të tij në Prishtinë mbetet mision i Evolution Dance.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të tubohen sa më shumë njerëz dhe të promovohet vallëzimi. Çdo vit mbledhim shkolla të ndryshme mirëpo karakteristikë për këtë vit është që së bashku me Komunën e Prishtinës do të bëhet një garë jo formale mes pesë shkollave të komunës. Nxënësit e këtyre shkollave kanë përzgjedhur vetë koreografinë por edhe muzikën dhe çdo gjë tjetër”, tregoi Rudi e cila shtoi se për të shpërblyer punën e nxënësve fitues, Evolution Dance do u ofrojë fituesve të tri vendeve të para leksione vallëzimi falas.
Përveç akademive të vallëzimit të cilat janë mike të këtij organizimi që disa vite, në sheshin Zahir Pajaziti performuan edhe nxënësit të cilët ishin bërë gati për garën.
Kështu pas perfomancave që dhanë nxënësit juria e përbërë nga Fjolla Dumani, Majlajdo Gala dhe Florent Abrashi, ndanë çmimet. Vendi i parë shkoi për nxënësit e Shkollës “Ismail Qemaili”, ndërsa çmimi i dytë për shkollën “Xhemajl Mustafa” dhe i treti për shkollën “Meto Bajraktari”.
Në anën tjetër për koreografinë më të mirë u vlerësuan me çmim nxënësit e shkollës “Faik Konica”, ndërsa për interpretimin më të mirë ata nga “Dardania”. Florent Abrashi theksoi për KultPlus se juria vlerëson punën e të gjithë nxënësve pasi që ata kanë dëshmuar që kanë potencial për vallëzim dhe ndarja e këtyre çmimeve nuk duhet që të shihet si garë por më shumë si një motivim.
“Fillimisht është diçka e re edhe për neve dhe shpresoj që kemi me qenë të aftë me japë pikët sa më mirë që është e mundur. Jam shumë i lumtur që kemi një kësi ngjarje me juri dhe me fëmijë, në mënyrë që ata të vlerësohen dhe të çmohet puna e tyre. Pra gjithë kjo është bërë që fëmijët ta shijojnë këtë ditë”, tha ai për KultPlus.
Të lumtur për këtë organizim janë shfaqur edhe fëmijët pjesëmarrës, në mesin e të cilëve ishin edhe Dafina Borovci, Vera Zyqolli dhe Era Ahmeti, të cilat janë bërë mike pikërisht përmes vallëzimit në studion e vallëzimit “Folk Art”.
“Ka vite që merremi më vallëzim dhe kjo është diçka që na pëlqen shumë, dhe që e duam. Ndërsa sot kemi me u paraqitë më këngën “Shape of You” dhe me një valle”, treguan ato për KultPlus.
Kjo ditë përkujton ditëlindjen e Zhan Zhorzh Noverit i cili ishte një nga reformatorët e famshëm të kërcimit. / KultPlus.com