18 Shkurt, 2022 - 10:15 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në kuadër të programit të festimeve të Ditës së Pavarësisë së Kosovës në Sallën e Kuqe në Prishtinë u mbajt koncerti solemn “14 vjet pavarësi” nga Filharmonia e Kosovës.
Me një program me vepra që dëshmojnë histori në kohë por edhe që i flasin lirisë dhe rezistencës, nën dirigjimin e Baki Jasharit dhe Hajrullah Sylës u interpretuan veprat nga autorët shqiptar: uverturë nga opera “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi, “Valsi i pavarësisë” nga Korab Shaqiri, fragmente nga suita simfonike “Skënderbeu”nga Çesk Zadeja, “Baresha” nga Rexho Mulliqi dhe “Qëndresa” nga Valton Beqiri.
Ndërsa në nderim e kujtim të të rënëve për lirinë e Kosovës, u interpretua vepra “Më mirë është paqja” nga Karl Jenkins, punuar në vitin 1999, dedikuar viktima të luftës në Kosovë, si dhe “Dies Irae” nga Giussepe Verdi, vepër kushtuar atyre që nuk janë më në mesin tonë.
Kurse në Teatrin Kombëtar të Kosovës u mbajt koncerti “Festë të madhe ka sot Kosova”.
Ky koncert festiv bëri bashkë Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë, të cilët para publikut sollën emocion dhe intepretime shumë të veçanta.
Në kuadër të programit u intepretuan këngë dhe valle të ndryshme shqiptare përfshirë këtu “Mora Fjalë”, “Këngë për Ismaj Qemailin”, “Valle Labe”, “Festa e Bashkimit” e shumë të tjera.
Udhëheqës artistikë të programit ishin Ylber Asllanaj dhe Sokol Marsi ndërsa udhëheqës orkestre Fitim Bytyqi dhe Vlladimir Hasimi.
Në këto aktivitete ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. / KultPlus.com