31 Janar, 2020 - 4:27 pm
Bujar Meholli
Filharmonia e Kosovës do të nis vitin 2020 me koncertin e parë të ciklit të koncerteve në shënim të 20-vjetorit të Filharmonisë, shkruan KultPlus.
Në konferencën e sotme që e organizoi Filharmonia e Kosovës u shpalosën detajet e koncertit të së dielës. Gjatë konferencës ishin pjesëmarrës edhe muzicientët e huaj që do të performojnë për publikun shqiptar. Menaxheri i Filharmonisë Dardan Noka, në hapje tregoi për nisjen e ciklit të koncerteve derisa tha se ndihen të nderuar për këtë kastë të zgjedhur muzicientësh.
Drejtori i Filharmonisë Baki Jashari tha se Filharmonia e fillon këtë cikël koncertesh me një program koncertal të fokusuar te veprat e gjeniut Betoven i cili shënon 250-vjetorin e lindjes.
“Veçantia e këtij koncerti janë performuesit. Duke filluar me dirigjentin me famë botërore Vengerov, violinistin Ulucan, violinçelin Fenyö, dhe pianisten Ulucan”. “Kemi fatin, nderin dhe privilegjin ta kemi në mesin tonë maestron Vengerov, i cili do ta dirigjioj orkestrën e Filharmonisë së Kosovës”, potencoi ai.
“Në pjesën e parë do të performohet koncerti për violinë, violonçel dhe piano” ndërsa në pjesën e dytë dirigjenti Vengerov do të realizoi Simfoninë e Shtatë të Betovenit”, tregoi Jashari. Ai përmendi gjithashtu mungesën e sallës adekuate për ngjarje të tilla, problem ky i vjetër me të cilën vazhdon të përballet institucioni i Filharmonisë.
I entuziazmuar ishte dirigjenti Maxim Vengerov. Ai përgëzoi organizatorët derisa tha se ndjehet i lumtur që do të ketë rastin të performojë para audiencës shqiptare, e cila po rritet dita ditës. Violonçeli Lászlo Fenyö këtë koncert e sheh si shumë të rëndësishëm. “Kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për kulturën kosovare. Për mua është hera e parë që jam në Kosovë dhe po ndihem shumë mirë”, tha hungarezi.
Edhe për violinistin Özcan Ulucan do të jetë nder performanca e së dielës. “Shoh energji të madhe muzikore. Kjo është vërtet diçka atraktive dhe më bën të ndihem e nderuar që do të performoj”, u shpreh ai.
Ndërkohë, pianistja Birsen Ulucan tha është fantastike të jesh në mesin e publikut kosovar. “Ne këtu jemi shokë të mirë, por gjithmonë është gjë e bukur kur bën shokë të ri”, tha pianistja turke. Kocerti do të mbahet të dielën me fillim nga ora 20 në Sallën e Kuqe në Prishtinë.
Ky koncert i rëndësishëm shënon një hap në zhvillimin e Filharmonisë së Kosovës. Ai do të drejtohet nga Vengerov i cili shquhet si violinisti më i mirë i shek. XXI, i emëruar edhe Ambasador i Vullnetit të Mirë nga UNICEF-i. /KultPlus.com