16 Dhjetor, 2017 - 2:53 pm
Kori dhe orkestra e Filharmonisë se Kosovës, së bashku me katër solistë ishin bashkuar mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, për të sjellë një koncert të fuqishëm me njërën nga veprat e fundit të Haydnit, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Fillimisht në këtë koncert erdhi vepra e popullarizuar e Bethovenit- Uvertura “Coriolan”, për t’i lënë një përmbyllje goditëse me veprën e Joseph Haydan “Missa in Tempore Belli”, apo “Meshë në kohën e luftës”.
Kur orkestrës i bashkohet edhe kori, ky koncert vetëm se fillon rrugëtimin e magjishëm muzikor. Kori, orkestra dhe katër solistë takoheshin në pikë vështrim. Rafet Rudi ishte ai që dirigjoi me shumë pasion, e përkushtim këtë koncert. Sytë dhe duart e tij valëzoheshin me shpejtësi drejt atyre që kishte përballë dhe nga gjithë ky komunikim muzikor jehoi në një mbrëmje që e madhështon edhe më shumë një nga veprat më kolosale të Haydnit.
“Është një vepër në radhën e veprave madhore vokalo-instrumentale që unë po përpiqem të i nxjerrë në dritë. Janë më të vështira sepse kërkojnë staf solistësh, mandej kor dhe orkestër. Jam jashtëzakonisht i lumtur që kori dhe orkestra kanë funksionuar shumë mirë sonte. Kjo vepër ndonëse në titull është “Mesha në kohën e luftës”, në të vërtetë është meshë e paqes, pasi që Haydni ka gjetur forcë ta bëj një vepër humane dhe optimiste”, tha për KultPlus dirigjenti i mbrëmjes Rafet Rudi.
Artistët në skenë i ndante një hapësirë e vogël, për shkak të numrit të madh të tyre. Jo shumë larg tyre, publiku kishte mbushur çdo hapësirë që të mundësonte të dëgjoje këtë interpretim të Filharmonisë.
“Dirigjentet dhe ata që kontribuojnë në këtë koncert gjithmonë e masin vlerën e tyre me reagimin e publikut dhe e vërejtëm që publiku ishte shumë i kënaqur”, u shpreh me shumë emocion Rudi, pasi që u nda nga publiku që dhuroi duartrokitjet më të forta mbrëmë.
Ky koncert kishte vënë përballë katër solistë të shquar, që kishin udhëtuar drejt Prishtinës për t’i dhënë edhe më shumë madhështi këtij koncerti: Mariana Leka – soprano nga Shqipëria, Daniela Diakova – mexosoprano nga Bullgaria dhe Mihail Mihaylov – tenor nga Bullgaria dhe në bas Frano Lufi nga Italia.
Frano Lufi, pas shumë vitesh e ndau skenën me Filharmoninë e Kosovës, kurse kjo mbrëmë shënon koncertin e tij i parë me Filharmoninë në Prishtinë. Ai për KultPlus tha së mbrëmë është ndjerë i mahnitur nga niveli i korit të Filharmonisë, të cilin e quan edhe diamanti i këtij koncerti.
“Kjo është një vepër e mrekullueshme ku kryesisht dominon kori dhe kori sonte ishte i mrekullueshëm dhe ne ndjejmë kënaqësi të madhe kur e dëgjojmë këtë kor dhe unë nuk e dija që kori është kaq i mirë, orkestra nuk diskutohet që është e mirë se ka shumë profesionistë”, u shpreh Lufi.
Ai po ashtu theksoi se ndihet i impresionuar nga interesimi i audiencës për ta ndjekur këtë koncert, duke shtuar se kjo sallë nuk e justifikon një koncert të këtij niveli.
Mes zërave kumbues, kori dhe orkestra jepnin vulën drejt fundit të tij, me thirrjen për paqe, fjalë e cila po e shkrinte fundin e kësaj mbrëmje. Mes kësaj fjale kumbonte në mes një tingulli që t’i kujtonte tamburet e luftës, që Patris Berisha e sillte në perkusione. Pikërisht në këtë pjesë transmetohet mesazhi i veprës së Haydnit “Meshë në luftë”, e cila ishte realizuar në ankthin e luftës , kur Austria ndodhej në pe periudhën kur shtetit qeverisej me dekrete që i sillte imperatori Jozefi II, dhe njëri nga dekretet e famshme të asaj kohe ishte që “asnjë austriak nuk duhet të flet për paqe”.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha për KultPlus se ky koncert është rezultat i përgatitjeve dymujore dhe intensive nga kori, ku kori ka pasur edhe rol dominant, ndërsa shtoi se ky koncert është edhe një orientim i Filharmonisë që të sjellë edhe koncerte të tjera të bashkëpunimit të dy njësive, të orkestrës dhe korit.
“Ne mundohemi gjithmonë që publikut t’i sjellim vepra monumentale, nuk është lehtë të realizohet një koncert me një qind njerëz në skenë por Rafet Rudi e ka bërë një punë të mrekullueshme”, tha Jashari për KultPlus.
Ky koncert shënon koncertin e parafundit nga Filharmonia e Kosovës për këtë vit, ndërsa Koncerti i Vitit të Ri, vjen javën tjetër më 23 Dhjetor./ KultPlus.com