7 Shkurt, 2018 - 9:20 am
Një kodik i panjohur muzikor është zbuluar nga një dorëshkrim në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë.
Ky dorëshkrim është paraqitur në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, i cili është vendosur në fondin “Koleksion dokumentesh përpara vitit 1912” si shtesë fondi e vitit 1989.
Së shpejti këtë kodik, bashkë me të tjera thesare të fondeve më pak të njohura të AQSh, do paraqiten në një ekspozitë, në kuadër të vitit mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, bën të ditur ATSh.
Meqenëse në atë vit në AQSh ekzistonte një fond i veçantë për librat e dorëshkruar, ku “Koleksion i kodikëve”, dorëshkrimi duhej të ishte sistemuar atje. Ndoshta arkivistët nuk e kanë kuptuar se bëhet fjalë për një dorëshkrim të asaj kategorie. Është koha kur Theofan Popa, nga të paktët studiues bizantinistë të kohës dhe i vetmi që ishte marrë me kodikët, nuk jetonte më. Ky kodik është “vëllai” i kodikëte të tjerë të Beratit, paçka se nuk është vendosur fizikisht pranë tyre.
Kodiku përmban tekstin e Triodit dhe Pesëdhjetores, muzikë bizantine dhe është dorëshkrim në letër i përbërë nga 102 fletë, duke datuar në mes të shek. XIX dhe ka përmasa 230 x 160 mm. Kopisti është anonim. Siç thotë shënimi në anën e brendshme të kapakut të kodikut, ka qenë pronë e të Përndershmit priftit Mihal Jorgo Vutziani.
Shënimi i përket 6 marsit të vitit 1879. Në materialin mbështjellës të vendosur nga AQSh është shënuar “Serafin Xhveri, 1983”, me gjasë data e dhurimit apo shitjes së kodikut në AQSh./ KultPlus.com