24 Dhjetor, 2017 - 3:00 pm
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, së bashku me solistë nën dirigjimin e dirigjentit të shquar nga Gjermania Noorman Widjaja, mbrëmë sollën një koncert festiv, që shënoi edhe koncertin e fundit për këtë vit nga ky institucion, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Fotografitë: Arben Llapashtica
Edhe një orë para se ky koncert të fillonte, Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë, nuk numëronte pothuajse as edhe një karrige të zbrazur. Kur Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, zuri vendin e saj brenda skenës, priten me duartrokitja nga një pjesë e publikut ulur, e të tjerë në këmbë të cilët u kishin besuar tingujve të tyre këtë mbrëmje.
Kur pranë orkestrës vjen dirigjenti Noorman Widjaja, me lëvizjet e tij artistike, e dirigjimin më shumë profesionalizëm rrëmben emocionet e gjithë sallës. Dirigjimi i tij nuk ishte nga ata të zakonshmit, ai nuk kursente asgjë nga fuqia e tij artistike, për të nxjerrë më të mirën e mundshme nga të gjithë ata para të cilëve ndodhej mbrëmë. I veshur në të zeza, ai lëvizte shkopin nga të tri anët sa shtrihej orkestra. Ai dukej sikur edhe reagonte ndaj secilit tingull, e ndaj secilit zë, dhe pas çdo vepre duartrokitjet e publikut nuk ia atribuonte vetës, por shkopi i tij drejtohej përsëri tek orkestra dhe tek solistët.
Dirigjenti Noorman Widjaja, i cili ishte për të tretën herë në Kosovë, përkundër që ai ka dirigjuar shpesh koncerte simfonike, ai për KultPlus, thotë se është dirigjent i operës, ai i do më shumë koncertet e operës sepse kanë më shumë gjallëri, për shkak të tekstit dhe kuptimit që bartin në vete, andaj edhe kur e kishte marr ftesën për këtë koncert, ai thotë se nuk kishte hezituar që nga momenti i parë.
“Ky kuptim brenda tekstit e bën muzikën, kështu që unë mund ta krijoi me atë kuptim dhe të ua dhuroj atë orkestrës”, tregoi dirigjenti Widjaja.
“Për orkestrën që të luaj në opera, e pastaj në simfoni është shumë më e lehtë sepse në opera ata fillojnë të dëgjojnë, dhe të luajnë së bashku. Të them të drejtën, një orkestër e mirë simfonike nuk është një orkestër e mirë e operës por një orkestër e mirë e operës është një orkestër shumë e mirë simfonike për shkak se është më e lehtë për ta sepse dirigjenti i cili e kupton operën mund t’u sqaroj gjithçka atyre”, tha dirigjenti Widjjaja për KultPlus.
Ai thotë se është i kënaqur me punën e instrumentistëve të kësaj orkestre por shtoi se kjo orkestër ka nevojë më shumë për dirigjentë me eksperiencë, për shkak se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për orkestrën.
“Një tren i mirë ka nevojë për lokomotivë të mirë, ata kanë nevojë jo vetëm dikë që dirigjon dhe shkon por për dikë që kësaj orkestre mund t’i jap shumë më tepër që kjo orkestër të jetë edhe më fenomenale. Unë më të vërtetë i dua ata, ata janë të lumtur sa herë që më shohin dhe ne tashmë jemi bërë miq, ashtu si një familje”, tregoi dirigjenti nga Gjermania për KultPlus.
Publiku mbrëmë shijoi edhe interpretimin e gjashtë solistëve nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët me zërin e interpretimin e tyre mrekulluan koncertin këtij fundviti, madje asnjëri prej tyre nuk iku nga skena pa u kthyer përsëri nga duartrokitjet e publikut.
Solistët që interpretuan mbrëmë përfshin tashmë emra të njohur. Linda Kazani nga Shqipëria ishte solistja e parë që iu bashkua orkestrës mbrëmë, më pas erdhi tenori Liridon Sadriu, sopranoja Doklea Hoxha, baritoni Sokol Hidërsha, sopranoja Adelina Paloja dhe sopranoja Arta Jashari.
Pasi që publiku pushon nga duartrokitjet e fuqishme që e kthejnë për të dytën herë sopranon Arta Jashari në skenë, para tyre kthehet përsëri sopranoja Linda Kazani e cila interpreton veprën e Verdit “Estano!…Ah fors’e lui”, ajo dukej se mori gjithë publikun me vete gjatë interpretimit të kësaj vepre të shoqëruar nga zëri që vinte në prapaskenë nga tenori Liridon Sadriu. Ajo dukej sikur komunikonte me çdo njërin në sallë, shpesh duart e saj shtriheshin afër saj, e sytë e saj shkonin edhe tek publiku që ndodhej sipër sallës.
“Më dukej sikur i këndoja secili një me një në sy”, tha Kazani për KultPlus.
Sopranoja Linda Kazani tregoi për KultPlus, se ndihet shumë e kënaqur nga bashkëpunimi i parë me Filharmoninë e Kosovës. Edhe pse ajo interpretoi për herë të parë para publikut kosovar, ajo thotë se e ka ndjerë shumë fuqishëm ngrohtësinë e këtij publiku.
“Me gjithë suksesin që pata sonte këtu jam shumë e emocionuar, edhe pse nuk e dija se si do të më prisnin meqë në publik nuk kisha asnjërin nga familjarët e mij që janë në Tiranë. Ndryshe nga skenat e tjera kur ke një distancë me publikun dhe kur publiku është në errësirë ku ti nuk e shikon, këtu publiku ishte shumë afër dhe shumë i ngrohtë”, tha Linda Kazani.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se e cilëson si të suksesshëm këtë vit pasi që me dy njësitë e Filharmonisë, korin dhe orkestrën kanë arritur të jenë pjesë e shtatëmbëdhjetë projekteve koncertale. Veçantia e këtij viti për Jasharin kanë qenë dirigjentet dhe solistët e rinj që kanë bashkëpunuar për herë të parë me Filharmoninë.
“Dirigjentët e rinj që kanë bashkëpunuar këtë vit me Filharmoninë kanë lenë shumë mbresa tek orkestra dhe tek publiku, aq më tepër duke u bazuar në faktin që ne kemi nevojë për prurje të dirigjenteve të profilit të lart me përvojë. Një prej tyre është edhe dirigjenti Noorman Widjaja, të cilin me gjasë do ta ftojmë përsëri sepse me dirigjimin e tij orkestra ka përparuar shumë”, tha drejtori Jashari për KultPlus.
Përkundër këtij suksesi, ai thotë se buxheti i pamjaftueshëm, i ka lenë peng dëshirën e tij që Filharmonia e Kosovës të prezantohet edhe jashtë vendit. Ndërsa edhe këtë vit sikur vitet e kaluara vështirësitë e Filharmonisë tashmë shtrihen më shumë në aspektin organizativ dhe në mungesën e sallës për të cilën Jashari thotë se shpreson që të paktën viti i ardhshëm do t’i gjej në një situatë ku do t’i numërojnë ditët për të hyrë në një objekt të ri./ KultPlus.com