13 Shtator, 2024 - 7:01 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, hapi dyert festivali i muzikës kamertale, ‘KamerFest’, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të 23-të, shkruan KultPlus.
Në qendër të natës hapëse ishte violinisti i njohur nga Franca, Vadim Tchijik, i cili solli një frymë të jashtëzakonshme me interpretimin e veprave të mëdha muzikore. Tchijk u shoqërua nga artistë vendorë dhe krijoi një atmosferë magjike duke interpretuar kryeveprat e kompozitorëve të njohur si Ludëig van Beethoven, Pablo de Sarasate dhe Johann Sebastian Bach.
Nata filloi me interpretimin e sonatës nr. 5 të Beethovenit, ku Tchijik, shoqëruar nga pianistja e talentuar Nita Grupi, sollën një performancë të mbushur me ndjenjë dhe mjeshtëri të rrallë. Ky fillim i mrekullueshëm e përgatiti publikun për pjesët e tjera të programit.
Pas kësaj, Tchijik u bashkua me orkestrën harkore në një interpretim të fuqishëm të ‘Carmen Phantasy’ nga Sarasate.
Në fund të natës, skenës iu bashkua edhe violinistja Sihana Badivuku, e cila, së bashku me Tchijik, interpretoi veprat nga Johann Sebastian Bach, të përshtatura për dy violina. Ky duet i mahnitshëm, i cili përmbylli natën, ishte një pasqyrim i shkëlqyer i harmonisë dhe virtuozitetit të dy artistëve, duke e bërë përfundimin e festivalit të paharrueshëm për publikun e pranishëm.
Pasi dhuroi emocione të pafund të publikun e Kosovës, për KultPlus foli violinisti Vadim Tchijik i cili u shpreh se ka qenë një eksperiencë e veçantë për të dhe artistët që luajtën bashkë.
“Nuk kishim shumë kohë për ta punuar këtë program të vështirë por mendoj se ia dolëm mirë, bëmë prova dhe shpresoj se kanë mësuar diçka prej meje. Mendoj se ka qenë përvojë interesante bashkëpunimi me ta dhe ka qenë i frytshëm për të gjithë. Mendoj se publiku ishte shumë i mirë, i ngrohtë dhe mikpritës për mua, sidomos për muzikantët e rinj. Edhe organizimi ka qenë shumë i mirë. Me Sihanën kemi ndjekur të njëjtën shkollë gjatë studimeve për shumë kohë në Rusi për shumë vite dhe pak kohë më pas. Kemi të njëjtën qasje në muzikë dhe ka qenë kënaqësi gjithë ky koncert që e kemi interpretuar nga Bach”, theksoi Tchijik
Pas koncertit, për KultPlus foli edhe pianistja Nita Grupi e cila u shpreh se është privilegj për të, të luajë me një artist të përmasave të tilla.
“Ka qenë privilegj i madh të luaj me një artist të këtij niveli. Ne para dy dite, më 10 shtator e kishim recitalin në Shkup, në ‘Skupi Kamer Fest’ ku luajtëm ‘Sonatën nr.5’ të Beethovenit për violinë dhe piano. Domethënë të njëjtin program. Ishte një eksperiencë shumë e mirë pasi që ai erdhi të hënën, e bëmë një provë, kishim atje një koncert njëorësh pastaj erdhëm në Prishtinë ku u ambientuam edhe me sallën”, u shpreh Grupi duke shtuar se ka qenë po ashtu edhe përgjegjësi që të luajë këtë vepër dhe me artistin Tchijk.
Ndërkaq Rron Bakalli, i cili ishte pjesë e orkestrës harkore, tha se ishte kënaqësi që performoi me artistë të tillë dhe në një koncert të tillë.
“Gjithçka ka shkuar shumë mirë, ka qenë kënaqësi të punojmë me artistë të tillë, sidomos kur organizohet nga një festival i tillë, ‘KamerFest’, që është festivali më i vjetër dhe më i madh. Këto vepra janë shumë të vështira teknikisht për instrumentistë, ne për tri-katër prova u munduam të sjellim maksimumin tonë, besoj se ia arritën dhe publiku besoj se është ndarë i kënaqur”, tha mes tjerash Bakalli.
Ndërkaq, publiku do të ketë mundësi të dëgjoë përformanca të mahnitshme deri më datë 26 tetor përgjatë festivalit ‘KamerFest’./KultPlus.com