Nëntori risjell “Let’s Dance” për kujdes më të mirë shëndetësor për fëmijët

23 Tetor, 2018 - 11:30 am

Ngjarja tradicionale e bamirësisë për nënat dhe fëmijët në Kosovë rikthehet me 1 nëntor 2018 me të njëjtin mision. Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë risjell për të katërtin vit me radhë ngjarjen “Let’s Dance” gjatë së cilës mblidhen fonde për shërbime shëndetësore në të mirë të nënave dhe fëmijëve në Kosovë, shkruan KultPlus.

“Jemi angazhuar me të gjitha forcat që të realizojmë sërish ngjarjen Let’s Dance 2018. Qëllimi është të sjellim argëtim për pjesëmarrësit dhe më shumë mbështetje për fëmijët dhe nënat në nevojë,” thotë Mrika Aliu, Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.

“Në këtë festë janë të ftuar të gjithë dhe secili mund ta përkrahë misionin duke zgjedhur një nga pakot e sponsorizimit, duke blerë bileta për vete dhe për miqtë dhe duke ndihmuar të përhapim mirësinë,” vazhdoi Linda Baleta, vullnetare në ekipin organizativ.

Kjo ngjarje nisi në vitin 2015 si projekt i vullnetit të mirë dhe tashmë është shndërruar në aktivitet të rregullt të Fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë. Fondet e mbledhura nga kjo ngjarje janë shfrytëzuar 100% për programe dhe shërbime që u dedikohen nënave dhe fëmijëve.

Ngjarja Let’s Dance organizohet nga Crimson Capital dhe Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe mbahet më 1 nentor, nga ora 20.00, në Sheshin 21. / KultPlus.com

Të ngjajshme