Nertila Koka zëri që nuk harrohet

21 Gusht, 2018 - 2:30 pm

Kur Nertila Koka këndonte, shumë prindër u vendosën emrin e saj foshnjave femra të lindura në ato vite. Një vajzë e bukur dhe me një zë të ëmbël ajo u bë shumë shpejt një nga këngëtaret më të dashura të publikut.

Nertila e nisi karrierën e saj në moshën 17-vjeçare, moshë në të cilën arriti dhe suksesin e saj të parë. Debutimi i saj i parë në Koncertin e Pranverës, në vitin 1983 u kurorëzua me fitore duke marrë dhe çmimin e parë. Po atë vit, në Festivalin e Këngës në Radio-Televizionin shqiptar kënga që ajo këndoi me Gëzim Çelën “Çel si gonxhe dashuria” mori çmimin e parë.

Një vit më pas nuk do t’i mungonte përsëri skenave të kompeticioneve muzikore duke marrë një çmim të dytë në festivalin e pranverës. Një nga këngët më të dashura është ajo që këndoi me David Tukiqin “Sagapo”, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur si një refren i jetës së përditshme e që shumë njerëzve u zgjon nostalgjinë e asaj kohe.

Nertila përveçse një këngëtare e talentuar dëshmoi se ishte edhe një aktore e zonja. Ajo ka luajtur në filma si “Duaje emrin tënd” apo “Telefoni i një mëngjesi”. Largimi i saj nga skena ndodhi pas viteve ’90, kur ajo për shkak të punës së bashkëshortit të saj u largua jashtë Shqipërisë, duke provuar një eksperiencë jete në vende të ndryshme, si Suedi e deri në Japoni. Për publikun shqiptar ajo do të mbetet e njëjta vajzë simpatike që i këndonte aq ëmbël dashurisë. /KultPlus.com

Të ngjajshme