Nesër konferenca e Festivalit të Këngës në RTK, organizatorët shpalosin detajet

22 Tetor, 2023 - 3:33 pm

Nesër do të mbahet konferenca që shpalos detajet e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK. Tre ditë para nisjes së festivalit, organizatorët dhe moderatorët do t’iu përgjigjen pyetjeve të gazetarëve për gjithë ecurinë e këtij rrugëtimi duke filluar nga ora 12:00 në Sallën e Filharmonisë te Pallati i Rinisë.

Të pranishëm do të jenë drejtori i Festivalit, Adi Krasta, drejtori artistik Florent Boshnjaku dhe moderatorët.

“Në prag të Festivalit të Këngës së RTK-së, ju ftojmë në konferencën për media, me ç’rast ekipi realizues, i kryesuar nga Adi Krasta, drejtor i festivalit, drejtori artistik, Florent Boshnjaku dhe prezantuesit e tri netëve të festivalit, do të shpalosin para jush informacionet më të reja rreth përgatitjeve finale dhe përmbajtjes së tij”, thuhet në njoftimin për media.

Detajet e festivalit do të shpalosen edhe nëpërmjet prezencës së organizatorëve në intervista të ndryshme në Radio Televizionin e Kosovës si dhe në mediume të tjera gjatë gjithë javës.

Festivali si ngjarje e plotë me programin garues prej 18 këngëve dhe programin mysafir me këngëtarët e ftuar dhe pjesët e tjera artistike do të del në dritën e publikut gjatë datave 26, 27 e 28 tetor.

InorgA me këngën “Shumë herë më nervozojnë”, Albin me “Ajo”, Bana Zahiti me “Dukat”, La Fazani me “Oj Kosovë”, Arjela Krasniqi me “Emri grua”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, Vjosa Shehu me “Vetes”, Angus Dei me “Një zemër për dy”, Ermal Demiri me “Merri”, Franc Koruni me “Shqip”, Mentor Mripa me “Po ju rrëfehem”, Neki Emra me “Heroi im”, Nita Latifi me “Marrëzi”, Saranda Alija me “Mendj ku je”, Teuta Statovci me “Sekreti i tij”, Urban Band me “Ëndrrat s’kanë faj”, Klea Dina me “Trenat” dhe Hilmi Obertinca me “Pa ty s’më rrihet” do të prezantohen në Festivalin e Këngës, si garues në edicionin e parë të tij.

Edicioni i parë i Festivalit të Këngës do të realizohet në Prishtinë, në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë dhe do të transmetohet live në Radio Kosovë dhe në Televizionin e Kosovës./rtk/KultPlus.com

Të ngjajshme