5 Qershor, 2019 - 6:50 pm
Festivali do zgjasë tre ditë Nesër (e enjte), në Klinë nis festivali folklorik mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, që mbahet më 6, 7 dhe 8 qershor.
Sivjet është edicioni 19-të me radhë i festivalit dhe nis në Çabiq, në vendlindjen e Mujë Krasniqit – Kapuçit, njërit nga komandantët më të shquar të UÇK-së. Në hapjen solemne të festivalit para Kullës muze, më këngë e valle do të paraqitën grupe artistësh rapsodë e instrumentistë nga Kosova dhe Shqipëria. Po ashtu sivjet bëhet edhe inaugurimi i oborrit të Kullës muze, investim i komunës së Klinës.
Është bërë shtruarja me rrasa gurësh dhe shkallët në marrë formë të një amfiteatri. Ndërkaq, e para që do të paraqitet në skenë është AKV “Jehona e Dukagjinit” nga Klina. Pastaj do të paraqitën edhe grupe e shoqëri artistike e rapsodë. Në Çabiq do të shtrohet edhe sofra tradicionale e këtij fshati, ku në nderim të festivalit dhe të bashkëfshatarit e komandant Mujës do ta shtrojnë sofrën tradicionale me ushqimet tradicionale.
Ndërkaq, në qytetin e Klinës, gjatë ditës do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera. Në Sheshin Mujë Krasniqi do të bëhet parakalimi i shoqërive dhe grupeve artistike, ku do të hedhet vallja dhe do të këndohet për Mujën dhe trima të tjerë të UÇK-së. E veçanta e festivalit të sivjetmë është se ai do të mbahet në Sheshin “Mujë Krasniqi”, para shtatores së heroit të kombit, ku është ngritur edhe bina e posaçme për këtë manifestim folklorik mbarëkombëtar. Mbrëmja e parë konkurruese do të fillojë në mbrëmje konkurruese, ku në skenë do të paraqitën shoqëria artistike, ansamble e rapsodë nga Hani i Elezit, Burimi, Gjakova, Shkodra, Lushnja, Deçani, Tropoja, Zvicra, Turqia, e të tjerë.
Edhe në dy netët të tjera do të vazhdoi konkurrimi. Në përmbyllje të festivalit ndahen edhe çmimet kryesore të festivalit. Çmimi kryesor është ai i Mujë Krasniqi, vendi i dytë, vendi i tretë, teksti më i mirë i këngës, interpretuesi më i mirë, çmimi i publikut, vallja më e mirë, instrumentisti më i mirë, veterani i festivalit, veshja më autentike, e të tjerë. Drejtori i festivalit, Alban Gashi, ka thënë se, i kanë bërë përgatitjet e duhur për mbajtjen me sukses të këtij festivali.
“Këtë vit jemi përpjekur që të sjellim risi në festival, sepse është me karakter ndërkombëtar e mbahet në datëlindjen njërit nga figurat më të ndritshme të UÇK-së, i cili njëkohësisht ishte edhe rapsod i njohur. Në festivalin e sivjetmë do të marrin pjesë artistë, rapsodë e valltarë nga të gjitha trojet shqiptare”, u shpreh Gashi.
“Edhe sivjet kemi pjesëmarrës te të gjitha trojeve shqiptare, ku në skenë do të ngjiten për tri ditë rresht këngëtarë, valltarë e instrumentistë për të shpalosur vlera, e tradita kombëtare. Pjesëmarrja është masovike, do të jenë rreth 700 pjesëmarrës”, ka thënë drejtori i Festivalit Alban Gashi.
Sokol Krasniqi, bashkëfshatar dhe bashkëluftëtar i Mujës ka pohuar ndihen krenar që festivali nis nga Çabiqi dhe identifikohet me komandant Kapuçin. Ndërkaq, drejtori Komunal i Kulturës në Klinë, Skënder Merturi, ka treguar se komuna sivjet e ka mbështetur festivalin financiarisht si dhe ka angazhuar një staf komunal për mbarëvajtjen e festivalit. Ai ka theksuar se është bërë planifikimi i pritjes, përcjelljes dhe akomodimit të mysafirëve. Ndërkaq, Daut Gashi, në emër të drejtorisë Artistike ka theksuar se kanë bërë përzgjedhjen me kohë, të grupeve, ansambleve, rapsodëve nga e gjithë gjeografia shqiptare, për të sjellë në skenë vlerat e mirëfillta të folklorit tone burimor.
Hapjen solemne të festivalit në Çabiq, sivjet do ta bëj Ansambli I Këngëve dhe Valleve “Jehona e Dukagjinit” nga Klina, që është themeluar kohë më pare. Në Çabiq do të paraqiten edhe grupe të tjera muzikore, instrumentistë e rapsodë të tjerë. Festivali Folklorik mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezajt. Sponsor medial është RTK-ja, kurse zëdhënës i festivalit është Enver Maloku.
Edhe sivjet vlerësimin do ta bëjë juria profesionale prej tre anëtarësh, profesionistë nga të gjitha fushat, të folklorit, koreografisë, valleve, instrumenteve e të tjera. Ndërkaq, gjatë mbajtjes së festivalit folklorik, “I këndojmë lirisë”, botohet edhe revista periodike, “Lyra”, e cila përfshinë të gjitha aktivitetet që zhvillohen në kuadër të festivalit, duke përfshirë edhe kronikat e të tri netëve të festivalit.