27 Korrik, 2023 - 5:25 pm
Prej ditës së nesërme nis edicioni i gjashtë i MIK Festival, festivali i muzikës ndërkombëtare, i cili e kthen Korçën në destinacionin më të rëndësishëm kulturor të fundjavës. Festivali do të vazhdojë për tri netë rresht duke ia shtuar vizitorët dhe harenë e fundjavës këtij qyteti mikpritës.
Festivali MIK është iniciativë e sopranos Inva Mula. Në vigjilje të tij, Inva Mula ka ftuar përmes rrjeteve sociale që të gjithë artdashësit të shkojnë drejt Korçës në datat 28, 29 dhe 30 korrik.
“Në tri ditë, kemi gjashtë koncerte, të cilët nuk i ngjajnë njëri-tjetrit, duke plotësuar afreskun e bukur të artit botëror, pikërisht në qytetin e Korçës”, thotë sopranoja Mula.
Festivali do të nisë me një koncert-homazh për Jorgjija Truja, me artistet Ramona Tullumani, Ingrid Pulizo e Dorina Selimaj, në Teatrin “Andon Zako Çajupi”. E ftuar do të jetë dhe këngëtarja greke Kalliopi Vetta, së bashku kompozitorin Janis Ioannou dhe orkestrën e tyre, të cilët do luajnë vepra të Mikis Theodorakis.
Të tjerë artistë të MIK Festival do të jenë: Elda Laro, Alba Bioque, Ramona Tullumani si dhe Orkestra e Forcave të Armatosura./atsh/KultPlus.com