30 Tetor, 2018 - 7:43 pm
Jeta Zymberi
Nesim Maxhuni, një prej muzikantëve më të talentuar që Kosova ka, krijuesi i stileve moderne muzikore në vendin tonë, ai i cili muzikën jazz dinë ta sjellë ndryshe, me shumë stil e kreativitet, përveç që është një baterist i rangut botëror është edhe një krijues shumë origjinal. Ai nuk i ka munguar skenës kosovare me prurjet e tij të cilat janë mirëpritur shumë mirë nga publiku, por ai nuk i mungon publikut as me koncerte të ndryshme që i mbanë në vend dhe jashtë tij, shkruan KultPlus.
Kësaj radhe Nesim Maxhuni Quintet do të udhëtojë drejt Stambollit ku do të mbajë tri koncerte në tri jazz klubet më të mira atje. Në këto koncerte Maxhuni do të prezantojë kryesisht muzikën e tij.
“Kam pasur ftesa që disa vite me radhë për të luajtur në klubet më të mira në Stamboll, gjithashtu edhe në New York, por në New York duket të kenë artistët viza dhe ky problem po na shoqëron ende ne kosovarëve, tash ka ardhur kohë për të udhëtuar drejt Stambollit me disa super muzikantë për të promovuar muzikën time atje. Unë kam luajtur disa herë atje, dhe e kam promovuar albumin e dytë në Nardis në vitin 2013”, ka treguar për KultPlus Nesim Maxhuni.
Nesim Maxhuni Quintet përbëhet nga Armend Xhaferi – Guitar, Enver Muhamedi – Bass, si dhe kësaj radhe do të ju bashkohen edhe dy prej muzikantëve më të mirë të Stambollit, Tamer Temel – Ts dhe Kaan Biyikoglu – Piano.
Koncerti i parë do të mbahet më datë 6 nëntor 2018 në Bova Jazz club, për të vazhduar më datë 7 nëntor në Nardis jazz club dhe për ta përmbyllur më datë 8 nëntor në Badau jazz club.
Maxhuni premton tre netë të jashtëzakonshme në kryeqytetin Turk./KultPlus.com