25 Gusht, 2017 - 6:39 pm
Për herë të parë, Nexhmije Pagarusha në Tiranë shkon në vitin 1971. Pak vonë për këngëtaren shqiptare por megjithatë kjo ishte koha kur rrethanat e mundësuan një udhëtim të tillë.
“Atëherë kur hapen pakëz rrugët, kur takohet me këngëtarë në zë të asaj kohe, sidomos me Vace Zelën, me të cilën thotë se e lidhin shumë gjëra të përbashkëta, se kanë shumë ngjashmëri shpirti” tregon Nexhmija kur flet për këtë përvojë në librin e shkruar nga Sanije Gashi – “Ecje nëpër kujtesë”, shkruan KultPlus.
“Me vetë paraqitjen e saj në skenë, Vaçja ka pasur diçka madhështore, ka qenë një mrekulli. Kur e kam parë së afërmi- kam menduar – s’ka krijesë më të bukur, me fjalët që fliste, me atë pasurinë shpirtërore. Fatkeqësisht, nuk kemi mundur të rrinim gjatë së bashku, se, siç e dimë, ishte kohë pa kohë. E kam vizituar edhe në Zvicër, kisha takuar edhe Luçie Milotin, edhe Fitnete Rexhën, tani që të dyja të ndjera. Fitnetja ka qenë një shpirt i madh, këngëtare e madhe, por ka pasur një jetë të rëndë, gjithë vuajtje… Po më vjen mirë që sot këngët e Vaçes po i këndojnë të gjithë këngëtarët. Se, ka pasur vërtet, repertor të pasur! Unë kam një repertor shumë të larmishëm, por s`i ka kënduar kurrkush këngët e mia, nuk e di c`është puna, ndoshta pse nuk kam CD, pse nuk më kanë dëgjuar shumë, veç “Bareshës” e cila ka qenë në long play, e incizuar shumë herët nga Lidhja Turistike e Kosovës (Botim i Beogradit) dhe më vonë, në një audiokasetë të botuar në Shtëpinë e kasetave në Prishtinë, para shumë vjetësh. Përzgjedhjen e atyre këngëve e kanë pas bërë ata të radios, natyrisht që nuk më ka pas pëlqyer, por edhe ka qenë ndaluar shitja e saj! Eh” tregon Nexhmija në një pjesë të bisedës së saj realizuar brenda librit.
Marrë nga “Ecje nëpër kujtesë” – Sanije Gashi.