12 Tetor, 2019 - 10:20 am
Arbër Selmani
Dirigjenti spanjoll Fernando Briones u përkujdes që për dy orë të koncertit të transmetonte muzikalitetin e tij me anë të duarve, drejt muzikantëve dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës.
Në fron me të, përfundoi edhe nata e tretë dhe e fundit e festivalit Prishtina International Vocal Festival, festival që u mbajt prej 7 – 10 tetor në Prishtinë, me tri koncerte fantastike që i sollën qytetit atmosferë tjetër.
E koncerti përmbyllës solli plot emocione, duke nisur me “Mbrëmje” nga Part Uusberg / Ohtul, për të vazhduar me veprat tjera që u përzgjodhën këtë natë. Prej emocionit të Bahut, gjithçka kaloi në pushtimin e zërit të Adelina Palojës e cila solli veprën e Hajrullah Sylës.
I erdhi radha “Ave Maria” nga Jose Fajardo, vazhdoi “O Lux beata Trinitas” dhe më pas punë të tjera deri te Kuarteti Harkor i Filharmonisë së Kosovës dhe Artemida Qarri – Haxhiaj në piano.
Secila vepër erdhi më fuqishëm se tjetra, në këtë koncert që mblodhi rreth vetes artdashësit në akustikën e Kishës Shën Ndou në Prishtinë.
“Patjetër që ekziston ideja që festivali të jetë tradicional, meqë po shihet se interesimi i njerëzve për festivalin është i madh. Në ndërkohë na kanë shkruar edhe grupe tjera të fuqishme dhe formacione që duan të jenë pjesë e festivalit viteve tjera” tha pas mbrëmjes Hajrullah Syla – drejtor i këtij festivali që erdhi me edicionin e dytë sivjet.
Syla derisa reflektonte për këtë edicion, foli edhe për dy mbrëmjet tjera, gjegjësisht me 7 e 8 tetor. Në datën 8 në Katedralën “Nënë Tereza” performuan “The Kings Singers” nga Mbretëria e Bashkuar.
“Të arrish të sjellës në Kosovë një grup si “The Kings Singers” është arritje e madhe, dhe shenjë se ky festival duhet të vazhdojë të jetojë edhe në të ardhmen. Sonte patëm vepra nga më të ndryshmet, përfshirë edhe veprën time të shkruar enkas për sopranon Adelina Paloja. Unë mendoj se ajo bëri një punë të shkëlqyer edhe e realizoi veprën në mënyrë brilante” tregoi për KultPlus Harullah Syla.
Koncertit të 10 tetorit i dha sharm edhe dirigjenti Briones i cili me plot modesti sikur përshëndeste edhe muzikantët edhe audiencën pas secilës performancë. Rreth dy orë program mbajtën publikun të mahnitur me përzgjedhjen e repertorit që çonte prej muzikës më misterioze, te shpirtërorja, e deri te ajo më e gëzuara e më vajtuesja.
“I tërë problem qëndron në faktin e gjetjes së sponzorëve, sepse përndryshe nuk ka arsye që një festival i tillë të mos mbahet. Nëse ka kaq interesim prej grupeve e ansambleve të fuqishme atëherë na duhen edhe sponzorë për ti sjellë ata në Kosovë” tregoi Hajrullah Syla.
“Jam shumë i lumtur që jam në Kosovë për këtë koncert, me këtë ansambël me të cilin kemi ushtruar shumë dhe na ka shijuar secila performancë. Ka një profesionalizëm në këtë vend dhe si pedagog i dirigjimit e vërejta këtë qysh në fillim” thotë dirigjenti Briones.
Në anën tjetër, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, me 26 tetor do ta mbajë koncertin e radhës, prej orës 12:00 – në Pallatin e Rinisë dhe Sportit – Salla e Kuqe, koncert i përfshirë në atë që quhet Zona e Fëmijëve. / KultPlus.com