Nga Jim Morrison, te Kurt Cobain dhe Amy Winehouse: Mallkimi i numrit 27

4 Prill, 2020 - 10:40 pm

Në botën e rock-ut dhe më në përgjithësi atë të artit, ekziston një “klub ekskluziv” në të cilin askush nuk dëshiron të bëjë pjesë. Një rreth i ngushtë që me kalimin e kohës ka ardhur duke u shtuar, me një përpikmëri makabre, me interpretuesit më të mirë të skenës muzikore. Të cilët i ka bërë bashkë koinçidenca e pafat që kanë ikur nga kjo botë, pa i mbushur të 28 vitet.

Në mjediset gazetareske ka nisur të flitet për “klubin 27” duke nisur që nga vitet shtatëdhjetë. Ishte dekada që ndryshoi përgjithmonë historinë e muzikës rock. Edhe pse ajo që i dha jetë këtij lloj mallkimi ka qenë ndoshta vdekja në rrethana misterioze e Robert Johnson (1911-1938), kantautor dhe kitarist i të mëdhenjve të muzikës blues amerikane. Aq i talentuar sa i dha jetë legjendës së pakti të firmosur mes tij dhe Satanait, për të qenë në gjendje të arrinte ata nivele të aftësisë teknike.

I pari

Në vitet e zhurmshëm të rosk and roll-it, i pari që u fut në listën e veçantë të artistëve të mallkuar, të konsumuar prej teprimeve dhe një krijueshmëri vetëshkatërruese ishte Brian Jones. Themelues i Rolling Stones u gjet i pajetë në vitin 1969.

Autopsia përcaktoi se artisti kish ndërruar jetë nga pasoja të natyrshme të një jete me alkool dhe drogë. I kish marrë në sasi kaq të mëdha, saqë ia kishin dëmtuar në mënyrë të pashërueshme zemrën dhe mëlçinë.

Shtypi akuzoi policinë lokale se kishte mbuluar një krim, por një autopsi e re e vitit 2009, arriti në të njëjtin verdikt si mjeku i parë.

Tre gjigandë të rock-ut

Dyvjeçari vendimtar që ushqeu famëkeqin Klubi 27, ai që e bëri vërtetë një legjendë të zezë, ishte 1970-1971. Në mënyrë të shpejtë erdhën e u bënë pjesë e tij tre gjigandë të rock-ut, si Himi Hendrix, Janis Joplin dhe Jim Morrison. Në apartamentin e Samarkand Hotel në Londër, në 18 shtator 1970 Monika Dannemann gjeti të pajetë shokun e saj Jimi Hendrix. Ishte mbytur në të vjellat e tij, pas një overdoze: kishte ikur nga kjo botë kitarristi më i madh i rosk-ut. Dhe ishte 27 vjeç.

Dy javë më vonë, muzika mbeti pa një prej zërave të saj më të jashtëzakonshëm, atë të Janis Joplin. Edhe ajo prej një kokteili vdekjeprurës morfine dhe uiski. Një vit më vonë, në 3 korrik 1971, në vaskën e banjës së apartamentit të tij në Paris doli tragjikisht nga skena, idhulli i revolucionit kulturor të viteve gjashtëdhjetë Jim Morrison, artisti dhe themeluesi i The Doors.

U gjet i pajetë nga partnerja e tij Pamela Courson. Ajo dëshmoi se Morrison kish marrë heroinë duke e pandehur për kokainë. Trupi i tij nuk iu nënshtrua kurrë autopsisë, arsye kjo që shkaktoi lindjen e shumë teorive komplotiste për vdekjen e yllit, autor i “The End”. Ndërkohë që varri i tij në varrezën e Pere-Lachaise në Paris është shndërruar në një vend pelegrinazhi të pandërprerë sot e kësaj dite.

Vitet ’90

Mallkimi i numrit 27 u duk se u ndal në vitet tetëdhjetë, por u rikthye të godasë në vitet nëntëdhjetë me ikjen nga kjo botë të njërës prej figurave më me influencë të të rinjve të kohës, këngëtari dhe lideri i Nirvana Kurt Cobain, i cili në 5 prill 1994 vendosi të heshtë një herë e përgjithmonë, duke vrarë veten me pushkë.

Trupi u gjend vetëm tre ditë më vonë në shtëpinë e tij në Seattle. Edhe Kobain, ashtu si pjesëtarët e tjerë të klubit kishte patur probleme të mëdha me drogën. Të njëjtët demonë që ndeshi në rrugën e saj të shkurtër edhe këngëtarja britanike Amy Winehouse. Mbretëresha e soul-it të bardhë ndërroi jetë në 23 korrik 2011 pas një abuzimi me pije alkoolike. Ia kish dalë me shumë mund të çlirohej nga droga, por jo nga alkooli. Tre vite më herët, kantautorja kishte shprehur frikën se mund të vdiste pikërisiht në atë moshë. Profeci që për fat të keq doli e vërtetë. /KultPlus.com

Të ngjajshme