Nga New York-u në Prishtinë, Brian Marsella Trio elektrizoi publikun në hapje të Jazz Festivalit

4 Maj, 2023 - 12:46 pm

Vjollca Duraku
Fotografitë: Nok Selmani

Një treshe fantastike e muzikantëve New York-ez elektrizuan mbrëmë publikun prishtinas me një performancë të mahnitshme që u mbajt në kuadër të Jazz Festival Prishtina i cili mbrëmë hapi siparin në Teatrin Oda, shkruan KultPlus.

Festivali i cili erdhi në kryeqytet pas pothuajse një dekade pauzë, dukej sikur iu kishte munguar prishtinasve, meqë entuziazmi i tyre për të ndjekur një ngjarje të tillë vërehej kur ata me padurim prisnin që të fillonte koncerti.

Kaltër, vjollcë dhe kuq ishin ngjyrat dominuese të skenës në të cilën pritej të performonin artistët. Ndërthurja e këtyre ngjyrave krijonte një spektër madhështor nuancash, të cilat të dërgonin në një univers paralel, në të cilin njerëzit rrethoheshin nga një aurë dashurie dhe lumturie, ku mbretëronte vetëm energjia pozitive.

Rrjedhën e kësaj magjie e ndryshoi dalja në skenë e organizatorit të festivalit Armend Xhaferi, i cili me një energji të paparë sikur e ktheu publikun në realitetin fizik, por po ashtu të bukur, me një falënderim të ngrohtë për të pranishmit në koncert.

Përkundër faktit se puna për organizimin e një festivali që kishte pauzuar rreth 10 vite, mund t’i ketë sjellë organizatorit mundim dhe stres të madh, tash kur po fillonte perfomanca, Xhaferit dukej sikur të gjitha i ishin larguar nga supet dhe me padurim e priste edhe ai fillimin e koncertit. Kjo gjë vërehej lehtësisht nga vibrimi ngazëllues i zërit të tij.

Ai me shaka tha se grupi (sa është në Kosovë) do të performojë vetëm për ta dhe askund tjetër dhe me përfundimin e performancës ata do të nisen direkt për në New York pa u ndalur askund tjetër, duke dashur të bëj me dije publikut se para vetes do të kishin maestro të muzikës jazz.

Më pas me duartrokitje të zjarrta, publiku prishtinas priti tre muzicientët New York-ez, të njohur si Brian Marsella Trio, i përbërë nga Brian Marsella – Piano, Kenny Wollesen- Bateri dhe Trevor Dunn – Kontrabas.

Emocionet e publikut morën hov qysh me fillimin e koncertit, pasi para tyre publiku tashmë kishte njerëz të cilët i kishin kushtuar një jetë të tërë, instrumentit me të cilin ata tashmë performonin.

Interpretimi i Brian Marsella në piano edhe duke qëndruar në këmbë herë pas here, si dhe lëvizjet e tij trupore të shpejta dhe strikte, dukej sikur i jepnin tonin mbrëmjes me tingujt e pianos, e pashmangshmërisht krijonin stil në vete.

Vendosja e shkopinjve në gojë, nga i cili interpretim u krijuan tinguj unik, e të pa dëgjuar deri tani gjatë mbrëmjes, nga Bateristi Kenny Wollesen, i dha kulminacionin performancës së tij, e cila u shoqërua me ovacione dhe duartrokitje të zjarrta.

Kurse Trevor Dunn, i cili performoi me kontrabas, pothuajse pati barrën kryesore për të mbajtur konstant ritmin e mbrëmjes me një lëvizje mega të shpejtë, të pa ndalshme të gishtërinjve, duke vënë po ashtu në pah dashurinë, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij për atë instrument.

Kombinimi i kësaj treshe muzicientësh, e cila krijoi një harmoni pothuajse perfekte, la një shije të paharrueshme te publiku, i cili këtë mbrëmje e përmbylli duke dhënë duartrokitje të shumta, kundrejt artistëve në shenjë falënderimi dhe admirimi për artin e ofruar.

Këto duartrokitje të publikut, e kishin ngazëllyer edhe drejtoreshën e kulturës në Komunën e Prishtinës, Arta Balajn, sepse jepnin mesazhin e qartë se publiku u kënaq gjatë kësaj mbrëmje dhe me këtë rast misioni i tyre si mbështetës kishte arritur cakun e suksesit.

Drejtoresha Balaj në një prononcim për KultPlus u shpreh se si Komunë, janë shumë të kënaqur me organizimin dhe rikthimin e këtij festivali në Prishtinë, me shpresë që vitin e ardhshëm ky festival do të mund të mbahet edhe me vetëfinancim.

“Jemi të lumtur që pas shumë viteve po rikthehet në Prishtinë ky festival kaq i rëndësishëm. Falënderim i jashtëzakonshëm shkon për Armend Xhaferin, i cili ka qenë përkrahës prej ditës së parë. Edhe pse festivali përfundon pas katër netësh, organizimi ka marrë disa muaj me radhë, dhe të sjellim një bend të tillë si Brian Marsella Trio, ka qenë e jashtëzakonshme. Ne e pamë publikun të kënaqur dhe shpresojmë që viteve të tjera do t’i marrin këmbët dhe do të organizohen edhe vetë. Komuna është për këtë arsye, për të ndihmuar festivale të tilla që të rimëkëmben. Kështu që jemi super të kënaqur që kemi pasur mundësi për të ndihmuar Jazz Festivalin për tu kthyer në Prishtinë”, ka thënë Balaj.

Balaj gjithashtu u shpreh se ky koncert ndikon pozitivisht në imazhin e Komunës së Prishtinës pasi prezenca e artistëve botërorë e ngrit nivelin e performancës, e me këtë rast edhe entuziazmin dhe energjinë për të sjellë edhe artistë të tjerë të mëdhenj nga bota, në vitet e ardhshme.

Se ishte shumë i kënaqur me koncertin dhe se i kishin arritur pritshmëritë e tyre tha për KultPlus edhe organizatori Armend Xhaferi.

“Koncerti ishte fenomenal, shumë i mirë edhe pse kur organizon koncert është një farë stresi që nuk të lë rehat sepse e mendon çdo milimetër, çka bën dhe nuk bën, apo si po shkon koncerti në përgjithësi, por fantazi ishte”, ka potencuar Xhaferi.

Xhaferi, më tutje tregoi edhe për përshtatshmërinë e hatashme mes artistëve tanë me ata botërorë në procesin e punës në këtë festival, duke thënë se ideja themelore e jazz-it është bashkimi i njerëzve në mënyrë paqësore.

“Ideja e jazz-it është që të bashkohen njerëzit në mënyrë paqësore. Komuniteti i jazz-it gjithmonë vëllazërohen shumë shpejtë, pavarësisht se kush, çfarë nacionaliteti është. Kjo është një veti që e kanë jazz muzikantët”, tha Armend Xhaferi, organizatori i Prishtina Jazz Festival, i cili krejt për fund falënderoi edhe Komunën e Prishtinës për mbështetjen e vazhdueshme për organizimin e festivalit.

Prishtina Jazz Festival mbrëmë nisi por sonte do të vazhdojë me koncertin e radhës, poashtu në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 21:00 ku do të performojnë 18 anëtarë, muzikantët më të mirë të Ballkanit me: Dirigjent dhe Kitarë – Armend Xhaferi, Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov, Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi, Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev,Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni: Ilir Bajri – Piano, Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri. 

Ndërsa më 5 Maj, do të performojë Sara Decker Quartet, në përbërje me: Sara Decker – Vokal, Billy Test – Piano, Nicolai Amrehn – Kontrabas dhe Jeroen Truyen – Bateri, në Kino Armata, ora 21:00.

Kurse me datën 6 maj për të përmbyllur festivalin, do të ketë muzikë më melankolike nga Derya Cenk Enver Trio, në përbërje me: Derya Türkan – Kemençe, Cenk Erdogan – Kitarë dhe Enver Muhamedi – Kontrabas, në Kino Armata, në ora 21:00.

Prishina Jazz Festival këtë vit po mbahet nën patronatin e Komunës së Prishtinës., dhe tashmë ju presin edhe tri netë të tjera të mbushura me tinguj të bukur jazz. /KultPlus.com

Të ngjajshme