8 Dhjetor, 2022 - 3:41 pm
Era Berisha
Fotografitë: Nok Selmani
Edicionin e tij të pestë, projekti “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, mbrëmë e shënoi me një interpretim nga baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa, i cili u shoqërua nga pianistja e mirënjohur Lule Elezi dhe Kori i grupit të fëmijëve “Okarina”. Nëpërmjet perlave shqiptare, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me zërin e Myshketës që jehonte në hapësirë dhe kësisoj lëshohej rrëke nëpër secilin shpirt të pranishëm. Këngët e kënduara ekskluzivisht kanë pasur një vend të veçantë, me ç’rast kanë dhënë ndjesi nga më të ndryshmet, duke dëshmuar se arti operistik zë një vend të rëndësishëm në audiencën shqiptare, dhe se dashuria e pasioni i artistëve që veprojnë në botë, për të interpretuar në mesin e shqiptarëve, asnjëherë nuk u shuhet, shkruan KultPlus.
Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare të Kosovës ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar zërin e rrallë të baritonit Myshketa. Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e këtij artisti në ndërlidhje me pianisten Elezi dhe “Okarina”, ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Salla e mbushur nga artistë të njohur shqiptarë e jo vetëm, kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marrë parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga reflektorët me ngjyrë të kuqe e vjollcë në prapavijë afër perdeve të zeza dhe ato të kaltër në formë lulesh në pjesën e tavanit. Po ashtu, dy reflektorët e ngrohtë kanë ndihmuar në përcjelljen më të pastër të gishtërinjve të pianistes Elezi dhe qëndrimit të Korit “Okarina”.
Teksa ora po shënonte 20:10, errësira kaploi vendin dhe duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hap këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt artistët në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.
Fillimisht, hapjen e edicioni të pestë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online KultPlus, Ardianë Pajaziti.
“Faleminderit të gjithëve që keni gjetur kohë për të ardhur dhe jeni bërë pjesë e mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” tash e pesë vjet. Unë dhe stafi i KultPlus-it jemi shumë me fat që kemi arritur të nxjerrim baritonin Gëzim Myshketa nga skenat më prestigjioze, për ta sjell në Prishtinë, pavarësisht faktit që tash e shumë vite janë duke u bërë kërkesa për ndërtimin e një salle operistike. Kjo tregon shumë për dashurinë e madhe të artistëve që kthehen në këtë vend pikërisht për dashurinë që kanë për ju”, ka thënë Pajaziti.
Pas këtij fjalimi, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur baritoni Gëzim Myshketa doli në skenë, i shoqëruar nga pianistja Lule Elezi. Mbrëmja u zhvillua herë me rrëfime jetësore e herë me këndime, që zinin vend në momentin më të duhur. Baritoni Gëzim Myshketa ka rrëfyer shumëçka nga jeta e tij qysh nga fëmijëria e deri më sot, por ajo që shënoi hapjen e mbrëmjes ishte kënga e parë “Ta dish”, një vepër kjo që depërtoi përtej fenomenales.
Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, baritoni Myshketa ka thënë se ka shumë emocione, pikërisht sepse ndodhet në mesin e shqiptarëve të tij.
“Jam shumë i emocionuar, më shumë se kurdoherë. Po këndoj mes shqiptarëve të mi dhe ju falënderoj shumë. Nuk kam fjalë! Unë kam zgjedhur një program të vogël me disa pjesë shqiptare që ia dedikoj atdheut tim, Shqipërisë e Kosovës. Kënga që e hap këtë mbrëmje është një këngë shkodrane “N’at Zaman” ose “Ta dish” dhe është pjesa e parë e albumit që unë bëra këtë vit me këngë të përzgjedhura shqiptare. Shpresoj të ju pëlqej”, ka thënë Myshketa i cili pas këtyre fjalëve e mbërtheu skenën dhe gjithë sallën me zërin e tij kumbor që rrëqethte secilin shpirt të pranishëm.
Pas këtij interpretimi të parë para publikut, Gëzimi u shpreh se të këndojë në Kosovën e lirë, për të, është goxha emocion.
“Kam ardhur në radhë të parë sepse jam në Kosovë, mes vëllezërve dhe motrave shqiptare. Të këndojmë së bashku në Kosovën e lirë dhe për herë të parë, është goxha emocion. Kanë kaluar gjashtë apo shtatë vite që kur isha në koncertin në Prishtinë në Katedrale. Jam shumë i emocionuar dhe dua ta falënderoj Ardianën për punën e jashtëzakonshme. Të kesh kaq shumë njerëz që vinë e të japin dashuri, vëmendje, në një mbrëmje të dedikuar ty, është shumë për mua. Jam shumë i lumtur dhe Kosovën e shoh më mirë dhe më mirë e pafsha edhe herëve tjera”, thotë ai.
Duke marrë parasysh se Opera e Kosovës për herë të parë është institucionalizuar, për Myshketën, të qenurit një nga emrat që luan për herë të parë në hapjen zyrtare të një titulli artistik siç është “La Traviata”, është shumë gjë e bukur. Ai thotë se po punohet shumë aty dhe beson që do të jetë një shfaqje shumë e bukur, kësisoj edhe ai do të kaloj dy javë të mrekullueshme në Kosovë.
Baritoni Myshketa ka përmendur edhe kohën kur ai ka dhënë një kontribut në një periudhë kur Kosova ka qenë jo në ditë të mira. Ai ka punuar si vullnetar në Durrës dhe i ka dhënë shumë shpresë shqiptarëve të Kosovës që kanë lënë vendin e tyre për tu strehuar.
“Ka qenë një eksperiencë shumë e dhimbshme, një emocion ndryshe. Unë kam qenë vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç dhe po shihnim pamjet brutale të miliona njerëzve që linin vatrat e tyre. Dhe e ndjenim që duhet të bënim diçka. Ne ishim gati për luftë. Filluam të pastronim pallatet sepse ishte gati e sigurt që edhe Shqipëria do hynte në luftë. Gjëja e parë që bëra ishte që së bashku me miq, merreshim me shpërndarjen e rrobave për njerëzit që kishin nevojë, në shkollën e muzikës në Durrës. Gjëja më emocionuese, ishte që ne bënim koncerte sepse kishte njerëz që akoma qanin, por e ndjenim që kishim nevojë t’i jepnim shpresë. Këndonim këngë patriotike dhe besoj që kam bërë koncert në gjithë kampet e refugjatëve”, shpalos Myshketa.
Sipas tij, një nga kujtimet e tij më të bukura ka qenë kur çdo natë, kanë ardhur dy-tre goca/çuna në shtëpinë e tij. Ishte një familje nga Peja që e kanë humbur babin e tyre dhe shkonin tek ai, dhe motra e Myshketës, bënte supë e rrinin bashkë.
“Jemi dëgjuar në telefon këto ditë dhe ka qenë jashtë mase emocionuese. Na presin në Pejë dhe besoj që do shkojmë aty. Unë vetëm kam kontribuar duke kënduar e duke i dhënë shpresë njerëzve. Ky ka qenë roli im si vullnetar. Ishte minimalja që do të bënte çdokush në ato momente të vështira. Atëherë ka qenë vaj dhe mundoheshim të qeshnim prej hallit, por sot është festë. Unë besoj që sot faktori shqiptar është më i fortë se asnjëherë më parë. Duhet t’i qojmë shtete tona si motra, më përpara”, tregon tutje.
Ndërsa, kur ndalemi tek karriera e tij dhe rrugëtimi i suksesshëm drejt majave të operistikëve botërore, baritoni Myshketa ka treguar se kur i lindi dashuria për këtë profesion.
“Në një tavolinë të një shtëpie shumë modeste në Durrës, ku ne ishim të internuar gjatë komunizmit si ish-familje borgjeze. Babai im ka qenë një baterist i jashtëzakonshëm. Gjithë xhaxhallarët e mi luanin instrumente por pasionin e kishte gjithë familja. Vendosa në këtë tavolinë ta bëja ‘show-in’ tim dhe kështu lindi pasioni. Ishim një familje shumë e thjesht por që bënte një jetesë në ato vite shumë të vështira, kur ishte pushtuar nga jugosllavët. Ne ishim poshtë një diktature që nuk lejonte shprehjen e lirë. Kemi qenë në situata shumë të vështira por në atë shtëpinë e thjesht, jetohej me muzikë dhe muzika jepte liri. Atë çka të tjerët nuk e kishin në jetën e përditshme, ne e gjenim duke kënduar këngët italiane fshehurazi”, thotë ai.
Sipas tij, ai ka nisur karrierën shumë i vogël dhe mendon që mund të dali edhe në pension për shkak se ai ka tridhjetë vjet punë.
“Kur shkova në Itali si tetëmbëdhjetë vjeçar e pas dy tri vitesh mësim, mora pjesë një nga konkurset më të rëndësishme operistike. Ka qenë konkurs i zërave operistik evropianë i të rinjve dhe unë zëra vendin e parë në mesin e 250 konkurrentëve. Mora familjen dhe i tregova që kjo është diçka serioze. Aty pastaj ka qenë kthesa kur kuptova që ky është rrugëtimi im”, thotë Myshketa.
Pastaj, pjesë e mbrëmjes u bënë edhe videot e shumta të shfaqura në ekran e që e surprizuan baritonin Myshketa në një mënyrë të bukur. Një kolazh i duartrokitjeve të adhurueseve të tij në Veronë kishte zënë vend. Për këtë moment, ka folur edhe vetë ai.
“E kam menduar gjithmonë që nuk jam vetëm këngëtar por është e rëndësishme që të jesh edhe personazh në skenë. Kam debutuar në vitin 2003 dhe janë gati njëzet vite nga ana profesionale operistike. Një kujtim shumë i afërt ka qenë debutimi këtë vit në Arena Di Verona dhe isha mes kolegëve më të mëdhenj që janë në botë. Ka qenë emocion kur mbaruam shfaqjen dhe po shkonim në restorant dhe gjetëm diçka të papritur. Gjithë sheshi po darkonte në një e gjysmë të natës dhe u ngrit në këmbë, e na duartrokiste neve. Më ka prekur ky gjest shumë”, shprehet ai.
Ndërsa, kur flasim për albumin e tij “Ta dish”, atëherë baritoni Myshketa thotë se ka lindur si ide gjatë periudhës së karantinës.
“Lindi si një ide gjatë karantinës dhe ideja ishte që do të doja ta bëja patjetër. Jam pak vonë për volumin e dytë sepse është një antologji e vogël e këngës qytetare shqiptare, e ripërpunuar për tercetë. Dua t’i marr ato perlat kryesore të muzikës shqiptare dhe t’i ri-sjellë për publikun, pa asnjë lloj përfitimi, veç pasion. Dua ta bëj një vetëm për Kosovën, me pjesët e Kosovës, një me Shkodrën, Korçën e kështu me radhë. Do të ishte një ëndërr që pas dymbëdhjetë viteve, të kem gjithë këto CD ku janë perlat e muzikë shqiptare, të përmbledhura. Në albumin ‘Ta dish’, këngët patriotike kanë më shumë emocion. Çdo këngë ka një histori të vërtetë”, shpalos Myshketa.
Pastaj, ishte kënga e pa-kënduar më parë nga baritoni, “Mallëngjimi” si dhe “Arbëreshe potpuri”, ato që shpërthyen jashtëzakonisht bukur. Inkuadrimi i publikut në këto këngë qe diçka që dëshmoi se mbrëmja “Ta zbardhi ftyrën” po kulmonte nga çasti në çast. Luhatja e kokës së baritonit Myshketa, lëvizjet e duarve, notat e larta që dilnin nga zëri i tij mahnitës, ishin elementet bazë që e bënin atë thjesht magjepsës. Të gjithë përhumbeshin pas interpretimit të tij dhe kjo dukshëm vërehej nga sytë dhe qëndrimi i gjithsecilit. Dukej sikur hynte në një botë tjetër kur këndonte, dhe në një tjetër kur fliste, por që të dyja këto, i bënte me një thjeshtësi të paparë.
Pas këtij emocioni, Gëzimi foli pak edhe për periudhën e pandemisë, një kohë kjo jo e mirë për shumë kënd. E njëjta vlen edhe për baritonin Myshketa i cili është shprehur se kohën e ka kaluar nëpërmjet incizimeve të këngëve shqiptare në rrjetet sociale, të cilat janë mirëpritur tejet mirë nga shikuesit.
“Çdo person që është i detyruar të rri mbyllur, nuk gëzon. Ne artistët e ndjejmë pak më tepër. U mbyllën gjithë sallat koncertale, gjithë teatrot. Unë aty në shtëpinë time fillova të bëj disa incizime dhe gjithë këngët shqiptare ia përcolla njerëzve nëpërmjet rrjeteve sociale. Kështu e kam kaluar kohën”, thotë ai.
Po ashtu, kur ndalemi tek ëndrra e tij e paplotësuar, atëherë baritoni Myshketa shpalos këtë ëndërr, që për të është e vështirë të realizohet, nga angazhimet e shumta të karrierës së tij.
“Ëndrra ime është që ta hap një restorant diku. Kurse, nga ana e karrierës e kam përjetuar gjithmonë lehtë. Kur vinë gjërat e bukura, vinë. Unë mundohem që gjithmonë të rritem në nivelin profesional por nuk është se nuk më zë gjumi nëse nuk kam një sukses çdo ditë. Jeta ka shumë gjëra të bukura. Gëzimi mundohet që pas çdo shfaqje teatrore, të mbyll personazhin e të kthehet tek jeta me të mirat e të këqijat e veta. Unë tani kam shumë projekte. Kam një turne në Francë, në Kanë, në Luksemburg. Pastaj, kthehem në Japoni, në Marsei. Kam shumë projekte, falë Zotit. Shpresoj që në radhë të parë, opera ‘La Traviata’ këtu në Prishtinë, të dali bukur pasi që publiku i Kosovës është publik shumë i vëmendshëm. Isha shumë i gëzuar sot në provat e kësaj opere, sepse të gjithë ishin shumë të pasionuar për të bërë. Sigurisht, dua të kthehem edhe në Tiranë. Më pëlqen shumë edhe pjesa regjisoriale, pse jo, ta zhvilloj akoma më shumë”, shpalos ai.
Krejt për fund, dy nga veprat ikonike si: “Unë biri yt Kosovë” dhe “Dua më shumë Shqipërinë” sollën në skenë edhe Korin e fëmijëve “Okarina”, që në ndërlidhje me baritonin Myshketa dhe pianisten Elezi, dhanë një emocion që rrallëherë përjetohet. Si një buqetë me lule plot, ishin fëmijët që këndonin njëzëri me baritonin Myshketa. Fotografitë e shumta, buzëqeshjet e pa-ndalura, u dalluan në moment. Prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, artdashësit e muzikës klasike si dhe asaj pianistike, kanë përjetuar një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre.
Pastaj, ylli i edicioni të kaluar të mbrëmjes “Ta zbardhi ftyrën”, Gjon’s Tears, ka dhënë një video-mesazh, në pamundësi për të qenë i pranishëm në sallë.
“Mirëmbrëma për të gjithë ju atje në Kosovë. Ju falënderoj shumë për emocionet që mi përcjellni çdo herë. Shpresoj të jeni të gjithë mirë dhe doja ta falënderoja shumë për mbrëmjen “Ta zbardhi ftyrën”, Ardianë Pajazitin dhe KultPlus-in për evenimentin që është organizuar. Mbaj mend që e kam vlerësuar shumë edhe unë këtë natë artistike që kam pasur momentin për të treguar muzikën time. Do të doja shumë të isha aty për t’ia dhënë çmimin baritonit të madh, Gëzim Myshketës por jam në Paris, duke e krijuar albumin tim. Gëzim kënaqu këtë natë dhe jam i sigurt që është një koncert shumë i jashtëzakonshëm”, ishte shprehur Gjoni në videon e dërguar.
Për ta shpërblyer baritonin Gëzim Myshketa me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti, në ndërkohë u ftua edhe i gjithë ekipi i KultPlus-it si shenjë falënderimi për punën e madhe që bëjnë: Jeta Zymberi, Liridona Spahiu, Era Berisha, Flonja Haxhaj dhe Uranik Emini, të cilët dolën në skenë për të realizuar një fotografi që do mbetej gjatë në kujtesën e tyre e ku nuk munguan duartrokitjet e shumta nga publiku.
Për të finalizuar këtë mbrëmje magjike, Gëzimi kishte ruajtur për fund një ndër perlat më të bukura shqiptare, këngën “Luleborë” e cila u këndua njëzëri me publikun në sallë. Këto emocione të fuqishme që u përçuan nëpërmjet këngës kulmuan me duartrokitje të fuqishme duke e kthyer artistin edhe njëherë në skenë.
Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, tutje të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku baritoni Gëzim Myshketa gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.
Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës unike të tij, për KultPlus foli baritoni Gëzim Myshketa.
“Qe një natë e jashtëzakonshme me shumë emocione. Jam shumë i lumtur që u ktheva në Prishtinë pas 6-7 vitesh. Publiku ishte i mrekullueshëm me një program shumë të sinqertë. Çdo gjë ishte shumë mirë dhe falënderoj shumë KultPlus-in, e sidomos Ardianën për punën e jashtëzakonshme të këtij eventi. Edicionin vendosëm që ta zhvillojmë në dhjetor dhe kemi punuar goxha për përzgjedhjen e pjesëve. Ishte shumë kënaqësi. Sonte do e veçoja ngrohtësinë e publikut. E dua Kosovën shumë”, ka thënë Myshketa.
Ndërsa, udhëheqësja e Korit të Fëmijëve “Okarina”, Elikona Hysaj Shala është shprehur e lumtur që fëmijët kanë ndarë skenën me baritonin e njohur Gëzim Myshketa.
“Gjithçka ka qenë në nivelin më të lartë të organizuar nga KultPlus. Çdo detaj i menduar mirë ka respektuar artistin, gjë që i bie se KultPlus di të respektojë artistin ashtu siç vlen dhe duhet. Gjitha këto nuk do të realizoheshin pa mundin e organizimin për të krijuar një mbrëmje kaq mbresëlënëse sikurse sonte. Kur takohen fëmijët me një bariton të përmasave botërore siç është Myshketa atëherë është një fat tejet i madh sepse ai ka dhuruar një dashuri të madhe për skenën dhe fëmijët në atë mënyrën që ata të kenë motiv edhe më tepër të vazhdojnë tutje. Ishte një bashkëpunim jashtëzakonisht i mirë. Asnjëherë nuk do ta harrojmë këtë takim në skenë”, thotë Hysaj-Shala.
Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.
Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje kishte sponsor medial Radio Televizionin Publik të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Komunën e Prishtinës, Universitetin e Prishtinës, AMC-në dhe Ujë Rugove. / KultPlus.com