Ngjyrat e barokut europian” vijnë në Muzeun Historik Kombëtar

15 Maj, 2021 - 9:51 pm

 “Ngjyrat e Barokut Evropian” titullohet eventi i organizuar paraditen e sotme në ambientet e “Muzeut Historik Kombëtar” në kuadër të Javës së Evropës.

Ky event është tejet i veçantë sikurse nga forma por edhe përmbajtja pasi në të u luajt muzikë elitare ose sikurse njihet ndryshe stili “muzikë baroke”. Koncerti u mbajt në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, duke respektuar në mënyrë shumë rigoroze protokollin e sigurisë së shëndetit të pjesëmarrësve ndaj pandemisë Covid -19.

Organizime dhe evente të tilla realizohen shumë rrallë për shkak edhe të cilësisë dhe profesionalizmit të lartë, por edhe prezencës së spektatorëve të përzgjedhur që janë admirues të këtij zhanri muzikor.

Koncerti i sotëm erdhi pas premierës së djeshme në ambientet e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti” në qytetin e Krujës, ku edhe pati mjaft sukses dhe vlerësim.

Ishte me të vërtetë një përvojë unike pamore dhe muzikore, ku tingujt magjikë të instrumentistëve si Abigeila Voshtina, Kim Jung Min, një instrumentiste me origjinë nga Koreja e Veriut, Jusuf Beshiri, u ndërthurën me magjinë mesjetare të Muzeut të Krujës dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Në këtë koncert ishin të pranishëm si të ftuar nderi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Juri Kim, zëvendësambasadori i Italisë Alberto Petrangeli.

“Uroj të pranishmit dhe gjithë shqiptarët gjatë kësaj jave e cila është shumë e rëndësishme për Evropën por edhe të gjithë shqiptarët që asnjëherë nuk hoqën dorë nga ëndrra e tyre e përbashkët, që një ditë të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane. Evropa dje ishte në qytetin e Krujës dhe sot ajo ka ardhur në Tiranë nëpërmjet artit ndaj edhe ju uroj të gjithëve që ta shijojmë”, tha Petrangeli në fjalën përshëndetëse.

Abigejla Voshtina, pjesë e organizatorëve, shtoi se “Evropa sot vjen tek ne me këtë muzike e cila është edhe një formë identiteti për kontinentin tonë sepse këtë traditë e kanë Italia, Franca, Gjermania edhe Spanja dhe vijmë me kompozitor të mirënjohur nga e gjithë Evropa. Dikur kjo muzikë bëhej për shumë pak spektatorë, ndërsa sot kjo muzikë bën bashkë shumë njerëz dhe shumë kombe ndaj dhe ju ftojmë që ta shijojmë”. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme